N’Kosovë
7 Prill, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ndonjëherë e kuptoj që ta kuptosh diçka thellësisht nuk do të thotë domosdoshmërisht që mund ta shprehësh mirë. Ka një dallim mes të diturit dhe të përkthyerit në fjalë dhe unë e ndiej më shumë këtë dallim kur përpiqem të jem i sinqertë.
Qe çka di me shpreh për atë që e shoh në Kosovë, këto ditë:
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve dhe inputeve bujqësore ka vënë në vështirësi të mëdha fermerët në Kosovë, pikërisht në një nga periudhat më të rëndësishme të vitit sezonin e mbjelljeve pranverore.
Në një artikull në indeksonline e pash tekstin ku fermeri Gani Dobratiqi ka tregu për ndryshimin çmimeve është drastik krahasuar me vitin e kaluar. Nëse më parë mbushja e rezervuarit të traktorit i kushtonte rreth 140 euro, sot për të njëjtën sasi nafte ai paguan deri në 230 euro.
Shpenzimet për një hektar misër, që vitin e kaluar ishin 30 deri në 40 euro, këtë vit mund të arrijnë deri në 100 euro. Përveç naftës, janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e farave, plehrave dhe ushqimit për kafshë. Një dugë sanë që kushtonte rreth 1 deri 1.5 euro, tani ka arritur deri në 5 euro.
Në këto kushte, fermerët paralajmërojnë se, nëse nuk ka ndërhyrje nga shteti, shumë prej tyre do të detyrohen të zvogëlojnë sipërfaqet e mbjella, çka mund të ndikojë edhe në prodhimin vendor të ushqimit.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka vendosur kufizime ditore për çmimet e derivateve, duke i përcaktuar ato bazuar në importet. Aktualisht, çmimi maksimal i naftës ka arritur në rreth 1.88 euro për litër, ndërsa benzina është rreth 1.46 euro.
Megjithatë, qytetarët nuk e shohin këtë si një lehtësim real, ata kërkojnë masa më konkrete, si ulja e akcizës apo e TVSH-së, për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.
Nga ana tjetër, bizneset e sektorit të naftës paralajmërojnë se po operojnë me marzhe minimale fitimi dhe nuk përjashtojnë protesta nëse situata vazhdon kështu.
Rritja e çmimeve lidhet edhe me zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, një rrugë kyçe për furnizimin global me naftë.
Në të njëjtën kohë, vendi po përballet edhe me një situatë të paqartë politike. Liderët e partive kryesore nuk kanë arritur ende marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, pavarësisht disa takimeve mes tyre.
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar disa takime, por pa rezultat konkret. LDK-ja insiston që presidenti i ri të mos vijë nga radhët e Vetëvendosjes, ndërsa diskutimet për emra konkretë mbeten konfidenciale.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që çdo iniciativë të formalizohet me shkrim para se të shqyrtohet, duke e bërë edhe më të vështirë arritjen e një kompromisi.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, institucionet kanë afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.
Kjo situatë e dyfishtë presioni ekonomik dhe ngërçi politik po krijon pasiguri të madhe për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e sfidave të përditshme.

