Po, shumë njerëz në Prishtinë, në mëngjes marrin autobusin e qytetit për në rrugën deri tek vendi ku punojnë, marrin frymë në ajrin që ndotet nga trafiku i përditshëm, shpenzojnë në lokalet e tij, në markete e kafene, paguajnë qiranë dhe në një mënyrë kontribuojnë në zhvillim lokal të kryeqytetit.
Jeta e tyre, ndoashta edhe e jotja që je duke na lexuar, pjesërisht edhe e imja që po shkruaj, pra jeta e përditshme është e lidhur ngushtë me rrugët e kryeqytetit, me problemet e tij, me ritmin e tij. Por kur vjen dita e zgjedhjeve lokale, rezidentët e pa regjistruar hipin në makinë dhe udhëtojnë drejt qytetit ku kanë lindur, për ta hedhur votën atje.
Ligjërisht, kjo mund të jetë e drejtë. Emri ynë figuron ende në listat e atij qyteti. Atje mund të kemi pronën, prindërit, kujtimet e fëmijërisë dhe ndoshta një lidhje emocionale që nuk shuhet lehtë. Por pyetja që lind natyrshëm është: a është e drejtë që për fatin e një komune të vendosin njerëz që nuk jetojnë më aty, që nuk përballen me pasojat e përditshme të vendimeve të saj?
Një demokraci që nuk pasqyron realitetin demografik
Në shumë qytete, kjo praktikë ka krijuar një pabarazi të heshtur. Votuesit “emigrues”, ata që jetojnë diku tjetër, por votojnë në vendlindje mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve lokale pa qenë pjesë reale e jetës së përditshme të atij vendi. Ndërkohë, qytetarët që jetojnë e kontribuojnë çdo ditë në komunën ku banojnë realisht, shpesh nuk kanë mundësi ligjore për të ndikuar në qeverisjen e saj, nëse nuk kanë ndryshuar zyrtarisht vendbanimin.
Kështu, krijohet një boshllëk midis demokracisë ligjore dhe demokracisë reale. Në letër, sistemi funksionon. Në praktikë, ai nuk përfaqëson drejt qytetarët që mbajnë gjallë jetën e qyteteve tona.
Është e kuptueshme që shumë njerëz ndihen të lidhur me vendlindjen e tyre. Nostalgjia është ndjenjë e fortë dhe shpesh e ndershme. Por vota nuk është një akt sentimental, vota më shumë është instrument politik dhe qytetari që përcakton mënyrën si menaxhohet jeta e përditshme.
Ti mund t’i njohësh të gjithë asambleistët e komunës ku je rritur, por ti nuk ndanë përditshmërinë tënde me ta. Sipas ligjit, buxheti komunal në Kosovë, ndahet për kokë banori të atij qyteti, por paratë e ndara për ty që tashmë jeton në kryeqytet, shpenzohen për diçka që ti nuk e jetëson, e të njëjtat nuk të vijnë si pasojë në kryeqytetin ku jeton.
Një rrugë që nuk riparohet, një shkollë që nuk financohet, një shërbim publik që dështon janë pasoja që i ndjenë ai që jeton aty çdo ditë, jo ai që e viziton vetëm për festa.
Prandaj, në vend që ta kuptojmë votën si një “nderim” për vendlindjen, ndoshta është koha ta shohim si një përgjegjësi ndaj komunitetit ku jetojmë realisht.
Ligji për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin ekziston pikërisht për ta bërë më të saktë këtë ndarje. Ai obligon çdo qytetar që ndryshon vendbanimin qoftë brenda apo jashtë vendit ta njoftojë institucionin përkatës. Por në praktikë, ky ligj shpesh mbetet formalitet në letër.
Nëse do të zbatohej me përpikmëri, ai do të ndihmonte jo vetëm në pasqyrimin real të popullsisë, por edhe në ndërtimin e një demokracie lokale më të drejtë. Komunat do ta dinin më qartë se sa banorë kanë në të vërtetë, ku duhen orientuar shërbimet publike, infrastruktura, planifikimi urban dhe buxheti. Për më tepër, do të zvogëlohej edhe ndikimi artificial i votës “nga jashtë”.
Pyetja që mbetet është thelbësore: a duam të jetojmë në një sistem që i përmbahet vetëm ligjit formal, apo në një sistem që pasqyron jetën reale të qytetarëve?
Demokracia lokale nuk duhet të jetë peng i nostalgjisë, por pasqyrë e përditshmërisë sonë. Sepse aty ku jetojmë, ku punojmë, ku rrisim fëmijët dhe ku përballemi me vendimet e pushtetit aty duhet të dëgjohet edhe zëri ynë përmes votës.
