Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Janar, 2026

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Kuptimi i jetës, i dashur lexues, është ta gjesh dhuratën e jetës, ndërsa qëllimi i saj është t’ua dhurosh atë njerëzve.

Kosova sot u zgjua me lajmin se e vërteta është e klasifikuar. Rasti i “rezervave shtetërore” hyri në gjykatë, por doli jashtë publikut, jo se u zgjidh diçka, por sepse dosja është aq sekrete sa as avokatët nuk guxojnë ta shohin, mos po përfundojnë në burg duke e lexuar. Pra, kemi gjykim pa dosje.

Gjyqtari Avni Syla e ka mbyllur për publikun seancën në emër të ruajtjes së informacionit të klasifikuar. Ai u ka tërhequr vërejtjen të gjithëve që nëse gjatë gjykimit zbulojnë informacion konfidencial në publik do të mbahen përgjegjës.

Gruri është blerë shtrenjtë, vaji e sheqeri janë paguar por s’kanë ardhur kurrë, por ajo që ka ardhur me siguri është etiketa “sekret shtetëror”.

Ndërkohë, qytetarët që s’kanë qasje, as në dosje, as në rezerva, kanë qasje direkte në çmime të reja e ma të shtrenjta: rryma, kafeja, mishi dhe pemët janë bërë luks, ndërsa karburantet për çudi paskan rënë.

Inflacioni ka qenë 3.9%, fuqia blerëse ka rënë, por Banka Qendrore e Kosovës po na qetëson duke e parashikuar inflacionin për këtë vit me  vetëm 3.4%.

Politikisht, vendi është në modalitetin “konsensus ose krizë”.

LDK thotë se s’ka president pa marrëveshje, VV llogarit votat, analistët llogarisin bllokadat, ndërsa Kushtetuta po na i numëron ditët. Presidentja aktuale mund të rizgjidhet, por vetëm nëse të gjithë bien dakord që askush të mos jetë dakord me askënd.

Zgjedhjet e reja janë gati, si opsion rezervë, edhe ato me gjasë jo të klasifikuara.

E për ta mbyllur ditën jo më së miri në botë, tre persona janë plagosur në një lokal në Deçan. Policia reagoi shpejt, arma u sekuestrua, i dyshuari u arrestua, pra të paktën këtu, diçka nuk ishte sekrete.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe e ditës, ku gëzimi i fundit është me qenë bashkë edhe kur asgjë tjetër s’na përket më.