Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Nëntor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës së djeshme me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Shqipërinë tonë. Paper ndanë me ty!

I dashur lexues, më lejo të jem e sinqertë me ty në këtë ditë me shi: Mëso kush je. Ç’mëso atë që të kanë thënë të jesh. Kur fillon ta mësosh, mund të ndjehet si një lloj lëshimi. Si të shkatërrosh diqka që është ndërtuar nga shumë duar, por jo nga të tuat.

Çka po ndodhë në Shqipëri këto ditë?

Të hënën, Shqipëria hapi grupkapitujt e fundit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian: “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, të prezantuar në konferencën e shtatë ndërqeveritare në Bruksel.

Ndërsa për shumëkë këta tingëllojnë si kapitujt më të mërzitshëm të një libri voluminoz, për Shqipërinë janë hapi i radhës drejt një ëndrre që zgjatet prej vitesh.

Rama u shpreh i vendosur se Shqipëria do të vazhdojë “me të njëjtin intensitet dhe disiplinë”, duke siguruar se procesi i përbashkët i ndërtuar me partnerët në Bruksel “të mos ndalet”, sepse nëse ndalet askush nuk e di sa kohë do të duhet derisa dikush ta shtyjë sërish përpara.

Nga ana e saj, komisionerja Marta Kos e vlerësoi punën e Shqipërisë, duke thënë se hapja e grupkapitujve të fundit është rezultat i reformave të kryera. “Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE. Suksesi është i Shqipërisë”, tha Kos, në atë stilin e mirënjohur diplomatik që të bën optimist, por jo aq sa të prenotosh festën e anëtarësimit.

Shqipëria mori statusin kandidat në vitin 2014 dhe nisi zyrtarisht negociatat në vitin 2022. Konferenca e së hënës shënon përmbylljen e ciklit të hapjes së gjashtë grupkapitujve dhe, në teori, hapë rrugën që pjesa teknike të mbyllet deri në vitin 2027. Pas kësaj, vjen faza politike, e cila kërkon miratimin e të gjitha 27 parlamenteve të BE-së, një maratonë më vete.

BE-ja shprehet optimiste se Shqipëria mund ta mbyllë procesin deri në vitin 2030, ndërsa Rama e ka kthyer integrimin në prioritetin kryesor të mandatit të tij të katërt. Ndërkohë, Mali i Zi shihet si konkurrenti më i afërt në këtë garë ballkanike, ndërsa vendet e tjera mbeten pak më prapa.

****

Në Tiranë u mbajt dje një protestë e thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha, një tjetër përpjekje e opozitës për të rikthyer presionin ndaj qeverisë në rrugë.

Qëllimi i protestës ishte të shprehte pakënaqësinë ndaj qeverisë së Edi Ramës, me akuzat e njohura për manipulim zgjedhjesh, korrupsion dhe “narkoshtet”, ndërsa Berisha kërkon që qytetarët të reagojnë për atë që ai e quan shpërfillje të votës dhe dështime të qeverisë në ekonomi.

Por atmosfera nisi të “ngrohej” shumë përpara se protesta të fillonte. Rreth shtatë orë më herët, godina e Kryeministrisë u blindua nga e para te e fundit, sikur po priste një përplasje titanësh dhe jo një tubim politik.

Dyert u siguruan me masa shtesë, ndërsa instalacioni i kërpudhës u hoq me kujdes, që të mos përfundonte si viktimë arti siç ka ndodhur në protestat e kaluara.

Përderisa prej të tjerëve grupimi i protestuesve u krahasu me shoqatë, gjithçka mbaroi pa asnjë incident.

***

Mos u përkul, mos u përshtat për situata, mos u përpiq të bësh më të arsyeshme, mos redakto shpirtin tënd sipas trendeve të fundit. Përkundrazi, ndiqi me mëshirë të pamëshirshme obsesionet e tua  – Kafka