Fakte abstrakte
27 Janar, 2026
Ndërsa sytë e të gjithë gjitarëve qetësohen nga lotët, vetëm qeniet njerëzore derdhin lot në përgjigje të stresit emocional. Ani se ky fakt ka qenë i njohur për qindra, nëse jo mijëra vjet, shkenca deri vonë ka hedhur pak dritë mbi arsyet e kësaj sjelljeje unike njerëzore.
A ke dëgjuar kur thonë: “Kam nevojë t’çlirohem” apo fjalinë “Kam nevojë ta qes jashtë atë që po ndjejë”?
Nganjëherë ndihesh më emocional, ndihesh sikur po qanë kot, palidhje.
Por a e ke ditë që lotët nuk janë vetëm ujë që del nga sytë?
Në fund të vitit 1980, biokimisti amerikan, William H. Frey II nuk po studionte emocionet njerëzore në kuptimin klasik psikologjik. Fokusi i tij ishte shumë më i pazakontë, tek llojet e lotëve. Ajo që nisi si një studim biokimik mbi përbërjen e tyre, përfundoi duke na e ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë qarjen emocionale.
Ne kemi tri lloje lotësh dhe që të trija “vajtimet” kanë funksione të ndryshme.
Frey dhe ekipi i tij identifikuan se trupi i njeriut prodhon tri lloje lotësh:
Lotët që mbajnë syrin të lagësht dhe e mbrojnë nga infeksionet.
Lotët refleks, që shfaqen kur syri irritohet (nga qepa, tymi, pluhuri).
Lotët emocional, të lidhur me ndjenja si trishtimi, gëzimi, zemërimi apo lehtësimi.
Ajo që e bëri studimin e Frey-t revolucionar, ishte fakti se lotët emocional nuk janë kimikisht të njëjtë me lotët e tjerë.
Përmes analizave laboratorike, Frey zbuloi se lotët emocional përmbajnë leucinë-enkefalinën si dhe një peptid opioid natyral që vepron si qetësues dhimbjeje brenda trupit.
Me fjalë të tjera, kur lotët emocional dalin nga trupi, ata bartin me vete “kiminë” e stresit.
Kjo do të thotë se të qarit nuk është një humbje kontrolli, është një formë e rregullimit.
Sistemi nervor liron dhimbjen, qetësohet vetë dhe rikthen ekuilibrin kur ngarkesa emocionale tejkalon kapacitetin.
Për këtë arsye, të qarit shpesh ndjehet njëkohësisht shterues dhe lehtësues. Prandaj, trupi lehtësohet më pas dhe pason heshtja.
“Të qarit është një proces ekzokrin,” shpjegoi Dr. Frey.
Domethënë një proces, në të cilin një substancë del nga trupi. Procese të tjera ekzokrine, si nxjerrja e ajrit, urinimi dhe djersa, çlirojnë substanca toksike nga trupi. Ka shumë arsye për të menduar se të qarit bën të njëjtën gjë, duke çliruar kimikate që trupi prodhon në përgjigje të stresit.
Në një artikull të dikurshëm nga NewYorkTimes që pastaj dikur ishte digjitalizuar, Dr. Frey tha:
“Nëse mund të matim sekretimin specifik të trupit në përgjigje të stresit, kjo mund të jetë një çelës për ndryshimet biokimike të përfshira në trishtim dhe gëzim. Duke matur atë që del nga trupi në përgjigje të emocioneve, mund të zbulojmë se çfarë po ndodhë në tru.”
Shumë para se biokimia ta emërtonte, traditat tona, fjalët e më të moshuarve, përshkruanin lotët si pastrues, si një formë çlirimi, si diçka e nevojshme.
Pyetja është kjo; nëse lotët janë një mekanizëm biologjik për lehtësim, jo si shenjë dobësie, çfarë do të ndryshonte nëse do të ndaloje t’i trajtoje si diçka për t’u fshehur?
Pse ndihemi më mirë pas qarjes?
Nëse trupi, përmes lotëve emocional, largon kimikate të lidhura me stresin, atëherë qarja mund të shihet si: një valvulë biologjike, një formë natyrale e vetërregullimit emocional, një proces që bën lidhjen mes mendjes dhe trupit në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Zbulimet e Frey na tregojnë që e qara është një reaksion i sofistikuar biologjik, i zhvilluar për të na ndihmuar të përballojmë ngarkesat emocionale.
Sot, edhe pse disa nga teoritë e tij vazhdojnë të diskutohen dhe studiohen më tej, puna e William Frey mbetet një pikë referimi e rëndësishme në kuptimin shkencor të emocioneve njerëzore.
