Fakte abstrakte / foto: pinterest: movie “beautiful mind”
21 Nëntor, 2025
Ka një lloj dhimbjeje që nuk duket si dhimbje fare. S’ka shpërthime emocionale. S’ka drama. S’ka plagë të dukshme.
Vetëm një njeri që duket pak më i rezervuar, pak më mendueshëm, pak më i vetëdijshëm për çdo fjalë që thotë, çdo gjest që bën, çdo frymëmarrje që merr.
Është diçka që unë do ta quaja: vetëdije toksike.
Kur aftësia për t’i vëzhguar ndjenjat e tua kthehet në armën që të gërryen pa u vënë re. Shumë njerëz të ndjeshëm, introvertë, analitikë, krijues, njerëz që i përjetojnë gjërat thellë futen në këtë kurthë pa e kuptuar fare. Sepse ata ndiejnë gjithçka. Edhe gjënë më të vogël. Një ndryshim në ton, një vështrim i lëvizur, tensioni në një dhomë që askush s’e ndjenë.
Dhe askush nuk të paralajmëron se sa më shumë vetëdije të kesh… aq më shumë fillon ta kthesh atë kundër vetes.
Fillon qetë. Vëren hollësitë. E analizon veten.
Mendon për qëllimet e tua, gabimet, fjalët që duhet të mos i kishe thënë, reagimet që kishin mundur të jenë më të buta.
Në fillim, duket pjekuri. Duket inteligjencë emocionale.
Madje në vend si Kosova, ku shpesh pritjet janë të çuditshme, na duan të fortë, të qetë, të matur, vetëdija shihet si përparësi.
Por ngadalë, në heshtje… bëhet burg.
Sepse kur bëhesh tepër i vetëdijshëm, nuk e vëren thjesht veten, e monitoron veten. Pa pushim. Çdo mendim. Çdo dobësi. Çdo ndjenjë.
Brenda teje, nuk jeton më në një shtëpi të qetë. Jeton në një sallë gjyqi.
Dhe gjykatësi je vetë.
Dënon veten për gjëra që të tjerët i harrojnë për 30 sekonda. Për atë moment të ngathët. Për atë fjali tre javë më parë. Për atë kufi që s’e vendose. Për atë ton që “nuk ishte perfekt”.
Dhe më e keqja?
E rishfaq në mendje. Dhjetëra herë. Jo për të kuptuar, por për t’u fajësuar. Më pastaj fillon të ecësh si mbi vezë, jo vetëm rreth të tjerëve, por rreth vetes.
Në një vend ku njerëzit shpesh të lexojnë gabim, ku një qeshje nervoze ose një “hajt se s’ka problem” mund të keqkuptohen krejt, ti fillon të editosh veten. E shtrëngon veten të dukesh siç pritet. Të mos lëndosh askënd. Të mos zhgënjesh askënd.
Por në atë proces, humbet diçka prej vetes.
Kjo është vetëdija toksike. Të bind se gabimet e tua janë katastrofa. Të bind se duhet të jesh i përkryer që të pranohesh.
Dhe ngadalë, bëhesh edhe i burgosuri, edhe rojtari.
Aty vritet ngadalë vetëbesimi yt
Jo me zë të lartë. Jo me vetë-urrejtje. Por me vetë-dyshim të heshtur.
A jam shumë? A jam pak? A jam shumë emocional/e? A jam tepër i qetë? A jam i bezdisshëm? A po e teproj?
Dhe papritmas fillon të zvogëlohesh. Të mos kërkosh shumë.
Të mos flasësh shumë. Të mos shfaqësh shumë.
Sepse ideja se mund ta zhgënjesh dikë të dhemb më shumë se çdo gjë.
Në marrëdhënie, kjo të vret ngadalë. Jo sepse nuk kujdesesh, por sepse kujdesesh tepër.
Analizon heshtjet. Mikromenaxhon çdo bisedë. Frikësohesh t’i kërkosh dikujt diçka. Frikësohesh të dukesh “shumë”.
Bëhesh ai personi që nuk kërkon kurrë ndihmë, partneri që nuk flet për nevojat e tij, miku që thotë “po, po jam mirë” edhe kur s’është.
Vetëdija toksike të mëson një gënjeshtër të rrezikshme: Nevojat e tua janë bezdi. Dhe kështu i gëlltitë të gjitha. Dhimbjet, dyshimet, emocionet. E quan “pjekuri”. Por të lë tmerrësisht vetëm.
Pika më ironike?
E kthen urtësinë tënde në vetë-sabotim. E dyshon veten. E dyshon talentin tënd. E dyshon ëndrrën tënde.
Sa herë ka ndodhur edhe te ne këtu një mundësi vjen dhe ti ndalesh vetëm: Po sikur të dështoj? Po sikur të dal keq? Po sikur t’i zhgënjejë të gjithë?
Dhe për të mos u refuzuar nga bota… e refuzon veten vetë.
Kjo është mizoria e vetëdijes toksike: je aq i vetëdijshëm për gjithçka që mund të shkojë keq, sa nuk e lejon më veten të shkojë drejt asaj që mund të shkoj mirë.
Të ndjeshmit bien më shpesh në këtë kurthë
Jo sepse janë të dobët. Por sepse ndiejnë shumë. Mendojnë shumë. Kuptojnë shumë.
Dhe askush nuk e sheh dhimbjen e tyre.
Por brenda tyre, ka stuhi që askush s’i dëgjon.
E vërteta?
Ti nuk ke nevojë të jesh perfekt. Nuk ke nevojë ta monitorosh veten 24 orë në ditë. Nuk ke nevojë të jesh i qetë, i matur, i ekuilibruar non-stop.
Ke nevojë për një vend ku mund të jesh i çrregullt. Për njerëz që të lejojnë të mos jesh i përkryer. Për momente ku nuk e analizon veten përpara se të buzëqeshësh, flasësh, qeshësh.
Ke nevojë për një jetë ku ti je shtëpi. Jo ankth. Jo sallë gjyqi. Jo terren i minuar me “çka nëse”.
Nëse ky tekst të dha ndjesinë e një frymëmarrjeje të thellë,
atëherë dije se nuk je vetëm.
Ka shumë si ti. Unë jam një prej tyre.
Njerëz që mendojnë thellë, ndiejnë fort, kujdesen shumë. Njerëz që menduan se vetëdija ishte çelësi i paqes… derisa e kuptuan se edhe ajo, kur është e tepërt, të mbyllë brenda vetes.
Dhe nëse askush s’ta ka thënë kohëve të fundit:
Të shoh. Të kuptoj dhe nuk je aspak vetëm.
