Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Mars, 2026

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Koha, i/e dashur lexues/e, koha e ka një mënyrë të veten që e tregon të vërtetën!

Kosova dje e kaloi kleçkën e parë që e afron më afër ëndrrave që kushdo që përcjell futboll e ëndërron, “pjesëmarrjen në Botëror”.

Historisë së Kosovës dje ju shtua edhe fitorja 4 me 3 ndaj Sllovakisë.

E ndeshja si ndeshje, na mbajti “pezull” deri në sekondën e fundit.

Në mes të këtij rrëfimi, një emër u veçua, Florent Muslija. Me notën më të lartë të mbrëmjes (7.7), ai nuk ishte vetëm më i miri në statistikë ishte vet momenti i lojës. Supergoli i tij për 3:2 ishte  goditja që jo vetëm çoi topin në rrjetë, por elektrizoi një skuadër dhe një komb. Lëvizjet e tij teknike dhe vizioni në fushë i dhanë Kosovës një dimension tjetër në lojë.

Pas tij, kontributi ishte edhe e gjithë ekipa, Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani mbajtën ritmin me paraqitje solide, ndërsa Mërgim Vojvoda ishte ndër më të qëndrueshmit në fushë. Ishte një natë ku pothuajse çdo lojtar pati momentin e vet, secili më i mirë se tjetri.

Festimi i Kosovës në stadiumin nacional të Bratisllavës mbushur me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë, për disa media serbe u cilësua “skandal”. Titujt e tyre, të mbushur me gjuhë provokuese, treguan se kjo fitore kishte kaluar “vijat kufitare të sportit” dhe kishte hyrë në territorin e simbolikës dhe narrativës politike.

Në të vërtetë, pamjet nga stadiumi tregonin festën e bijëve/bijave të atyre që kurrë nuk u kursyen vetëm që brezi sot të jetoj ditë të tilla.

Kjo është ajo që e bën futbollin kaq të fuqishëm, momentet kur loja bëhet më shumë se lojë.

Në mesin e gjithë kësaj euforie, Vedat Muriqi edhe kur foli ishte shumë me këmbë për toke, ani pse ajo që dhanë mbrëmë ishte e pa bërë më parë.

“Sonte festojmë, por nuk kemi arritur asgjë ende.” Ai e quajti Botërorin kulmin për çdo lojtar dhe pranoi se Kosova është vetëm një hap larg një ëndrre historike.

Njeriu dy zemra nuk i ka, por e ka shpirtin dhe zemrën.

Në të njëjtën natë luajti edhe shpirti ynë, Shqipëria, ani pse fati se deshi të njëjtin rezultat.

Në Varshavë, Shqipëria jetoi një ndeshje që për disa minuta dukej si fillimi i një mrekullie… por nuk përfundoi si e tillë.

Gjithçka nisi mirë për kuqezinjtë! Zgjodhën të mbrohen dhe të godasin në momentin e duhur. Polonia, me sytë nga Robert Lewandowski bënte presion, por Shqipëria qëndroi solide.

Edhe kur Arlind Ajeti u detyrua të largohej herët nga fusha, struktura nuk u thye. Ardian Ismajli hyri dhe e mbajti mbrojtjen në këmbë, ndërsa loja filloi të anoj gradualisht nga e majta, aty ku kombinimi Mitaj / Hoxha po i irritonte polakët.

Por futbolli është i pamëshirshëm… gjithçka ndryshoi brenda pak minutash.

Shqipëria u mposht 2:1 në Varshavë në Poloni, ndonëse kishte epërsi 1:0 dhe humbi disa raste shumë të mira.

Kosova është shumë afër diçkaje që dikur dukej e pamundur, Shqipëria nuk ja doli, por kjo nuk do të thotë fund, kjo do të thotë që një portë tjetër po hapet për ta.

Dhe për fund, disiplina duket e vështirë derisa fillon të tregoj rezultatin duke të çliruar!