N’Kosovë
30 Janar, 2026
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ja një vath për ta mbajtur në vesh: kjo jetë është pasqyrë dhe ti je skenaristi i kësaj fjalie.
Ka ditë kur lajmet i lexojmë veç shpejt, sa për t’u informuar ose që i kalojmë me një “scroll” dhe vazhdojmë me rutinën tonë. Por ka edhe lajme që të ndjekin gjatë gjithë ditës, të hyjnë në mendje; kur bëjmë plane, kur flasim për të ardhmen dhe kur mundohemi ta kuptojmë se ku po shkon ky vend. Pikërisht për këtë arsye, këto lajme ishin më të rëndësishmet për mua si qytetare e Kosovës.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike?
Kompania furnizuese me energji elektrike, KESCO, ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.3% për vitin 2026. Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila do të vendosë nëse kjo rritje do të aprovohet. Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro, krahasuar me rreth 435 milionë euro sa ishin të hyrat e lejuara për vitin 2025.
Nëse kjo kërkesë aprovohet, do të ishte hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i rrymës rritet. Në vitin 2023 pati rritje prej 15%, në vitin 2025 prej 16.1%, ndërsa në vitin 2024 pati një ulje të kufizuar për disa kategori konsumatorësh.
Aktualisht, qytetarët që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë-orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat gjatë ditës dhe 3.88 centë gjatë natës. Për shpenzimet mbi këtë prag, çmimet rriten ndjeshëm.
Energjia elektrike nuk është luks, është nevojë bazike dhe çdo rritje e çmimit të rrymës përkthehet në rritje të çmimeve të ushqimit, shërbimeve dhe jetesës në përgjithësi. Si qytetare e shoh që pasiguria ekonomike po bëhet gjithnjë e më normale për qytetarët.
Kam ndjenjen se barra po shpërndahet padrejtësisht, pagat nuk rriten me të njëjtin ritëm si çmimet, ndërsa rryma është diçka që nuk ke nga i ikë. Ky lajm më bën të mendoj për dimrat që vijnë, për familjet që do të detyrohen të kursejnë në ngrohje dhe për një standard jetese që po bëhet gjithnjë e më i brishtë.
Rritja e pagës minimale, a është, a s’është shpresë për qytetarin?
Sipas raportit të Institutit GAP, rreth 36% e punëtorëve me orar të plotë në Kosovë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt nga rritja graduale e pagës minimale gjatë vitit 2026. Mbi 130 mijë punëtorë do të përfitojnë nga kjo masë, ndërsa ndikimi do të shtrihet edhe te punëtorët me orar të pjesshëm.
Raporti vlerëson se kostoja shtesë për bizneset do të jetë mbi 85 milionë euro, rreth 2% e faturës totale të pagave në ekonomi. Sektorët më të prekur janë industria e ushqimit, pijet dhe tregtia me pakicë, fusha ku përqëndrimi i pagave të ulëta është më i madh. Mosha mesatare e përfituesve është 37 vjeç, ndërsa nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, por një pjesë e konsiderueshme janë edhe gratë.
Fakti që një pjesë kaq e madhe e punëtorëve edhe në moshë të mesme, edhe me përvojë, vazhdojnë të marrin pagë minimale, është alarmues.
Rritja e pagës minimale është hap i nevojshëm, por nuk duhet të ndalet këtu. Ky hulumtim ma bën qartë të ditur çdoherë se sa e thellë është pabarazia në tregun e punës dhe sa shumë njerëz jetojnë në kufijtë e mbijetesës.
Droni “Skifter”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh i rezervuar lidhur me pretendimet për mashtrim nga një kompani nga Gjilani në lidhje me dronin “Skifter”. Ai deklaroi se nuk mund t’i dijë hollësitë e secilës kompani që ka vizituar, por se është i hapur për të dëgjuar kritikat kur diçka nuk ka qenë ashtu siç është prezantuar.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, më 8 nëntor 2025 vizituan kompaninë e prodhimit të dronëve ushtarak “Skifteri”, si dhe dronë civilë nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.
Më pas, kompania publikoi një video testimi të dronit “Skifteri”, por disa media raportuan se videoja nuk ishte autentike dhe se ishte marrë nga prodhuesi i huaj “Hinaray”. Prodhuesi i dronit, Ridvan Aliu, e mohoi këtë pretendim, duke deklaruar se videoja është autentike dhe e realizuar nga ekipi i tyre jashtë Kosovës.
Nuk është vetëm çështje e një droni apo e një kompanie, ideja qëndron tek besimi. Si qytetare, pres që institucionet të kenë mekanizma të fortë kontrolli, sidomos kur bëhet fjalë për projekte që prezantohen si suksese shtetërore.
Nganjëherë më duket sikur disa gjëra kanë nis mbrapsht në Kosovë, prej pas luftës. A mund ta dijmë ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia politike? Sa është e mbrojtur o vlla paraja publike nga keqpërdorimi?
Ligjëratat në shkolla
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, shprehu shqetësim për ligjëratat e mbajtura në shkollat e Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe të papranueshme. Ai theksoi se nxënësve të mitur u janë paraqitur narrativa që etiketojnë ish-krerët e UÇK-së si fajtorë, duke rrezikuar indoktrinimin dhe rishkrimin e historisë.
PDK kërkoi sqarime nga Ministria e Arsimit dhe paralajmëroi reagime publike, duke e lidhur këtë çështje me fazën finale të procesit në Hagë.
Shkollat nuk janë vend për propagandë politike apo për paragjykime historike. Edukimi duhet të ndërtojë mendim kritik, jo narrativa të njëanshme.
Ky lajm më shqetëson sepse historia e Kosovës është ende e gjallë, ende e dhimbshme dhe ende e politizuar. Mënyra se si ajo u transmetohet brezave të rinj do të përcaktojë se çfarë shoqërie do të jemi nesër.
