Live Stories from Prishtina

LIVE

11 Nëntor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!

Në Japoni kur je sëmurë doktorët të thonë dil dhe ec në mal. Në Zvicër të thonë dil dhe merr diell. Në British Columbia, mjekët përshkruajnë bileta për të vizituar parkun natyror për ata që vuajnë nga sëmundje mendore, pra shpëtimi është tek natyra. Pyetja e ditës së sotme është: pse nuk kujdesemi më shumë për gjërat që na bëjnë mirë?

Çka po ndodhë n’Shqipëri?

Në Shqipëri, zjarret mund të jenë simbolikë veçanërisht kur digjen institucionet nga brenda, jo nga flakët. Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese kërkoi për të tretin vit radhazi 2 milionë lekë për mbrojtjen nga zjarri, duke paralajmëruar Komisionin e Ligjeve se “nëse digjemi ne, digjeni edhe ju.”

Një metaforë e bukur për solidaritet institucional ose ndoshta një mënyrë elegante për të thënë “na jepni buxhetin, përndryshe e marrim me vete gjithë lagjen.”

Ndërkohë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) është kapur me një “sekret” që nuk dihet nëse është i vërtetë apo i klasifikuar, apo të dyja bashkë. Sipas dokumenteve, KED kishte marrë informacion për kandidatin Asim Vokshi lidhur me kontakte me shërbime inteligjente, por vendosi ta injorojë.

Pastaj, kur u pyet nga mediat tha se lajmet janë “të pavërteta” por “sekrete”. Kjo është si të thuash se UFO-t nuk ekzistojnë, por megjithatë nuk mund të flasim për to sepse janë konfidenciale.

Në përpjekje për të ruajtur seriozitetin, KED fajësoi median për nxjerrjen e informacionit, një traditë e hershme shtetërore që thotë: “mos u shqetësoni për çfarë kemi bërë, por për faktin që dikush e mori vesh.”

Asim Vokshi është gjyqtari i Gjykatës së Lartë që kaloi fazën e parë të kandidimit për vakancën në Gjykatën Kushtetuese nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Nga Italia lajmet vijnë më të thjeshta, një 21-vjeçar shqiptar u arrestua me 6 kilogramë kokainë në makinën e tij. Në këtë rast, të paktën askush nuk pretendoi se kokaina ishte “informacion i klasifikuar.”

Dhe për ta mbyllur me klasikët e politikës, ish-kryeministri Sali Berisha është ftuar nga SPAK-u për të dëshmuar për 21 janarin, një ngjarje që e ndjekë si hije prej më shumë se një dekade. Me premtimin e tij se “në çdo fletëthirrje unë paraqitem”, Berisha po e trajton SPAK-un si një takim pune me orar fiks, ndërsa ish-ministri Basha tashmë ka dhënë shembullin duke u paraqitur me “bindje ligjore.”

Në fund të ditës, në këtë vend ku gjithçka është ose “sekrete”, ose “në hetim”, ose “nuk ka buxhet”, i vetmi sistem që funksionon pa ndërprerje duket të jetë ai i ironisë kombëtare  dhe ai s’ka nevojë për shtesë buxheti.