Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Shkurt, 2026

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Kisha pas qejf të isha veç pak më e madhe se 7 vjeç e gjysëm, kur u shpallë Pavarësia e Kosovës, jo për diçka se momentet e mëdha të 17 shkurtit 2008, si tërësi i mbaj mend, por me pas pas mundësinë me i kujtu edhe fjalët e secilit kur e kanë shpreh gëzimin dhe ëndrrën shekullore.

E sot në çdo muhabet kisha citu njerëz, isha bo mozaik i tyre që përjetun gjithçka. Tek e fundit ne jemi mozaik i njerëzve që kemi në jetë, në këtë rast kisha pas qejf me qenë mozaik i 17 shkurtit.

Mozaik i vuajtjeve, mozaik i gëzimit, mozaik i lirisë, mozaik i mungesës së atyre që kurrë nuk u bashkuan, mozaik i zërave që ikën jashtë për të krijuar zë më të fortë për neve brenda, mozaik i puhisë së çdo vjetori, se historia që harrohet përsëritet <3!

Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Por propozimi i presidentit Martti Ahtisaari nuk kishte marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por akti i shpalljes së Pavarësisë nuk i dha fund dialogut që kohë pas kohe rrëshqiti edhe në diskutime për ndryshim kufijsh. Negociatat me Serbinë, të ndërmjetësuara herë nga Bashkimi Evropian e herë nga Shtetet e Bashkuara, kanë përbërë çështjen kryesore të politikës së jashtme, në përpjekjen për t’i dhënë fund sfidimit që Serbia ia bën shtetësisë së Kosovës.

E lëshimet në emër të këtij kompromisi kanë qenë të mëdha, të cilat kulmuan me ujdinë që Serbia e konsideron vegël për ushtrimin e kontrollit mbi një pjesë të territorit.

Megjithëse tani përjashtohet mundësia e diskutimeve për ndryshim kufijsh, të cilat ishin pjesë e diskursit gjatë vitit 2018-2019, rrezik po konsiderohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin Kosova ka dhënë një zotim me marrëveshjen e 19 prillit të vitit 2013.

Përveç Serbisë që insiston në këtë pikë, edhe ndërmjetësuesit e dialogut e kanë lëshuar topin në anën e palës kosovare, duka ia kërkuar modalitetet e Asociacionit. Qeveria që tani udhëhiqet nga partia që kishte kundërshtuar edhe me protesta këtë mekanizëm, nuk ka dhënë sinjale se mund të ndryshojë qëndrimin.

18-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.

Nga ora 7 do të bëhet ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës, pas 20 minutave, përkatësisht në orën 7:20 do të mbahet mbledhja solemne e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në orën 7:30 do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve e pas pesë minutash do të bëhen homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë.

Në orën 8:00 mbahen homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova e pas 10 minutash te te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Nga ora 9 do të ketë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz e në 10:30 do të mbahet seancë solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nga ora 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti Heroinat, në orën 11:30 mbahet parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në 17:30 pritje shtetërore nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe dita do të përmbyllet me koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës

Ndërsa nga ora 14:00, organizuar nga platforma “Liria ka emër”, do të marshohet për nderë të çlirimtarëve të mbajtur në Hagë tash e 5 vite.

Çfarë ditë që ta përmbush zemrën! Mozaik i lirisë <3