Dje n’Kosovë
1 Janar, 2026
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues i vitit 2026-ës, këto janë fjalët e mija të para për ty për këtë vit dhe unë uroj që gjërat do jenë më ndryshe për ty, për mua, për të gjithë. Personalisht nëse diçka kam mësuar nga viti që e lamë pas është se nuk pres që 2026-ta, të më përmirësoj por të më takoj aty ku më la 2025-ta, që prap të vazhdoj tutje me bagazhin që më dha ky i fundit.
Për me vazhdu tutje, sot si i hapa sytë, pak ma vonë se zakonisht, m’u kujtu pyetja e Drinit të punës, kur më pyeti se cilat janë “my resolutions” për këtë vit ose objektivat e mija, se kur po i përkthej këto terme në shqip, po ja fillon gjithçka me tingëllu si e shkruar me inteligjencë artificiale.
Po kësaj radhe nuk mendova se cilat kanë me qenë objekitvat e mija, se ato tashmë veç i kom në mendje (ndoshta i ndaj me ju në ndonjë blog tjetër, nëse ja filloj njëmend me i realizu), por mendova “nëse Kosova që unë e du, Kosova që unë kom qejf me jetu, kish fol njëzëri për objektivat e domosdoshme për vitin 2026, cilat kishin me qenë ato?”
E sipas meje këto duhet me qenë “New Year Resolutions” për Kosovën në 2026-ën:
Me pasë shtet që funksionon edhe kur “intereset politike” krijojnë situata për me qenë e kundërta
Me pasë institucione që nuk bllokohen sa herë që partitë nuk merren vesh. Që administrata të punoj, drejtësia të mos pres humor politik dhe shërbimet publike të mos varen prej krizave të radhës.
Me u marrë vendime, jo me u shty vendimet
Me u miratu ligje që presin me vite: për drejtësinë, punën, shëndetësinë, jetën e përditshme. Me u kuptu që çdo vonesë politike ka kosto reale për njerëzit.
Me e mbajtë krizën brenda Kuvendit, jo në xhepin e qytetarit
Që çmimet, inflacioni dhe pasiguria ekonomike të mos jenë pasoja direkte të pazareve politike. Me pasë politika që e mbrojnë qytetarin, jo që e lodhin atë.
Me u kthy besimi edhe brenda po edhe jashtë
Me u kthy besimi i qytetarit se vota e tij vlen dhe i miqve se Kosova është shtet serioz. Me i shfrytëzu momentet ndërkombëtare, jo me i humb për shkak të bllokadave.
Me pas drejtësi që s’pret
Me fillu e me përfundu vettingu. Me pas gjykata që funksionojnë me kuorum, institucione të pavarura me mandate të plota dhe përgjegjësi reale.
Me e vu jetën normale në qendër
Punën, shëndetin, arsimin, sigurinë sociale. Jo si pika në programe, por si përparësi të përditshme. Me e bo jetën këtu të jetueshme, jo vetëm të durueshme.
Me e ndalu normalizimin e kaosit
Zgjedhjet e shpeshta, bllokadat, pauzat dhe krizat të mos trajtohen si diçka e zakonshme. Sepse kur kriza bëhet normë, shpresa bëhet luks.
2026-a nuk do të jetë më e lehtë vetëm pse viti kalendarik ka ndërruar. Por ajo mund të jetë më e ndershme, më funksionale dhe më e dobishme për qytetarin, nëse mësimet e 2025-ës nuk harrohen.
