I dashur lexues, shijoi gjërat pa e ditë se çka kanë me sjellë pas, gjithmonë kujtoja vetes: nëse do ta dije fundin e një filmi, a do të vazhdoje ta shikoje?
Dje, realiteti shqiptar e dha përgjigjen, nga ëndrra amerikane që përfundon në pritje njëvjeçare në Karaibe, te një Kuvend që voton maratonë pa pushim dhe protesta që mbyllen me sqarime zyrtare.
Ja për çka e kam fjalën:
***
Fillimisht, Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet amerikane identifikoi gjashtë persona të përfshirë në një skemë të trafikimit të emigrantëve drejt SHBA-së, mes tyre Hazir Maci, bashkëshortja e tij dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar për ndihmë në kalim të paligjshëm kufiri dhe falsifikim dokumentesh.
Hetimet treguan se një shtetas shqiptar kishte paguar 35 mijë euro për të udhëtuar ilegalisht drejt SHBA-së por kishte mbetur i bllokuar për më shumë se një vit në Republikën Dominikane.
Itinerari përfshinte nisjen nga Shqipëria, kalimin në disa vende të Evropës, më pas në Karaibe dhe përdorimin e dokumenteve false për të hyrë në SHBA ose Kanada, ndërsa rasti u sinjalizua nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë i SHBA-së.
Çfarë po mendoje teksa e lexove këtë paragraf lexues, sepse unë me veten po thoja: çfarë mekanizmash konkret ka shteti për të informuar qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve me emigracionin ilegal?
***
Në të njëjtën ditë Kuvendi i Shqipërisë pas rreth 12 orësh debat, miratoi me 85 vota pro ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2025 si dhe ndryshime në ligjet e Reformës në Drejtësi, duke siguruar shumicën e cilësuar falë edhe votave të Partisë Socialdemokrate pavarësisht mungesës së kryeministrit Rama.
U miratuan gjithashtu ndryshime në Kodin Penal, ligji për lobimin, importin e armëve, mbrojtjen nga dhuna ndaj grave, mediat audiovizive dhe disa marrëveshje ndërkombëtare.
Sa nga këto ligje janë të kuptueshme dhe të prekshme realisht për qytetarin e zakonshëm? Si ndikon ndryshimi i buxhetit 2025 konkretisht në xhepin e qytetarit dhe në shërbimet publike?
***
Spektakli nuk do të ishte i plotë pa një debat brenda vetë mazhorancës, ku Erion Braçe tentoi të kriminalizonte shitjen e duhanit për të miturit por u ndal nga kujtesa se çdo presje duhet parë më parë nga Brukseli, ndaj shumica socialiste zgjodhi abstenimin kolektiv duke lënë mesazhin se shëndeti i fëmijëve është i rëndësishëm, por jo aq sa të prishë harmoninë procedurale.
***
Ndërkohë ministrja e Brendshme, Albana Koçiu deklaroi se policia ka vepruar sipas ligjit gjatë protestës së fundit të opozitës ku u shoqërua në komisariat një 14 vjeçar, duke theksuar se policia u përball me dhunë, u sulmua me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta dhe se i mituri u shoqërua vetëm për verifikim sipas procedurave ligjore, duke nënvizuar se e drejta për protestë është kushtetuese por dhuna nuk është e pranueshme.
Pse një 14 vjeçar ndodhej në një protestë të dhunshme dhe kush e ka përgjegjësinë për këtë?
***
