Live Stories from Prishtina

LIVE

29 Tetor, 2025

hint: ky artikull bazohet vetëm në eksperiencën personale, detajet që janë shkruar shpesh harron t’i praktikoj edhe autorja e tekstit, përfundimet janë të bazuara në përjetimet dhe thyerjet e fundit emocionale të autores (e cila krijon lidhje të ngushtë emocionale me personat që i vlerëson) por që diku në vete e di që asgjë nuk është absolute. Këto rregulla vlejnë për personat që e shohin vetën gati për të ndërtuar diçka kuptim-plotë. Ti mund të thuash: kush e di kur është gati? Ndoshta në këtë artikull e mëson ❤️

 

Momenti kur vërtet e kupton brenda vetes se askush nuk të detyrohet për asgjë, është momenti kur ndalon së qeni pasagjer në jetën tënde dhe bëhesh vet drejtuesi i saj.

E vërteta #1: Prindërit e tu nuk të detyrohen me mbështetje pasi je bërë i rritur

Ata të ushqyen, të veshën, të dhanë strehë për më shumë se 18 vjet. Disa nga ne morën më shumë, disa më pak. Por ekziston një pritje e vazhdueshme që ata duhet të ndihmojnë me universitetin, me banesën e parë, të të shpëtojnë kur gjërat shkojnë keq, të ofrojnë mbështetje emocionale sa herë që e kërkon.

Ja realiteti që askush s’e thotë me zë: prindërit kanë qenë ligjërisht dhe moralisht të detyruar të të rrisin derisa të bëhesh i rritur. Pas asaj pike? Çdo gjë që të japin është dhuratë, jo detyrim.

Ata kanë jetën, hallet dhe ëndrrat e tyre që ndoshta i kanë lënë pezull për të të rritur ty.

Kur ndalon së prituri që prindërit të jenë rrjeta jote e shpëtimit, fillon të ndërtosh tënden. Fillon të marrësh vendime ndryshe, të mendosh disa hapa përpara dhe të zhvillosh vetëbesim të vërtetë, jo pavarësi të rreme ndërsa ende zgjatë dorën për ndihmë.

Kam parë burra në të 30-at që ankohen se prindërit s’i ndihmojnë më. Ndërkohë, prindërit e tyre po përpiqen të kuptojnë si do dalin në pension, sepse shpenzuan gjithçka për t’i rritur fëmijët.

Kjo ndjenjë e “më takon” është absurde po ta shohësh me sy të ftohtë.

Prindërit të dhanë dhuratën e jetës dhe themelet për të ndërtuar. Çfarë bën me to, është tërësisht në dorën tënde.

Dhe në fakt, kur ndalon së prituri gjëra prej tyre, marrëdhënia përmirësohet. Sepse çdo gjë që të japin pastaj e merr me mirënjohje, jo me pritje të vetëkuptueshme.

Mos kërko më ndihma, tregoju çfarë ke ndërtuar me atë që të kanë dhënë.

E vërteta #2: Bota nuk të detyrohet me drejtësi, barazi apo mundësi të barabarta

Kjo është ajo që shkatërron shumicën e njerëzve mendërisht.

Na rritën me mitin e meritokracisë: puno fort, luaj ndershëm dhe të ndodhin gjëra të mira. Universi shpërblen njerëzit e mirë. Karma është reale.

Të gjitha këto janë mashtrime.

Bota është thelbësisht neutrale. Nuk i intereson përpjekja jote, sfondi yt, qëllimet apo sa shumë po përpiqesh.

Disa lindin në pasuri dhe lidhje. Disa lindin në varfëri dhe kaos. Disa janë të talentuar natyrshëm, disa duhet të luftojnë për çdo hap.

Disa punojnë gjithë jetën dhe vdesin të varfër. Disa bien rastësisht në pasuri brezash.

Të harxhosh edhe një sekond duke u ankuar për këtë është humbje e kohes së çmuar.

Korniza e re mendore është pranimi radikal, i shoqëruar me veprim të pamëshirshëm.

Po, loja është e paracaktuar. Po, disa lindin me avantazh. Po, sistemi është i padrejtë. Por të rrish e të presësh që bota të bëhet e drejtë përpara se të fillosh të lëvizësh është vetëshkatërrim.

Ata që fitojnë nuk janë ata që kanë kartat më të mira, por ata që i luajnë më mirë ato që kanë.

Nuk zgjedh nga e fillon, por zgjedh si luan nga aty ku je.

Edhe unë kam ardhur nga asgjëja pa lidhje, pa pasuri, pa përparësi natyrale dhe për vite të tëra isha plot hidhërim duke parë të tjerët të ngjiteshin falë parasë ose njohjeve. Ai hidhërim ishte helm: s’ndryshoi asgjë përveç se më hëngri energjinë.

Dita që pranova se askush s’do vinte të ma bënte të drejtë, askush s’do më jepte avantazh, askush s’do kujdesej për disavantazhet e mia ishte dita që fillova të eci përpara.

Sepse ndalova së kërkuari drejtësi dhe nisa të kërkoj levë.

E vërteta #3: Partnerët romantik nuk të detyrohen me besnikëri, mirëkuptim apo dashuri të pakushtëzuar

Kjo shkatërron iluzionin “disney” me të cilin jemi rritur.

Na kanë ushqyer me idenë e shpirtit binjak dhe dashurisë së përjetshme “nëse të do me të vërtetë, do bënte…”

E vërteta është kjo: çdo person në jetën tënde, përfshirë partnerin, po bën vazhdimisht llogari përfitimi nëse ja vlen të vazhdohet marrëdhënia apo jo.

