Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Nëntor, 2025

Ndërsa po eksploronin një shpellë me squfur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, shkencëtarët nga Shoqëria Speleologjike Çeke zbuluan rrjetën më të madhe të merimangës që është regjistruar ndonjëherë.

Kjo “megacity” gjigante, që shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 97 metra katrorë gati gjysma e madhësisë së një fushe tenisi është shtëpi për rreth 111,000 merimanga të specieve Tegenaria domestica dhe Prinerigone vagans, sipas një studimi nga një grup i veçantë studiuesish. Sipas autorëve të studimit, kjo është hera e parë e dokumentuar që këto dy specie ndërtojnë rrjeta së bashku. Studimi është publikuar së fundmi në revistën Subterranean Biology.

Shpellat me squfur janë ndër habitatet më ekstreme në Tokë. Ato janë krejtësisht të errëta dhe të mbushura me gaz sulfid hidrogjeni, i cili është toksik për shumicën e formave të jetës. Brenda tyre, mbijetesa e specieve varet nga reaksione kimike të nxitura nga mikrobet që oksidojnë squfurin. Këto mikroorganizma përbëjnë bazën e një zinxhiri të veçantë ushqimor që mbanë gjallë një komunitet organizmash që jetojnë në shpella.

Për të kuptuar se si merimangat mbijetojnë në këtë mjedis, ekipi analizoi gjurmët kimike në indet e tyre dhe zbuloi se ato ushqehen me mushkonja të vogla që çelin nga pishinat brenda shpellës. Këto mushkonja, nga ana tjetër, varen nga mikrobet që oksidojnë squfurin si burimin e tyre kryesor ushqimor.

Analizat gjenetike treguan se merimangat që jetojnë në shpellë po dallohen gjithnjë e më shumë nga popullatat e së njëjtës specie që jetojnë jashtë, duke sugjeruar se ato po përshtaten me jetën nëntokësore. Studiuesit besojnë se ky izolim gjenetik, së bashku me furnizimin e qëndrueshëm dhe të bollshëm me ushqim, mund të ketë shtyrë këto specie që kurrë më parë nuk janë parë të formojnë koloni të zhvillojnë sjellje koloniale.

Zbulimi i ri “tregon se natyra ende fshehë shumë surpriza për ne,” thotë bashkautori i studimit Urák István nga Universiteti Hungarez i Transilvanisë Sapientia në Rumani.