9 Janar, 2026
I shoh të gjitha krejtësisht qartë; ka dy situata të mundshme ose e bën këtë, ose bën atë. Mendimi im i sinqertë dhe këshilla ime miqësore është kjo: bëje ose mos e bëj do të pendohesh për të dyja.”
Søren Kierkegaard, Either/Or
Sa herë që unë dhe miqtë e mi futemi në biseda të thella, zakonisht mbi një filxhan kafeje që ka kohë që është ftohur ose pas tre birrave, gjithmonë kthehemi te e njëjta temë, “gjërat që i dëshirojmë me gjithë shpirt të bëjmë, por kemi frikë t’i provojmë”.
Mund të jetë çfarëdo t’i thuash atij personi “cool” në universitet se e admiron, më në fund t’i rrëfehesh dikujt që e pëlqen, ose të shkëputesh nga ai shok që të shteron energjinë si një telefon me vetëm 1 për qind të mbetur.
Por po aq shpejt sa ndërtohet entuziazmi, frika hyn fshehtas, që fillon me një fjali që ka tendenca të kthehet në pyetjen “po sikur…?”. Ky është saktë ai momenti që zhduket vetëbesimi i mëparshëm që ndjeni, për të bërë diçka.
Si përgjigje, unë gjithmonë buzëqesh dhe them:
“Bëje ose mos e bëj; do të pendohesh për të dyja.”
Ky citat është nga Soren Kierkegaard, një filozof danez dhe ekzistencialist. Ai konsiderohet si babai themelues i ekzistencializmit dhe ky mendim sugjeron se, pavarësisht çfarë bëjmë në jetë, jemi të destinuar të pendohemi.
Kierkegaard e quan këtë “pendesë e dyfishtë”, duke shpjeguar se ne do të pendohemi për çdo vendim që marrim, prandaj më mirë është ta jetojmë jetën deri në maksimum.
Kur je në fazën e universitet, fraza “bëje ose mos e bëj do të pendohesh për të dyja” të përsëritet vazhdimisht në kokë, si një fëmijë që ka mësuar përmendësh lutjen e Zotit. Ke aq shumë ëndrra, aq shumë qëllime për të arritur dhe aq shumë libra për të lexuar, saqë shpesh ndihesh sikur gjithçka të ka hipur mbi kokë dhe mendon sikur po humbet një jetë tjetër që duhet ta jetoje.
Do, do, do gjithçka por thellë-thellë e di që do të duhet të zgjedhë, që do të më duhet të sakrifikoj pjesë të mundshme të vetes, për versionin e ardhshëm, përsëri të vetes.
Atëherë, çfarë bëjmë me gjithë këtë… konfuzion? Çfarë bëjmë me dhimbjen e përhershme të ankthit ekzistencial që na ndjek gjatë gjithë jetës? Ka vetëm një zgjidhje, të jetojmë.
Çdo ditë ankohesh për sa pak kohë ke. Shikohesh në pasqyrë për të konfirmuar identitetin tënd, për ta copëtuar atë ose për të urryer trupin tënd. Kalon mbi dhjetë orë në ditë në telefon dhe pastaj çuditesh pse nuk arrin të ndalosh së krahasuari jetën tënde me të tjerët në internet.
Dëshiron të lexosh; e dëshiron me ngulm një libër të mirë, por nuk arrin të përqendrohesh apo të heshtësh zhurmën në kokën tënde. Të pëlqen dikush. Nuk ndalesh së menduari për të, duke krijuar skenarë ku jeni bashkë, të lumtur diku, duke gatuar darkë së bashku.
Dëshiron që ai/ajo të të shohë për atë që je; dëshiron të kontrollosh dëshirën irracionale për të qenë me të, që imagjinata jote të mos bindet me një rehati që nuk e ke në jetën reale.
Dëshiron që nëna jote të përpiqet të të kuptojë, të vendosë veten në vendin tënd dhe sa herë ulesh dhe kthehesh në moshën katër vjeçe, e sheh veten duke u lutur që mos të të neglizhojnë.
E di sa e frikshme është t’ia japësh veten botës plotësisht dhe pa asnjë turp. Të dalësh “lakuriq” përballë botës dhe të thuash: “kjo jam unë, ky është kush jam. Pranoje ose largohu.”
