Based on a true story
6 Prill, 2026
Në këtë tekst që do lexoni më poshtë, emrat dhe nacionaliteti janë mbajtur të fshehura.
Kujt nuk i pëlqejnë historitë e dashurisë? Mua po! Ani pse shijet e njerëzve se çka shohin dhe çka konsiderojnë interesante dallojnë, ato në thelb ruajnë veçantinë e vet për secilin që i jeton.
Në këtë procesin tonë jetësor, për disa të komplikuar e për disa të thjeshtë por e komplikuar nga qeniet komplekese (njeriu), ndjenjat jetohen dhe gjenden ndryshe. Qe për shembull dashurinë.
Dikush dashurinë e tyre e gjen herët, dikush më vonë, dikush nuk e ndjenë nevojën ta kërkoj diku tjetër fare sepse e ka brenda vetes, dikush e gjen dhe e humbet shpejt, dikush e ruan vetëm në mendje dhe shpirt pa e komunikuar fare, dikush përmes flakëve dhe stuhive e mbanë dashurinë e tij/saj gjallë, e dikush edhe kur shiu ja shuan zjarrin di ta rindezë vazhdimisht, dikush e gjen dashurinë në sy pa komunikuar fare e madje, madje… dikush e rigjen pas shumë viteve edhe pse gjatë tërë kohës e ka pasë para syve, para hundës.
Nëse e gjen vetën në ndonjërën prej këtyre formave mirë, nëse jo, paskam jetu pak, e paskam pa pak filma sa ti di edhe ato format tjera që ti i njeh. (shkruaj në [email protected], nëse do të shtosh diçka)
Por disa shpirta (janë disa) i jetojnë edhe dashuritë e ndaluara, kështu i quan shoqëria, normat e saj e shohin kështu, se ata që e përjetojnë vet, përveç fjalës së parë “dashuri” nuk njohin diçka tjetër, pra për ta nuk është e ndaluar, është thjeshtë dashuri.
Tash ju ndoshta po mendoni për atë dashurinë ku dikush, dikë e deshti edhe pse në jetën e tyre kishte tjetër kë.
Jo, kjo histori, tregon historinë që dëgjova nga një i afërm, e i cili ishte dëshmitar i disa copëzave të kësaj romance në fundjavë. Ky rrëfimtari im, a ka mundësi që historinë e pa si më shumë romantike se që ishte, sepse vet është personi i tillë? Po, ndodhë. Por sot po e tregoj këndin e tij, sepse më bëri të shoh diçka ndryshe, edhe pse unë si person jam më e kornizuar, kam disa parime që ndoshta edhe unë i kam nga shoqëria.
Por ka njerëz që kanë guxim, guxim t’i jetojnë emocionet e tyre pavarësisht rrethanave.
Këto histori, janë aso që disa rrinë të fshehura dhe disa jetohen larg pa dëgjuar njeri për to.
Mjaftojnë disa hapa për ta kuptuar këtë histori.
L.D, pak i shtyer në moshë, po udhëtonte me gëzim nga një vend për në një destinacion tjetër. Udhëtimi i tij ishte plot gëzim se po shkonte tek gruaja e tij.
Garant po thu e çka ka këtu që s’po shkon…
L.D është i gëzuar, në dorë e ka një qese me shumë ëmbëlsira, pije freskuese, ka llokuma, ka kafe të zezë, ka limona edhe dredhëza (i kishte marrë se në pamje të parë i ishin dukur të shijshme, po dihet që në këtë kohë s’ka kurgjo prej tyne) e krejt këto i ka vendosur në dy qese, se frikësohej që i shqyhet prej peshës, e s’ka me çka i mbartë. Qesen e ka mbush me harxh se të gjitha ka me i hangër me gruan e tij.
Në mendje vazhdimisht i sillet një pamje e njëjtë, e gruas së tij: përshëndetja e saj me dorë nga terasa e shtëpisë. Në veturën taxi, me të cilin tash e një kohë e përdorë të njëjtin, udhëton vazhdimisht nëpër këto qytete për të arritur tek gruaja e me të janë edhe disa udhëtarë të tjerë. Me ta po e ndanë pak historinë e jetës, shkurt, po gjen pak ngushëllim e rehati me ju tregu për veten.
Kur duke bisedu, po ja fillon gjithçka po kuptohet, L.D po i takojka një nacionaliteti tjetër dhe po shkonte tek gruaja e tij prej një nacionaliteti tjetër. Po këta po e tregon rehatshëm, se në veturë ka njerëz që po i takojnë nacionalitetit të gruas të tij.
Kjo nuk u ngjason atyre historive që “janë njoftu për letra”, kjo qe historia e personave, që popujt e tyre kishin luftë mes vete e që ende sot e asaj dite, asgjë nuk dihej si do të vazhdoj, ku plagët nuk janë mbyllë, ende pikojnë. Në atë rrugë dy njerëz po gjejnë diçka për me vazhdu me jetën e tyre, larg gjithçkaje.
E di, në çdo histori ka diçka për t’u thanë, për t’u kritiku, për t’u përmirësu prej larg edhe në këtë ka shumëçka për t’u thanë. Por pas gjithçkaje që mund të thuhet, në të njëjtin realitet dhe kohë, janë dy veta që veç se po e jetojnë atë jetë.
A është dashuria gjithçka? A disa gjana me moshën tolerohen? A dikur nuk ta ndinë shumë për fjalët e njerëzve?
Dikur ke gjet diçka të vërtetë në llafin e tjerëve. Me një pjesë të fjalisë ke thanë “s’është që e ka keq qitu”, e sot nuk po të interson a?
Prit pak…
A.S, gruaja, në të njëjtën moshë si L.D, familja e saj gjithmonë paska ëndërru, me martu me dikë që qëndron mirë financiarisht, e që nuk e bën ma jetën e vështirë. Fati paska deshtë të takohet me L.D.
Nuk është histori perfekte. Nuk është histori që i përshtatet moralit që shumica duan me e dëgju. Ka shumë pyetje pa përgjigje, shumë gjëra që mund të duken gabim, shumë arsye pse dikush mund të thotë “kjo nuk është në rregull”.
Dhe ndoshta nuk është.
Sepse në fund të ditës, nuk është një ide, nuk është një debat, janë dy njerëz që e kanë zgjedhë njëri-tjetrin.
Peshën e bartin vetëm ata.
Dy njerëz që po jetojnē në mënyrën e tyre, me atë pak kohë që ndoshta u ka mbetë.
Dhe ndoshta kjo është pjesa që na shqetëson më së shumti, ata kanë zgjedhur dashurinë.
E për disa, përfshirë edhe mua, kjo më kujton që dashuria edhe pse duhet të jetë pa kushte, nuk është gjithmonë e pranueshme prej kujt vjen.
Por, përsëri, ekziston.
Dhe ndoshta fundi i kësaj historie nuk është as tek L.D e as tek A.S.
Është tek ne.
Tek mënyra si zgjedhim me e pa si gabim… apo si një të vërtetë që nuk na pëlqen me e pranu!
