Pritshmëritë e larta, i/e dashur mik/e, gjithmonë janë ato që të lëndojnë më së shumti. Jeta është e shkurtër. Ji i/e lumtur dhe i/e kënaqur.
Në Forumin e Davosit, në vendin ku flitet për ekonomi globale e pihet kafe me liderët botërorë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti na njoftoi për një lajm që s’e kemi dëgjuar kurrë më parë, “Serbia nuk do ta njoh Kosovën së shpejti”.
Sipas Kurtit, Serbia e di që Kosova është shtet, por thjeshtë po bën sikur s’e di. Sa shumë mund kërkon kjo fjali, a e dini ju?
Kur kërkon kudo për forumin e Davosit, aty te përshkrimi i qëllimit të forumit del kjo fjalia “Të diskutojë dhe koordinojë politikat globale ekonomike, politike, teknologjike dhe sociale, vendosen agjenda globale”.
E për çudi, se nuk është veprim që zakonisht Kurti zgjedh ta bëjë, tha hajt t’ju tregoj “çka po heqi unë”, ua sqaroi se zgjedhjet nuk ishin plan, por erdhën si pasojë e opozitës që ose nuk donte të takohej, ose donte kryetarin e Kuvendit me tre deputetë.
S’bën pa tregu midis Zvicrës për kreativitetin institucional që e kemi.
***
Në Davos u fol edhe për investime miliardëshe, ama në Kosovë, për t’i rikrijuar fillimin e viteve të 2000-ta, se ndoshta mendojnë që kemi nostalgji, po e ndalin rrymën.
KESCO nominoi më pak rrymë, KOSTT u nervozua, KEK-u prodhoi sa mundi, ZRRE nuk u përgjigj, ndërsa qytetarët qëndruan n’terr.
Kërkesa është 1.400 MWh, prodhimi 600 MWh, importi i vështirë, e sa për durimin e qytetarëve s’po ka kush flet, se dokumentim sa dush, e në këtë rast as vetë qytetari.
Institucionet kanë bërë thirrje për kursim energjie se zgjidhja qenka, ndalja e dritave.
***
S’la njeri pa ftuar, presidentja Vjosa Osmani u ftua nga Donald Trump për të qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes për Gazën.
Kosova, që ende numëron votat dhe kursen rrymën, tani kontribuon edhe në paqen globale.
***
Kush është kampioni i javës? Unë po thom, Prizereni.
Rreth 45 mijë vota vendosën të lëvizin vetë nga një kandidat te tjetri, pa i lodhur qytetarët.
140 komisionerë tani rrezikojnë deri në 5 vjet burg, pasi votat u shtuan, u hoqën, u zhdukën dhe u rikthyen si serial turk, por pa skenar.
KQZ ndërpreu mandatet, prokuroria nisi hetime dhe Kosova vendosi të rinumërojë votat në gjithë vendin, për çdo rast. Më mirë vonë sesa kurrë, ose ndoshta sërish gabim.
***
