Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Mars, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!


Qetësia shpirtërore është gjithnjë e më e vështirë të gjendet në kohët e sotme të trazuara. Paqja që secili përpiqet ta ruaj brenda vetes, shpesh rrethohet nga shqetësime publike që depërtojnë në jetën e përditshme, ndonjëherë edhe në mënyrë brutale.

Emocionet që formësojnë opinionin dhe opinionet që nxisin emocion te miliona njerëz tani përshtaten në pëllëmbën e një dore që mban një pajisje.

Në fillim të viteve ’90, në një realitet krejt tjetër politik e shoqëror në Kosovë u shfaq figura e Ibrahim Rugovës. I zgjedhur si kryetar i Republikës së Kosovës sipas Kushtetutës së Kaçanikut dhe amendamentit të 2 majit 1992, ai do ta formësonte për herë të parë në praktikë rolin e presidentit të Kosovës.

Figura e tij e bëri termin “president” pjesë të përdorimit të përditshëm politik. Në një kohë kur shqiptarët jetonin në një sistem paralel, ky rol synonte të simbolizonte unitetin dhe të përçonte idenë e një përfaqësimi të përbashkët politik.

Rugova kaloi nëpër katër procese zgjedhore. Të parat i fitoi në formë referendare, ndërsa të dytat u mbajtën dy vjet përtej mandatit të paraparë nga Kushtetuta e Kaçanikut dhe në kulmin e luftës, vetëm tri javë pas dy masakrave të mëdha. Në zgjedhje që u bojkotuan gjerësisht, ai e rinovoi mandatin që do ta mbante deri në vdekjen e tij në vitin 2006. Në të dy rastet, zgjedhja ishte bërë me votë popullore.

Pas luftës, në vitin 2001, partia e tij fitoi zgjedhjet, por jo me shumicë të mjaftueshme për të kontrolluar të gjitha institucionet. Kryetar i Kuvendit ishte zgjedhur Nexhat Daci, ndërsa mbeteshin për t’u zgjedhur kryeministri dhe presidenti, e ky i fundit post që sipas Kornizës Kushtetuese tashmë quhej zyrtarisht “president”.

Mosmarrëveshjet rreth ndarjes së pushtetit sollën krizën e parë institucionale pas luftës, duke lënë vendin për disa muaj pa qeveri funksionale. Më në fund u arrit një kompromis: Rugova mbeti president, ndërsa u formua një qeveri koalicioni mes LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, e udhëhequr nga Bajram Rexhepi.

Gjatë mandatit të tij, Rugova madje projektoi edhe stemën e zyrës së presidentit me shqiponjën e artë me dy krena në qendër, të rrethuar nga mbishkrimi “Presidenti i Kosovës” dhe ngjyrat kaltër e ar.

Në zgjedhjet e vitit 2004, LDK sërish doli partia më e madhe, por pa shumicë të mjaftueshme. Daci mbeti kryetar i Kuvendit, ndërsa për të ruajtur postin e presidentit, Rugova ja besoi qeverinë Ramush Haradinajt, ndonëse partia e tij kishte vetëm nëntë deputetë.

Që nga ajo kohë, posti i presidentit shpesh është bërë pjesë e pazareve politike. Për vite me radhë, zgjedhja e tij është shoqëruar me marrëveshje, kalkulime dhe tensione mes partive.

Pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006, posti u mor nga Fatmir Sejdiu, i cili më vonë u detyrua të jap dorëheqje pasi u shpall shkelës i Kushtetutës.

Më pas erdhi zgjedhja e kontestuar e Behgjet Pacollit, e cila u shpall jokushtetuese. Posti i presidentit u bë pjesë e marrëveshjeve politike që lidhnin krijimin e qeverive. Një nga momentet më të pazakonta ndodhi kur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Christopher Dell, u arrit marrëveshja që solli në presidencë Atifete Jahjagën, emri i së cilës u bë publik vetëm në momentin e fundit.

Jahjaga mbetet presidentja e vetme e zgjedhur në raundin e parë me 80 vota.