Gjej ngushëllim në shkrimin e ditarit sepse aty mund të hapem plotësisht, si një lule që çelë.
E kuptoj frikën. E kam prekur dhe e kam ndjerë. Kam jetuar me frikë që kur isha fëmijë.
Por a e ke pyetur ndonjëherë veten: kur do të mjaftojë? Sa gjatë do të qëndrosh në frikë? Derisa ajo të të mbulojë plotësisht, si një hajdut në mes të natës, duke të marrë çdo mundësi për të jetuar vërtetë?
A do që të kalojnë 20 vjet dhe papritur të jesh 30 vjeç, duke u penduar për rininë tënde? Duke parë fëmijët e tu të pafajshëm, fëmijë që nuk kërkuan të vinin në këtë botë dhe duke kërkuar në sytë e tyre përmbushjen që mendoje se do ta gjeje duke i pasur ata?
Mos prit 20 vjet që të kalojnë para se të fillosh të jetosh jetën tënde. Duhet të jetojmë tani.
Gjithmonë do të ketë diçka, një ndarje të keqe, një punë të tmerrshme, kolegë të bezdisshëm, mungesë kohe dhe obsesion të vazhdueshëm me peshën trupore.
Duhet t’i pranosh të gjitha këto dhe t’i kujtosh vetes të zgjohesh në mëngjes dhe të ndjesh erën mbi lëkurën tënde. Ndalo së anuluari plane dhe më në fund tako atë mik apo familjar që je duke e shmangur. Puth një të panjohur të premten mbrëma, kur ajri gumëzhin nga magjia dhe alkooli ndez një uri të pangopur.
Kërce në mes të rrugës. Planifiko atë verën evropiane që ke vite duke e ëndërruar.
Apliko për atë punë ëndrrash për të cilën nuk je i/e kualifikuar. Mund ta marrësh, mund edhe mos ta marrësh.
Qaj mbi një libër të mirë me prozë të mrekullueshme dhe rishiko filmat e tu të preferuar, sepse nostalgjia është emocioni më shkatërrues dhe më i bukur njëkohësisht. Thuaju miqve, familjes dhe personave që dashuron se i do, sepse e nesërmja nuk është e garantuar dhe kurrë nuk e di se cila ditë do të jetë e fundit.
Apliko për atë degë studimi edhe nëse mendon se nuk je i/e kualifikuar. Provo të mësosh një instrument thjeshtë për kënaqësi.
Ëndërro shumë, ëndërro guximshëm dhe ëndërro gjerësisht.
Merr rreziqe, ji i/e guximshëm/me dhe ji i/e lirë.
Nuk ka asnjë arsye pse të mos meritosh diçka. Ti meriton gjithçka. Je i/e denjë për gjëra të mira. A nuk jemi tashmë në tokë? A nuk është kjo vuajtje e mjaftueshme?
Nuk kam përfunduar ende masterin edhe pse e regjistrova në 2021-ën, por nuk e ndjej fare atë si diçka që dështova, pasi jam e përmbushur me punën që çdo ditë e kuptoj saktë sa e dua.
Dua të udhëtoj këtë verë. Dua të eksploroj çdo cep të Shqipërisë që nuk e kam parë ende. Dua të jem jashtë me miqtë e mi deri natën vonë, të kalojmë kohë të mirë së bashku dhe t’i përballojmë pasojat më pas.
Dua të përballem me zemërimin e nënës sime, e cila shpesh nuk e kupton kush jam, sepse i përkasim dy brezave të ndryshëm. Tani e kuptoj këtë.
Çfarëdo rreziku që dëshiron të marrësh apo çfarëdo qëllimi që ke vendosur, bëje.
Shtire vetëbesimin dhe guximin nëse duhet dhe jeto jetën. E di që është e frikshme.
Mund të zhgënjehesh. Mund të refuzohesh.
Por duhet të mbash mend se, cilado qoftë zgjedhja, ne do ta njohim vetëm rezultatin e asaj që marrim dhe asnjëra nuk do ta zgjidhë kurrë pasigurinë e jetës.
Prandaj po ta them edhe një herë: bëje ose mos e bëj, do të pendohesh për të dyja.
Ju dua të gjithëve ☺️