Nuk të detyrohen me kohë, me durim, me energji emocionale apo besnikëri. Ata i zgjedhin këto. Dhe do vazhdojnë t’i zgjedhin për sa kohë marrëdhënia u sjellë më shumë sesa u merr.

Korniza e re këtu është kalimi nga pritja te shkëmbimi.

Nuk të takon besnikëria, duhet të krijosh një marrëdhënie ku pabesia s’ka kuptim.
Nuk të takon durimi, duhet të sjellësh aq vlerë sa të vlejë ta kenë me ty.

Shumë njerëz (sidomos burra) bëhen të rehatshëm në lidhje. Ndalojnë së rrituri, së kujdesuri për veten, së qeni interesant dhe pastaj habiten pse partneri humbet interesin ose largohet.

“Nuk mundet, kemi X vite bashkë, më detyrohet…”

Jo. Nuk të detyrohet.

Çdo ditë, ose shton vlerë në jetën e partnerit, ose ia merr. Nuk ka neutralitet.

E vërteta #4: Shoqëria nuk të detyrohet me platformë, vëmendje apo njohje

Rrjetet sociale e kanë shtrembëruar këtë plotësisht.

Të gjithë mendojnë se u takon një audiencë, pëlqime, ndjekës, shpërndarje, famë. Se njerëzit “duhet” t’i vlerësojnë idetë apo artin e tyre.

Por e vërteta është: askush s’të detyrohet me vëmendje. Vëmendja fitohet përmes krijimit të vlerës. Dhe vlera përcaktohet nga ata që e marrin, jo nga ti.

Nëse krijon diçka dhe askush s’e vlerëson, tregu po të thotë se ajo s’është mjaftueshëm interesante apo e dobishme. Të zemërohesh për këtë është e kotë.

Duhet të kuptosh çfarë u tërheq njerëzve vëmendjen, çfarë i bën të ndalojnë, çfarë u krijon rezonancë emocionale, çfarë problemesh duan të zgjidhin.

Unë vetë kam kaluar vite duke krijuar gjëra që askush s’i përfillte dhe fajsova algoritmin, publikun, kulturën. Pastaj ndalova së fajësuari dhe nisa të studioj. Kur përputha atë që krijoja me atë që njerëzit kërkonin vërtet, gjithçka ndryshoi.

Nëse do vëmendje, krijo diçka që e meriton atë. Nëse do njohje, krijo punë që e meriton atë.

Askush s’të detyrohet me sukses. Ndërto diçka të pamohueshme ose mbetesh pa u njohur. Këto janë opsionet.

E vërteta #5: Miqtë nuk të detyrohen me kohë, energji apo disponueshmëri emocionale

Miqësitë janë lidhje vullnetare mes njerëzve që përfitojnë reciprokisht. Nuk janë lidhje gjaku, nuk janë kontrata ligjore. Janë zgjedhje që bëhen vazhdimisht nga të dy palët.

Dhe shumica nuk e kuptojnë: miqësitë kanë stinët e tyre.

Nuk të takon që të të kthejnë mesazhet. Nuk të takon të të ftojnë në çdo event.

Nëse miqtë s’janë të disponueshëm, ata po të tregojnë me veprime se marrëdhënia s’është më prioritet. Dhe ti duhet ta pranosh. Duhet t’i lësh të ikin ata që s’duan të qëndrojnë.

Por njëkohësisht, pyet veten: çfarë po sjellë unë në këtë miqësi? A jam unë ai që shfaqem vetëm kur kam nevojë? Ai që gjithmonë ankohet, por s’ndryshon? Ai që thithë energji, jo që e jep?

Sepse askush s’të detyrohet me miqësi. Ata zgjedhin të jenë pranë teje vetëm nëse marrëdhënia u shton diçka.

Unë kam humbur miq sepse isha shumë i zënë duke punuar. Dhe kam larguar miq që më rraskapitnin me negativitet dhe mungesë motivimi. Nuk u detyrohesha më.

Njerëzit ose zgjedhin të jenë në jetën tënde, ose të largohen dhe të dyja janë të vlefshme.

Korniza e madhe: Përdorimi i plotë i përgjegjësisë

E përbashkëta e të gjitha këtyre të vërtetave është kjo:

Kur vërtetë kupton se askush s’të detyrohet me asgjë, ndalon së qeni viktimë e rrethanave dhe bëhesh arkitekti i jetës tënde.

Ndalon së prituri që bota të bëhet e drejtë dhe fillon të lëvizësh me strategji.

“Nuk të detyrohet askush me asgjë” do të thotë edhe “as ti s’i detyrohesh askujt”.

Je i lirë të largohesh nga marrëdhënie që s’të shërbejnë. I lirë të ndjekësh rrugën tënde pa ndjenja faji. I lirë të vësh veten në vend të parë pa pasur nevojë për shpjegime.

Dhe paradoksalisht, kur ndalon së prituri gjëra prej njerëzve, marrëdhëniet përmirësohen. Sepse çdo gjë që merr, është dhuratë e sinqertë, jo detyrim.

Mirënjohja zë vendin e pritjes. Bollëku zë vendin e mungesës. Liria zë vendin e viktimizimit.

Kjo mënyrë të sjellë më shumë paqe, më shumë sukses dhe marrëdhënie më të shëndetshme.

Sepse ndalon së prituri që bota të të jap atë që “e meriton” dhe fillon të ndërtosh vetë atë që mund të fitosh.

Askush s’do vijë të të shpëtoj. Askush s’do ta bëjë të drejtë lojën për ty. Askush s’do të të jap atë që mendon se të takon.

Dhe kur e pranon këtë, bëhesh vërtet i lirë të ndërtosh çdo gjë që do me duart e tua, me përpjekjen tënde, në mënyrën tënde.

Ky është realiteti. Kjo ka qenë gjithmonë loja.