Më pas erdhi koalicioni PDK-LDK dhe marrëveshja që i hapi rrugën Hashim Thaçi për t’u bërë president, ndërsa Isa Mustafa mori postin e kryeministrit.

Në vitin 2021 u zgjodh Vjosa Osmani, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Pas një përpjekjeje të parë pa kuorum, në raundin e dytë u siguruan votat e nevojshme dhe ajo u bë presidente me 71 vota.

Procesi i zgjedhjes së presidentit vazhdoi të mbetet një temë e debatit politik. Në prag të një tjetër procesi zgjedhor për këtë post, kur i erdh rendi, u hodhën ide të ndryshme, përfshirë edhe propozimin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Kjo ide u paraqit në formë amendamenti nga Osmani, në fund të një periudhe tensionesh politike dhe diskutimesh mes partive. Megjithatë, procedura nuk përparoi, pasi mungoi pjesëmarrja e deputetëve të Listës Serbe, votat e të cilëve janë të domosdoshme për ndryshime kushtetuese.

Fakti që iniciativa u paraqit në momentet e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit u interpretua nga shumëkush si një përpjekje e vonshme për të ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së këtij posti.

Pak para mesnate u thirr seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje listës së kandidatëve i shtoi edhe Fatmire Kollçakun, për të përmbushur kushtin formal. Megjithatë, në sallë mbetën vetëm deputetët e koalicionit qeverisës. Kuorumi për votim mungoi dhe seanca u shty.

Megjithatë, ajo që u bë e qartë ishte se kjo çështje shumë shpejt do të përfundonte në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila pritet të jap një interpretim nëse deputetët e kanë shkelur Kushtetutën duke mos qëndruar në sallë dhe duke mos marrë pjesë në votim.

6 marsi, nisi me një konferencë për media dhe me vendimin e Vjosa Osmanit për ta dekretuar shpërndarjen e Kuvendit.

Pas kësaj, Osmani thirri në takim liderët e partive politike për të diskutuar datën e zgjedhjeve të parakohshme. Por në këtë takim nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës Serbe.

Në debatet që pasuan, Lëvizja Vetëvendosje u akuzua se synon t’i mbajë për vete të tri postet kryesore institucionale. Në rrethanat aktuale politike kjo është e mundur edhe numerikisht, pasi në raundin e tretë të votimit mund të sigurohen votat për cilindo kandidat. Nëse kjo është moralisht e pranueshme, mbetet çështje tjetër.

Ajo që shtrohet si pyetje është pse kjo parti, sa herë që përballet me procese të mëdha politike, kërkon të shfrytëzojë boshllëqet juridike në Kushtetutë dhe t’i interpretojë ato sipas interesit të vet politik.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zgjedhur të reagojnë duke bojkotuar seancën, pa dhënë një arsye të qartë dhe pa e njoftuar paraprakisht kryetaren e Kuvendit. Edhe pse e dijnë se, edhe nëse do të bashkoheshin me Listën Serbe, nuk do t’i kishin 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kandidatin e tyre, ato kanë preferuar të luajnë me kartën e zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, ndërkohë që nuk morën pjesë në seancë, drejtuesit e tyre u paraqitën në presidencë për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja pa pritur që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jap fjalën e saj.

Në këtë situatë, figura e Vjosa Osmanit rrezikon të dalë si një nga më të dëmtuarat politikisht nga ky proces. Ajo duket se ka besuar që kandidimi dhe rizgjedhja e saj do të ishin të sigurta, duke u mbështetur edhe në popullaritetin që gëzon në publik.

Paralelisht, në të njëjtën kohë ka djegur raporte politike dhe ka ndërtuar imazhin e saj si një figurë shumë e afërt me Shtetet e Bashkuara, duke e paraqitur veten si një nga garantueset kryesore të marrëdhënieve strategjike me Amerikën.

Gjykata më 9 mars ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, masë që vlen deri më 31 mars.

Mandati i Osmanit si presidente përfundon më 4 prill.

Ndërkohë, vendimi i Kushtetueses mund t’ia kthej funksionalitetin Kuvendit për së paku 60 ditë ose ta dërgojë vendin në zgjedhje.