Live Stories from Prishtina

LIVE

2 Janar, 2026

Kam dikë për të cilin mendoj çdo muaj, jo me mall, jo me fjalinë “po sikur”, thjeshtë me atë ndjesinë e vogël “çfarë janë duke bërë tani?”. Është si të kontrollosh motin në një qytet ku ke jetuar dikur, pra s’ka ndonjë arsye të madhe, madje nuk ekziston as nevoja për të ma kthyer.

E doja këtë person. Ndoshta ende e dua, në atë mënyrën abstrakte siç e do një libër që s’do ta rilexosh kurrë, por që s’do ta largoje kurrë nga dollapi i të gjithave. E gjëja më e çuditshme është se nuk kam asnjë dëshirë të flas më kurrë me të.

Jo sepse më lëndoi, jo sepse u krye keq, thjeshtë sepse versioni im që e donte dikur, nuk ekziston më, dhe jam tejet e sigurt që as versioni i tij që unë doja nuk ekziston më.

Por përsëri, e mbaj në kokën time, në atë puzel-in e vogël të njerëzve që kanë pasur rëndësi.

Ndonjëherë e imagjinoj sikur takohemi rastësisht, të gjithë skenën e kam të ekzekutuar në mendje: njohjen, përqafimin që zgjat pak më shumë ose pak më pak se që duhet, frazën “duhet të takohemi ndonjëherë” që të dy e dimë se është gënjeshtër dhe në këto fantazi, gjithmonë ndihem e lehtësuar kur mbaron. Kur mund të kthehemi sërish në skenën “teorike” për njëri-tjetrin.

Sepse një person që e dua si ide, por që nuk do ta doja realisht në jetën time, është vetëm një person që e dua në teori.

Mendoj se të gjithë kemi disa të tillë. Njerëz për të cilët gëzohemi nga larg. Njerëz të cilëve ua duam sinqerisht lumturinë, por jo aq sa ti shohim nga afër. Njerëz që do t’i shpëtonim nga një situatë, por që nuk e di nëse do të kalonim çdo ditë me ta.

Nuk është urrejtje, as indiferencë, është diçka më e çuditshme, diçka që nuk ka emër.

Javën e kaluar pashë emrin e tij në story-in e instagramit të dikujt tjetër, vetëm një tag. Dukej i lumtur, më i rritur, flokët ndryshe, ndjeva një ngrohtësi të vogël në kraharor, diçka që më erdhi mirë për të, pastaj vazhdova scroll-in.

Nuk pata asnjë impuls të shkruaja. Asnjë “po sikur”, thjeshtë… moment i këndshëm. Si të shohësh lule që nuk i ke mbjellë ti, por që po rriten mirë.

Një shoqe më pyeti njëherë pse nuk i shkruaj, nëse ende më intereson dhe nuk dija si ta shpjegoja, si t’i tregosh dikujt që dashuria dhe dëshira për ta pasur dikë në jetën tënde janë dy gjëra krejt të ndara? Që mund të mbash afeksion për dikë dhe njëkohësisht ta dish, me siguri absolute, që ribashkimi do ta shkatërronte atë ndjenjë?

Sepse e di çfarë do të ndodhte, do të takoheshim për kafe, do të ishte e çuditshme do të përpiqeshim të kapnim ritmin, por do të kuptonim se nuk e kemi më bazën për këtë, do të detyronim bisedën si dy të huaj në një event, pastaj do të ndaheshim dhe nuk do ta përsërisnim më kurrë, por kujtimi nuk do ishte si ky që po flas tani, do ishte i njollosur me një dozë zhgënjimi dhe nuk dua të jetë ashtu.

Më mirë ta mbaj të ruajtur ashtu siç është, në teori.

Kam një koleksion të tërë njerëzish të tillë. Shokun e gjimnazit që e kam dashur fort, por me të cilin s’kam më asgjë të përbashkët. Shoqen që nga fëmijëria që sa herë komunikojmë kam nostalgji por nuk e kam ndjenjën të dal diku me të. Kolegen që e doja si motrën, të cilën e pash si person i afërt në periudha të vështira por që sot nuk do të doja ta takoja, por ja që ekziston vetëm brenda atij kapitulli të jetës sime.

Janë si këngë që i kaloj kur më dalin në “shuffle”, por do të më thyhej zemra po të zhdukeshin nga lista.

E çuditshme është se për disa prej këtyre njerëzve mendoj më shpesh sesa për njerëz me të cilët flas realisht. Jetojnë falas në kokën time, zënë hapësirë, krijojnë shpërthime të vogla që ua transmetoj njerëzve që i dua sot, por nuk kërkojnë asgjë nga unë, as mirëmbajtje, as reciprocitet, as rrezik zhgënjimi.

Ndonjëherë pyes veten nëse edhe unë ekzistoj kështu për dikë tjetër, nëse diku, dikush mendon për mua me dashamirësi në disa muaj, por do të panikohej po t’i shkruaja realisht. Nëse jam unë “personi teorik” i dikujt, dikush që e duan vetëm për aq sa mungon.

Tingëllon si diçka e trishtë, por që nuk ndihet ashtu, është më e bukur. Të dish që ke pasur rëndësi për dikë, pa pasur nevojë të jesh pjesë e përditshmërisë së tij, të ruhesh butë në kujtesë, pa presionin e pranisë.

Më parë mendoja se kjo ishte shmangie, një lloj frike emocionale, që po t’i doja vërtetë këta njerëz do ta bëja punën për t’i mbajtur, që t’i lija të mbeteshin në teori do të thoshte se nuk më interesonin. Tani nuk mendoj më kështu. Mendoj se duhet një lloj tjetër dashurie për ta lënë dikë në të kaluarën. Për t’i rezistuar dëshirës ta tërheqësh në të tashmen vetëm sepse të mungon ideja e tij. Për ta lënë të mbetet perfekt dhe i ngrirë, në vend që të bëhet real dhe zhgënjyes.

Ka qenë një person që e kam takuar çdo ditë vite më parë, gjithçka ishte gabim, koha, fazat e jetës, rrethanat, por diçka kishte, diçka e vërtetë.

Nuk flasim më, nuk kemi folur prej vitesh por ende mendoj për të kur dëgjoj disa këngë. Ende shpresoj që të jetë mirë, ende kam atë ngrohtësinë e mbetur kur më vjen ndër mend.

Dhe e di, e di që po të rilidheshim, përsëri do të ishte gabim. Do të ishim ende të papërputhshëm, ndoshta do të pëlqeheshim ende, por në atë mënyrën e dhimbshme kur e sheh qartë pse nuk funksionon.

Prandaj i mbaj vetëm në teori, i shoh nga larg. Sepse ndoshta edhe kjo është një lloj dashurie. Ajo që nuk ka nevojë të ushqehet, ajo që ekziston perfekt në kujtesë dhe do të mbytej në realitet.

Ata janë diku atje, duke jetuar një jetë, detajet e së cilës nuk do t’i njoh kurrë. Unë jam këtu, duke jetuar një jetë, detajet e së cilës ata nuk do t’i njohin kurrë dhe diku në hapësirën mes nesh, ekziston ende kjo gjë.

Dhe mjafton.

Sepse disa njerëz janë të destinuar të duhen nga larg, jo sepse nuk meritojnë më shumë, por sepse distanca është ajo që e bën dashurinë të mundur.