Për të gjithë ata që nuk e filluan vitin e ri me shumë energji, me stres për atë që i pret, nuk je duke dështuar, thjeshtë je njeri. Krejt çka të duhet është mbështetje dhe strukturë.
Çka po ndodh në Shqipëri këto ditë?
Gjykata dje refuzoi ta lirojë nga burgu ish-presidentin Ilir Meta, i cili po mbahet në paraburgim. Mirëpo ai nuk po heq dorë nga kërkesat për t’u liruar. Përmes avokatëve të tij, ai pretendoi se gjykimi prej katër muajsh ka mbetur në seancë paraprake.
Për SPAK-un, Ilir Meta dhe katër të tjerë, janë mes të dyshuarve që duke përdorur influencën dhe pushtetin politik kanë favorizuar biznese të caktuara kundrejt shpërblimit. Ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi, rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Meta është në paraburgim nga tetori i 2024-ës.
****
Është shtyrë për 19 janar, seanca në Gjykatën e Posaçme ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit nuk është paraqitur në seancë dhe sipas avokatëve të tij, shkak është bërë furgoni i burgut të Durrësit që do ta shoqëronte atë drejt Tiranës, i cili sipas tij nuk ka ardhur në 07:00, por në orën 09:00. Vonesa e furgonit u bë shkaktar.
****
PD akuzon mazhorancën se ka zbuluar një disiplinë të re, zvarritjen pa afat të kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Sipas saj, Kuvendi ka shkelur rregulloren dhe Kushtetutën duke injoruar kërkesat e opozitës, duke “harruar” mbledhjet nga kalendari zyrtar dhe duke e kthyer shqyrtimin formal në një serial pa sezon final. Kjo sepse dosja qenka voluminoze, por afati për ta lexuar, i padukshëm. Në fund, opozita thotë se nuk po tallin vetëm opozitën, por edhe SPAK-un.
***
PD e ka sos këtë vit, e dojnë veç dorëheqjen e Ramës. Dje mblodhi foltoren e radhës para Kryeministrisë, ku qytetarët, përveç zërit, sollën edhe pankartat “Bela Ciao”, “Bela hap krahun” dhe “zgjedhje pa Ramën”. Mesazhi ishte i qartë: Rama të largohet, skandalet mjaftojnë.
Opozita vazhdon turin e protestave, ndërsa pankartat duket se po bëjnë fushatë më bindëse se fjalimet.
