Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Nëntor, 2025

Robert De Niro në një film ndërkombëtar për masakrën e Reçakut dhe luftën në Kosovë.

Një film ndërkombëtar që do të trajtojë ngjarjet e luftës në Kosovë pritet të mbledhë emra të mëdhenj të Hollivudit, përfshirë legjendën e kinemasë, Robert De Niro.

Lajmin e ka bërë të ditur producenti kosovar Fitim Krasniqi, i cili prej vitesh krijon filma për tregun ndërkombëtar. Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, Krasniqi ka konfirmuar se Robert De Niro do të interpretoj rolin e babait të tij, një histori që lidhet drejtpërdrejtë me tragjedinë e masakrës së Reçakut.

“Është historia e babait tim dhe e masakrës së Reçakut, dhe e gjithë luftës që ndodhi në Kosovë nga fillimi deri në fund”, ka deklaruar producenti me emocion.

Ai ka ndarë publikisht rrëfimin e dhimbshëm për fatin e të atit, i cili gjatë luftës u plagos dhe më pas u dogj i gjallë. Kjo histori personale do të shndërrohet tani në një film me mesazh të fuqishëm njerëzor, që synon të sjellë në kujtesë dhimbjen dhe rezistencën e popullit të Kosovës.

Krasniqi gjithashtu ka bërë të ditur se në projekt do të marrin pjesë 71 aktorë nga Hollivudi dhe se të gjitha kontratat janë tashmë të nënshkruara. Ai konfirmoi se Robert De Niro ka pranuar zyrtarisht rolin kryesor.

Xhirimet e filmit pritet të nisin vitin e ardhshëm, pasi fillimisht ishin planifikuar të zhvilloheshin këtë vit, por janë shtyrë për arsye organizative.

Ky projekt pritet të jetë një nga prodhimet më të mëdha ndërkombëtare që trajton luftën në Kosovë, duke sjellë historinë e Reçakut dhe realitetin e atyre viteve tragjike në qendër të kinemasë botërore.

Ky nuk është plani i vetëm i Krasniqit. Aktualisht, në Kosovë është duke u xhiruar filmi horror “The Sixth”, me regji nga Michael Caissie dhe producentët Clayton Turnage, Fitim Krasniqi dhe Fahri Krasniqi.

Filmi po xhirohet tërësisht në Kosovë, duke përfshirë lokacione ikonike si Trepça, Prishtina dhe Shpella e Gadimes.
Ky projekt ambicioz, që realizohet nga Kras Production në bashkëprodhim me një ekip nga Hollivudi, synon të promovojë bukuritë natyrore dhe potencialin filmik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“The Sixth” është projekti i katërt i vëllezërve Fitim dhe Fahri Krasniqi, të cilët jetojnë në SHBA dhe po kontribuojnë në zhvillimin e industrisë filmike vendore, duke sjellë produksione të nivelit botëror në Kosovë.

Ky angazhim i tyre, së bashku me filmin për Reçakun, pritet të jetë një hap i rëndësishëm për vendosjen e Kosovës në hartën e kinemasë botërore, duke dëshmuar se vendi ynë ofron lokacione unike, histori të fuqishme dhe bashkëpunime profesionale me emra të mëdhenj të kinemasë.