Live Stories from Prishtina

LIVE

3 Janar, 2026

Prej festave të fundvitit, gjithçka të vjen tek maja e hundës, nuk mundesh me i pa me sy as mishërat, as sallatat, as pije se me gjithçka ia ke tepruar në natën e Vitit të Ri. 

Por të nesërmen, me 1 janar, s’ke nga ju ikë shumicës, çka nuk ndryshon gjithë në rutinen e ditës të parë të vitit të ri është kafja.

Duhan pirës ose jo duhan pirës (po them kështu se zakonisht duhan pirësit preferojnë më shumë ëmbëlsirat) kafja shoqërohet me diçka të ëmbël, e kjo “diçka” mund të jetë Panetone.

Tash varet cilin lloj të panetones e zgjedh, personalisht e preferuara mbetet gjithmonë “me kajsi brenda dhe shumë sheqer pluhur jashtë”.

Meqenëse panetone, merr më shumë vëmendje në fund të vitit, le ta rishikojmë historinë dhe legjendën rreth kësaj ëmbëlsire.

Panetone, është një simbol i Krishtlindjes italiane, për shekuj me rradhë. Me formën karakteristike të lartë dhe të rrumbullakët, me brumin e butë dhe aromën e gjalpit, frutave të sheqerosura dhe rrushit të thatë, panetone ka arritur të dalë nga kufijtë e Italisë dhe të bëhet “mbreti i ëmbëlsirave” në mbarë botën, bile qitash Vogue e kish shënu një artikull qysh në Amerikë nuk ja kanë qëllu shumë recetës së panetonës, deri sa një importues italian ka fillu ta sjell atë prej Venetos.

Nejse…  once upon a time sipas legjendës, bota ende nuk e njihte panetonen, një dimër në shekullin XV, Duka i Milanos, Ludovico il Moro, organizoi një banket madhështor për Natën e Krishtlindjes për të gjithë oborrin mbretëror.

Në këtë festë do prezantoheshin 12 gatime luksoze ku secila përgatitej nga një ekip i ndryshëm kuzhinierësh, të cilët kishin për detyrë ta shfaqnin Dukën sa më të pasur dhe të fuqishëm.

Në fund të darkës, kuzhinat e kështjellës ishin thuajse bosh dhe të ftuarit prisnin me padurim për në fund ëmbëlsirën.

Në skenë hyn kryekuzhineri i pastiçerisë i cili ishte i shpërqendruar nga një romancë e ndaluar me gruan e bukur të një fisniku. Teksa po “vidhte një puthje” në një korridor të pallatit, ai nuk vuri re se ëmbëlsira e tij kishte filluar të digjej.

Një nga anëtarët e ekipit të tij, një djalosh i ri i quajtur Toni, që punonte si ndihmës në kuzhinë, ndërpreu romancën e ndaluar të kryekuzhinjerit për t’i njoftuar se Duka po kërkonte pjatën e fundit e cila tashmë ishte djegur plotësisht.

I mësuar të improvizonte me pak përbërës, Toni u hodh në aksion menjëherë. Ai morri brumin e ardhur që qëndronte për gatime të tjera në kuzhin, i shtoi sheqerin dhe gjalpin e mbetur e pasuroi me agrume dhe rrush të thatë, e hodhi masën në forma të rrumbullakëta dhe e futi në furrë. Pa pasur një zgjidhje tjetër, kryekuzhinjeri ia shërbeu ëmbëlsirën oborrit të Dukës dhe u largua shpejt.

E pasur në shije, por e lehtë kjo tortë e ëmbël me formë kupole pati një sukses të jashtëzakonshëm në gjithë oborrin. Duka e thirri përsëri kryekuzhinjerin në sallë për ta lavdëruar. Mes duartrokitjeve, kuzhinjeri pranoi se ishte “pane di Toni” (buka e Tonit), e cila sipas legjendës me kalimin e kohës u bë e njohur si… panetone.

