Live Stories from Prishtina

LIVE

4 Nëntor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!

Në “After Life” (2019–2022), një moment i qetë në një stol parku midis Anne (Penelope Wilton) dhe Tony (Ricky Gervais) bëhet diçka e paharrueshme. Ndërsa Anne flet butësisht për lumturinë dhe se si njerëzit e mirë bëjnë gjëra për të tjerët, shpesh pa asnjë shpërblim, fjalët e saj përplasen me një lloj të vërtete të qetë. Nuk është dramatike, por qëndron me ty. Bëhet fjalë për zgjedhjen e mirësisë, edhe kur jeta ndihet e padurueshme, e rëndë.

Kjo i dashur lexues, do të thotë se të mbjellësh një pemë nën hijen e së cilës nuk do të ulesh kurrë, vetëm sepse është gjëja e duhur për të bërë, është mësim jetësor.

Po çka është duke ndodhur në Shqipëri?

Gjykata Kushtetuese i dha dritën jeshile Erion Veliajt për të qëndruar në karrigen e tij në Bashkinë e Tiranës, të paktën për tani.

Me një vendim 5 me 3, gjyqtarët rrëzuan vendimin e Qeverisë që e kishte shkarkuar dhe fshinë edhe dekretin e Presidentit që kishte caktuar datën e zgjedhjeve të reja.

Me fjalë të tjera: fushata elektorale për kryetar të ri mund të pres, ndërsa Veliaj mund të vazhdojë punën e tij të përditshme për “Tiranën që ecën përpara”.

Gjyqtarët që i dhanë “po-në” Veliajt ishin Marjana Semini, Ilir Toska, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Fjona Papajorgji ndërsa Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi mbetën në anën tjetër të tavolinës.

Në thelb, Gjykata tha se Veliaj nuk është njoftuar siç duhet për procesin e shkarkimit dhe se Këshilli i Ministrave nuk e ka justifikuar mjaftueshëm pse ai duhej të largohej.

Me fjalë më të buta ligjore: procedura s’ka qenë “proces i rregullt”. Me fjalë më të thjeshta: nuk i kanë dërguar ftesën siç duhet.

Në fund, vendimi shfuqizon si shkarkimin, ashtu edhe dekretin për zgjedhje të reja. Me këtë, Erion Veliaj del përsëri fitues nga një betejë tjetër ligjore, duke e shtuar edhe një “mandat gjyqësor” në listën e arritjeve të tij.

Tirana si duket do të vazhdojë të ketë të njëjtin kryetar dhe një tjetër rast për t’u kujtuar, se në Shqipëri shpesh është më e lehtë të fitosh në gjykatë sesa në zgjedhje.

***

SPAK ka vendosur t’i jap verës një shije më të fortë, duke nisur hetimet për gjashtë zyrtarë mes tyre edhe zv.kryeministren Belinda Balluku për tenderët e tunelit të famshëm të Llogarasë. Tuneli, që pritej të hapte rrugën për pushime më të shpejta në jug, tani duket se po hap një tjetër rrugë: atë të dosjeve penale.

Gazetarja Anila Hoxha mbrëmë në Top Story sqaroi se “radha e dosjeve në SPAK nuk dihet kurrë”. Me fjalë të tjera, edhe vetë prokurorët duket se po ndjekin filozofinë “së pari, kush bie në mend”. Megjithatë, ajo paralajmëroi se “do ketë sërish rezultate” sepse duket se tenderat janë burim i pashtershëm frymëzimi për drejtësinë shqiptare.

***

Me letra të harxhimeve del e para; Partia Demokratike ka harxhuar më shumë se Partia Socialiste të paktën në letër, në vota ende jo.

KQZ tha se PD-ja ka shpenzuar mbi 213 milionë lekë, ndërsa PS-ja “vetëm” 169 milionë.

Pjesa më e majme e buxhetit të demokratëve ka shkuar për konsulentin amerikan, Chris LaCivita i cili ka marrë rreth 1.4 milionë euro për t’u përpjekur t’i mësojë opozitës si fitohet një zgjedhje.

Nëse rezultati final nuk i kënaqi, ndoshta fatura do t’i kënaqë.

PD-ja ka edhe 13 milionë lekë borxhe të papaguara, ndërsa PS-ja del më “kursimtare”, me vetëm 9.8 milionë lekë dhurata në natyrë, që me gjasë përkthehen në postera, bilbila dhe ndonjë autobus simpatizantësh.

Njëra parti menaxhoi fondet, tjetra menaxhoi shpresat dhe në fund, si gjithmonë, fushata doli më e shtrenjtë se rezultati.

***

Nëse do ta shihnim Shqipërinë sot përmes syve të Anne-s nga “After Life”, ndoshta do ta kuptonim se edhe këtu, mes vendimeve gjyqësore, tenderëve dhe faturave të fushatave, mirësia mbetet zgjedhje personale. Ligjet, pushteti dhe paratë mund të ndryshojnë duar, por ndjenja për të bërë gjënë e duhur pa llogari e pa fitim të menjëhershëm është ajo që i jep kuptim çdo gjëje tjetër. Por sa e kemi këtë në gjak ne shqiptarët?