Sot festojmë, përqafemi, i gëzohemi çdo beteje ditore të fituar e të humbur që na solli këtë ditë. 28 Nëntori mbetet data më domethënëse e historisë shqiptare, jo vetëm për faktin që më 1912 në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, por edhe sepse në këtë ditë, dekada më vonë, do të lindte dhe do të vepronte një prej figurave më emblematike të luftës për liri në Kosovë, komandanti legjendar Adem Jashari.
Kjo datë bashkon dy epoka, dy beteja dhe dy gjenerata që, ndonëse të ndara nga koha, kishin të njëjtin ideal: lirinë shqiptare.
Më 28 nëntor 1912, përfaqësues nga të gjitha vilajetet shqiptare u mblodhën në Vlorë dhe shpallën Pavarësinë e shtetit shqiptar, duke i dhënë fund sundimit osman. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, me qeverinë e tij të parë, hodhi themelet e shtetit të ri ngriti administratën, forcat e armatosura, sistemin gjyqësor sipas modeleve evropiane dhe vendosi gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare.
Megjithëse kjo qeveri pati një jetë të shkurtër, ajo vendosi gurët e parë të shtetësisë shqiptare.
Por liria erdhi me një çmim të lartë: luftërat ballkanike dhe vendimet e Konferencës së Londrës copëtuan gjysmën e territoreve shqiptare dhe lanë gjysmën e popullsisë nën sundim të huaj.
Pikërisht në këto territore të shkëputura, dekada më vonë do të lindte më 28 nëntor 1955 Adem Jashari simboli i rezistencës së Kosovës.
Që nga vitet ’90, kur institucionet e Kosovës u shuan me dhunë, ai u rreshtua ndër të parët që morën rrugën e organizimit të armatosur. Pas shumë aksioneve të para ilegale, beteja e Rezallës së Re në nëntor 1997 shënoi fitoren e parë të UÇK-së, duke i treguar botës se populli i shtypur i Kosovës nuk do të dorëzohej.
Rezistenca arriti kulmin me Epopejën e Prekazit, më 5–7 mars 1998, kur shtëpia e Jasharëve u rrethua nga forcat serbe dhe Adem Jashari, së bashku me familjen, u flijua për lirinë e Kosovës.
Sakrifica e tij mbetet një nga aktet më të fuqishme të historisë moderne shqiptare, aq sa vetë Bernard Kouchner ka thënë se po të ekzistonte një Çmim Nobel për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit.
28 Nëntori lidhet fuqishëm edhe me daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, në Llaushë, ku Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi u shfaqën për herë të parë para opinionit, pas vrasjes së mësuesit Halit Geci.
Ky është kuptimi i të 28-it për ne, një vijë e kuqe që përshkon shekujt, duke lidhur shpalljen e Pavarësisë në Vlorë me sakrificën e Adem Jasharit dhe daljen në skenë të UÇK-së. Një ditë që kujton se liria as nuk dhurohet, as nuk harrohet ajo fitohet dhe mbrohet nga brezi në brez.