Tash historia që e njeh bota…

Prodhimi masiv i panetones nisi në fillim të shekullit XX, kur dy furrtarë nga Milano filluan ta shpërndanin këtë ëmbëlsirë përtej qytetit të tyre.

Por revolucioni i vërtetë erdhi në vitet 1920, kur Angelo Motta ndryshoi përfundimisht pamjen dhe strukturën e panetones, duke krijuar formën e famshme me kupolë. Sekreti qëndronte te procesi i gjatë i fryrjes, brumi lihej të rritej tri herë brenda 20 orëve para pjekjes.

Pak më vonë, receta u përmirësua edhe nga Gioacchino Alemagna, i cili ia dha emrin e tij produkteve të fermentuara. Konkurrenca e fortë mes dy markave çoi në industrializimin e panetones. Në fund të viteve 90-ta, të dyja kompanitë u blenë nga Nestle, për t’u kaluar më pas në pronësi të kompanisë Bauli nga Verona.

Pas Luftës së Dytë Botërore, panettone u bë një produkt i përballueshëm për të gjithë dhe hyri përfundimisht në çdo shtëpi italiane.

Edhe pse në vitin 2019 u nis një fushatë për t’i dhënë panetonens statusin për të mbrojtur të origjinën e saj (DOP/DOC), kjo përpjekje ende nuk ka dhënë rezultat.

Megjithatë, historia e panetones është edhe më e hershme. Dokumenti më i vjetër i besueshëm daton në vitin 1599, në librat e shpenzimeve të Kolegjit Borromeo në Pavia. Më 23 dhjetor të atij viti, janë shënuar shpenzime për gjalpë, rrush të thatë dhe erëza, të cilat i ishin dhënë një furre për të përgatitur 13 “bukë” që do t’u shpërndaheshin studentëve në Ditën e Krishtlindjes.

Lidhja e parë e dokumentuar mes panetones dhe Krishtlindjes gjendet në shkrimet e iluministit të shekullit XVIII, Pietro Verri, i cili e përshkruan atë si pan de ton “bukë luksi”. Prapashtesa -one në italisht i jep kuptimin e diçkaje të madhe pra, një bukë e madhe dhe e veçantë.

Si piqet panetone perfekt?

Durimi është përbërësi kryesor për një panettone të suksesshëm. Vetëm procesi i fermentimit mund të zgjasë disa ditë, për t’i dhënë ëmbëlsirës strukturën e saj të lehtë dhe të butë. Përbërësit klasikë janë frutat e sheqerosura dhe rrushi i thatë, por sot tregu ofron edhe variante kreative me çokollatë, krem lajthie, bajame apo fëstëk.

Në Ditën e Krishtlindjes, panetone shpesh shoqërohet me kremra të ëmbël si mascarpone, krem chantilly ose zabaglione. Ndërkohë, versionet e kripura të njohura si panettone gastronomico janë kthyer në një antipastë spektakolare, të mbushura me salmon të tymosur, proshutë Parma, sallata të ndryshme dhe djathëra të butë.

Panetonet më të mira…

Ndërsa supermarketet mbushen herët me panetone industriale, pastiçeritë e Firences dhe Toskanës nisin pjekjet artizanale pak më vonë, por me cilësi të jashtëzakonshme.

Restorante me yje Michelin, si Ristorante Santa Elisabetta dhe Four Seasons Florence, spikasin për versionet e tyre elegante, ndërsa La Leggenda dei Frati ka tërhequr vëmendje me panettonen me çokollatë dhe dardhë.

Në rang kombëtar, Panettone Day vlerëson çdo vit më të mirët në tre kategori: tradicional, kreativ dhe me çokollatë. Ka gjithashtu alternativa pa gluten dhe pa laktozë, duke e bërë këtë ëmbëlsirë për të gjithë.

A lindi nga një histori dashurie e ndaluar apo nga dëshira e dikurshme që buka të ishte e ëmbëla, kjo vazhdon të mbetet sa sekret aq edhe legjend. Një gjë dihet që kafen e 1, 2, 3 janarit e deri në fund të ketij muaji shoqëroje me gjitha llojet e panetones.