Live Stories from Prishtina

LIVE

30 Janar, 2026

Në mes të lumit Bindasoa, mes Francës dhe Spanjës, ndodhet një copëz toke aq e vogël sa mezi dallohet nga brigjet dhe megjithatë, aq e veçantë sa sfidon vetë idenë e kufijve kombëtarë.

Ishulli i Fazanëve (Île des Faisans / Isla de los Faisanes) është ndoshta territori më i çuditshëm politik në Evropë i pabanuar dhe që ndryshon shtet dy herë në vit.

Me gjatësi më pak se 200 metra dhe gjerësi rreth 40 metra, ishulli ndodhet pikërisht mbi vijën kufitare franko-spanjolle.

Çdo gjashtë muaj, ai kalon nga një sovranitet në tjetrin:

Nga 1 shkurti deri më 31 korrik administrohet nga Spanja ndërsa nga 1 gushti deri më 31 janar i përket Francës

Ky kalim nuk është thjesht formal. Ai shoqërohet me ceremoni zyrtare ushtarake, ku përfaqësuesit e dy shteteve dorëzojnë simbolikisht përgjegjësinë administrative.

Ishulli i Fazanëve është një nga shembujt e fundit të asaj që quhet “kondominium”, një territor që administrohet nga më shumë se një shtet. Dikur, forma të tilla ekzistonin në vende si Sudani anglo-egjiptian apo Moresnet-i neutral mes Gjermanisë dhe Belgjikës. Sot, Ishulli i Fazanëve mbetet kondominiumi më i vogël në botë.

Interesante është se ishulli nuk ka popullsi, ekonomi apo burime natyrore vlera e tij është pothuajse simbolike dhe historike.

Rëndësia e ishullit lidhet drejtpërdrejt me Traktatin e Pirenejve të vitit 1659, marrëveshja që i dha fund luftës shumëdekadëshe mes Francës dhe Spanjës dhe përcaktoi kufijtë modernë të dy shteteve.

Ishulli u zgjodh si territor neutral për negociata, një zgjidhje diplomatike që shmangte çdo pretendim sovran.

Në qendër të ishullit qëndron ende sot Monumenti i Paqes së Pirenejve, një strukturë e guri që kujton këtë moment historik. Në anën franceze, ishulli quhet edhe “Ishulli i Konferencës”, për shkak të bisedimeve vendimtare që u zhvilluan aty.

Përtej diplomacisë, ishulli ishte edhe skenë e politikës martesore evropiane. Në vitin 1659, aty u takuan për herë të parë Luigji XIV i Francës dhe Maria Tereza e Spanjës, vajza e Filipit IV, një martesë që shërbeu për të forcuar paqen mes dy fuqive rivale.

Në dekadat që pasuan, ishulli u përdor edhe për takime të tjera mbretërore dhe shkëmbime simbolike, duke u shndërruar në një hapësirë ku konfliktet zëvendësoheshin nga marrëveshjet.

Sot, pavarësisht famës së tij, Ishulli i Fazanëve nuk është i hapur për publikun. Ai konsiderohet zonë ushtarake dhe administrohet, sipas periudhës ose nga Marina Spanjolle ose nga autoritetet franceze përmes një “regjenti” me rol kryesisht ceremonial. Vetëm gjatë ceremonive të ndërrimit të sovranitetit lejohen vizita shumë të kufizuara, të organizuara nga bashkitë lokale.

Zona përreth qytetet Irun dhe Hendaye (Andaig) mbart një histori të trazuar kufitare. Gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe Luftës së Dytë Botërore, kjo ishte një rrugë e rëndësishme për arratisje, kontrabandë dhe kalime të fshehta, çka e bën neutralitetin e ishullit edhe më domethënës.

Edhe pse ndryshon zyrtarisht kombësinë dy herë në vit, për banorët lokalë Ishulli i Fazanëve është mbi të gjitha, bask. Baskët, me një gjuhë dhe identitet që i paraprijnë shteteve moderne, e shohin ishullin si pjesë të një trashëgimie kulturore të përbashkët një hapësirë që nuk i bindet vijave administrative.