Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Dhjetor, 2025

Nuk i njeh dhe në një mënyrë të çuditshme… kjo e bën gjithçka edhe më të ndjeshme.

Fjalën “sonder” e dëgjova për herë të parë nga një burrë në TikTok në vitin 2020, një lloj orakulli i paimagjinueshëm, por ai po qante, dhe unë po e dëgjoja.

Ai e lexoi përkufizimin për “sonder” sikur sapo e kishte ndjerë, kuptim ky se secili kalimtar i rastësishëm po jeton një jetë po aq të gjallë dhe të ndërlikuar sa e jotja. Një artikull të veçantë për “Sonder” e shkrova në korrik të këtij viti.

M’u ndal “skrollimi”. Diçka brenda meje u bë e butë, e dhimbshme. Nuk munda ta hiqja nga mendja. Sikur ajo fjalë i dha emër një ndjesie që e kam mbajtur gjithmonë, por s’kam ditur si ta shpreh. Ishte si të ma drejtonte dikush një elektrik drejt qosheve të errëta të vizionit tim, duke më zbuluar një botë që gjithmonë e kisha ndjerë që ekzistonte.

Papritur, gruaja që ecte me nxitim në garazh nuk ishte thjeshtë me vonesë, ajo po mbante diçka brenda vetes. Barmeni që më dorëzoi kafenë nuk ishte vetëm i lodhur, ai ishte në mes të diçkaje të madhe, ose të vështirë, ose të brishtë. Çdo njeri që takoja filloi të më dukej si një roman që kurrë s’do kem mundësi ta lexoj.

Ka një lloj torturimi të lehtë  në të kuptuarit se shumicën e njerëzve nuk do t’i njohësh kurrë thellë.

Nuk do të shohësh ritualet e vogla që i mbajnë gjallë. Nuk do të dëgjosh ato që thonë me zë të ulët kur janë vetëm në makinë. Nuk do të dish nëse e duan shiun e të martës, apo flenë me njërën këmbë jashtë jorganit, apo kush u ka mësuar për herë të parë si të jenë të sjellshëm.

Është e bukur, por në atë mënyrën që të dhemb. Edhe pak tragjike.

Të gjitha këto jetë të plota, të ndërlikuara, që prekin njëra-tjetrën për një çast në trotuare, ashensorë, stacione të naftës e benzines e pastaj zhduken përgjithmonë në rrjedhën e mundësive që nuk u bën kurrë.

E megjithatë, tani po shikoj pak më gjatë. Mbajë kontaktin me sy një çast më shumë se më parë. Jo në mënyrë të çuditshme (uroj që nuk shkaktoj siklet), por me atë kurreshtjen e heshtur që pyet: Kush je ti kur askush nuk të sheh? Por, nuk janë vetëm të huajt. Është edhe motra ime.

Flasim pothuajse çdo ditë, por ndonjëherë më pushton papritur fakti me të vërtetë se ajo ka një botë të brendshme ku unë s’do hyjë kurrë plotësisht.

Ka mendimet e veta që i përsërit në dush.

Ka njerëzit e vet që e kanë bërë të qeshë atë javë.

Ka shqetësime që ndoshta s’i thotë sepse i duken shumë të mëdha, ose shumë të vogla.

Ne vijmë nga e njëjta familje, por ajo ka ndërtuar një jetë me nuanca, detaje, personazhe anësorë… që unë s’i njoh.

E ndjejë edhe në punë.

Mbyllim biseden në whatsapp dhe kthehemi në jetët tona paralele: familjes, universitetit (ajo), qenit-macës (ajo), tavolina të rrëmuara, plane darke, gëzime, lodhje, humbje.

Të hënat tona online prekin vetëm sipërfaqen.

Ne jemi si “ajsbergë”, tregojmë vetëm majën e akullit.

Edhe shoqet më të afërta, ato që më kanë parë duke qarë si kalama dhe duke ngrënë makarona nga të njëjtat pijata me to, edhe për ato nuk e di se si ndihet jeta e tyre nga brenda.

Nuk di çfarë ëndërronin mbrëmë.

Cilat kujtime u dridhin zemrën ose atë qoshin palidhje në mendje.

Cilat gëzime të vogla i mbajnë në xhep si hajmali. E diqysh, kjo nuk e bën lidhjen tonë më të dobët. E bën më të fortë.

Fakti që nuk do t’i njoh kurrë plotësisht është arsyeja pse ndihet si dhuratë kur dikush më lejon të hyj qoftë dhe pak.

Kur më thotë atë gjënë që nuk e ka postuar.

Kur më beson pjesën që nuk tingëllon si histori e bukur.

Kur më lë të shoh rrëmujën pas metaforës.

Mendoj se kjo është ajo që më shtynë të shkruaj. Kur shoh që duan vëmendjen, kur vërej gënjeshtrat e vogla.

Jo ndonjë ambicie e madhe për të kapur “përvojën njerëzore”, por ajo tërheqja e vogël, e vazhdueshme. Dëshira për të bërë diçka nga gjithë këto jetë të paprekura, momentet që më prekën pa ditur pse.

Ka diçka të shenjtë në të vëzhguarit.

Ndoshta edhe më e shenjtë është të mos dish… dhe gjithsesi të kujdesesh.

Kjo praktikë më kujton se bota nuk sillet rreth meje.

Se secili po bartë epikun e vet plot me gëzime dhe dhimbje, dhe kundërshti, dhe se shumicën e kohës unë do të shoh vetëm një grimcë të vogël.

Por çfarë fati të shohësh edhe kaq!

Kështu që tani, përpiqem të zbutem kur mundem.

Të supozoj më të mirën.

Të kujtoj se secili është protagonisti i dramës së vet të pashprehur që vjen në punë me një zemër të thyer, ose kërcen në kuzhinë pas një lajmi të mirë, ose po mbijeton qetësisht diçka që askush tjetër nuk e di.

Nuk e marrim gjithmonë të gjithë historinë.

Por prap mund të jemi dëshmitarë.

Mund të tundim kokën para këtij misteri dhe të themi:

Nuk të njoh… por të shoh.

Dhe kjo ka vlerë.

Puthje, Era <3

Pa e mbyllur krejt; ende mendoj për atë djalin që e kishte zemren e thyer, uroj që ta ketë marr veten.