Dje n’Kosovë
21 Nëntor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Si e hapa telefonin, më doli karikatura e Jeton Mikullovcit, ku ishte vizualizuar një babadimër me një dhuratë në dorë, e cila i dhurohet qytetarëve. Dhurata e babadimrit mbante mbishkrimin “zgjedhje”, e cila tregon për vendimin që u marrë dje nga presidentja e vendit për datën e zgjedhjeve, 28 dhjetor, që i bjen, qysh po thotë edhe Urani (i Pak ma drejt), në Vigjilje të Vitit të Ri.
Pas shtatë muajsh “punë intensive” legjislatura e nëntë vendosi të mbyllë dyert me po aq efekt sa i hapi, zero. Mjeshtërit tonë të artit të mosvendimmarrjes, u pajtuan për datën që e shkrova më lartë.
S’është që as në këtë takim nuk u shtyen, kush e do datën e zgjedhjeve më herët? Opozita kërkonte 21 dhjetorin se me sa duket, pas shtatë muajsh ngecje, papritmas u kujtua urgjenca kombëtare.
Ndërkohë, LVV, Guxo dhe Alternativa preferuan 28 dhjetorin, një datë më e relaksuar, që sipas tyre i ndihmon edhe mërgatës, pse jo more, pse mos me nejt t’u numëru për zgjedhje.
Osmani vendosi për 28 dhjetorin, duke thënë se 21-shi e lodhte KQZ-në dhe 4 janari s’kishte buxhet, ndërsa akuzat për favorizim ndaj LVV-së i quajti thjeshtë fantazi festive. Kurti e përshëndeti vendimin, ndërsa pjesa tjetër e spektrit politik vazhdoi të numëroj ditët e humbura, javët e humbura dhe… votat e humbura.
Kështu Kosova hyn në zgjedhjet e treta brenda një viti, pa buxhet të ri, pa marrëveshje ndërkombëtare të miratuara dhe pa një Qeveri të re, por me shumë energji për debate rreth një date. Ironikisht, kur s’po mundemi të vendosim çfarë bëjmë, të paktën po vendosim kur do të votojmë që ta vendosim.
***
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur me pesë vota ta shkarkojë ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, vetëm një ditë pasi ai u intervistua nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Në vend të tij është emëruar përkohësisht Agron Qalaj.
Kelmendi e quajti shkarkimin një “plan të organizuar kundër tij”, duke akuzuar disa anëtarë të KPK-së se po tentojnë të vendosin në krye të institucionit një njeri “të interesave të tyre”. Ai mohoi raportimet se ishte bashkëpunëtor i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq, duke thënë se gjatë luftës ka ndihmuar IKD-në dhe mediat me dokumente për të dëshmuar krimet serbe.
Shkarkimi u propozua nga zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, e cila tha se Kelmendi “nuk përfaqëson më unitetin e sistemit prokurorial”. Debati mes tyre u tensionua, me akuza për plane, ndikime dhe konflikt interesi.
Ndërkohë, pesë anëtarë të tjerë të KPK-së braktisën mbledhjen, duke e cilësuar procesin të paligjshëm, pasi sipas tyre vendimi u mor pa kuorum dhe rrjedhimisht, “nuk ka asnjë efekt juridik”. Ata akuzuan kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se qëndron pas “puçit institucional” për të marrë kontrollin e Prokurorisë së Shtetit.
Këta anëtarë kërkuan ndërhyrjen e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për të vlerësuar shkeljet, duke paralajmëruar se situata ka implikime serioze për sundimin e ligjit në vend.
****
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kritikuar ashpër shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, duke thënë se ky veprim dëmton reformën e domosdoshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit.
Sipas BE-së, vendimi jo vetëm që bie ndesh me përgjegjësinë ndaj qytetarëve, por edhe minon përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
***
I dashur lexues, a e di që akti më i nënvlerësuar, më i marrë për të mirëqenë, është kur dikush di t’i lë njerëzit ashtu siç janë. Kur e lë dikë ta shqiptoj keq atë fjalën, ose kur emocionohesh për diçka që e dëgjon e nuk e ke ditë më parë. Por kushdo që e ka si veti, vazhon të cilësohet si ashtu duhet të ishte. <3
