Kulturë
12 Prill, 2026
Dua të ndaj me ju diçka të cilën e kam ditë, të cilën ndoshta e dini edhe ju por që edhe njëherë e kuptova në “tren për Prizren”!
Udhëtimi është në gjenet tona. Për pjesën më të madhe të kohës që specia jonë ka ekzistuar, “ne kemi jetuar si gjuetarë, mbledhës nomadë duke lëvizur në grupe të vogla prej 150 vetësh ose më pak”, shkruan Christopher Ryan në “Civilized to Death”.
Kjo jetë nomade nuk ishte rastësi, ishte e dobishme.
“Të zhvendoseshe me një grup, me një tufë, ishte gjithmonë një mundësi për të shmangur konfliktin që po krijohej ose thjeshtë për një ndryshim në peizazhin shoqëror”, thotë Ryan.
Robert Louis Stevenson e tha edhe më shkurt “çështja e madhe është të lëvizësh”.
Po sikur të mos mund të lëviznim? Po sikur të mos ishim në gjendje të gjuanim ose të mbledhim kafshë? Çfarë duhet të bëjë një udhëtar? Ka shumë mënyra për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Megjithatë, “dëshpërimi” nuk është njëra prej tyre.
Ne jemi specie e adaptueshme. Mund të tolerojmë periudha të shkurtëra sedentarizmi (mungesë lëvizjeje) . Vetmashtrimi që i bëjmë vetes, e largon idenë që nuk kemi dalë askund.
“Nuk jemi të ngujuar”, i themi vetes, i kalojmë ditët duke shfletuar ditarë të vjetër udhëtimesh, duke shikuar foto të vjetra në Instagram, duke shikuar suveniret dhe e gjith kjo ndihmon, por për një kohë.
Shpresa më e madhe e njeriut qëndron tek udhëtimi. Udhëtimi përfshin mendime të dëshiruara prej kohësh, kërkon ta kapërcesh frikën dhe ta kapësh për dore imagjinatën për të hipur në një aeroplan për në ndonjë vend të largët, duke shpresuar, duke dëshiruar, për të shijuar të papërshkrueshmen.
Udhëtimi është një nga aktivitetet e pakta që njerëzit përfshihen pa e ditur rezultatin dhe duke u kënaqur me atë pasiguri.
Asgjë nuk është më e harrueshme sesa udhëtimi që shkon pikërisht siç është planifikuar.
Udhëtimi nuk është thelbësor ashtu siç janë thelbësore spitalet dhe dyqanet ushqimore, por është thelbësor ashtu siç janë thelbësore librat dhe përqafimet. Është ushqim për shpirtin.
Si një udhëtare, që parim ka t’i shëtis së pari ato qytete që ka afër, unë di të them se mund të lumturohem vetëm duke u ulur, pa lëvizur dhe duke soditur “ndryshimin e ngadaltë të dritës dhe reve në Malet e Sharrit” në Prizren.
Mendja ime mund të më çojë pjesën tjetër të rrugës nëpër këtë botë dhe përtej saj.
Nuk është vendi ai që është i veçantë, por ajo që i sjellim ne atij dhe më e rëndësishmja, mënyra se si ndërveprojmë me të.
Nuk kemi nevojë të udhëtojmë larg për të fituar një perspektivë të re.
Dita është e diel, temperatura +20, në shtëpi je vetëm me nënën, babain dhe motrën, je beqare si kurrë më parë, në kuletë e gjithë shtëpia keni mjaftueshëm për të gjitha detyrimet që i kërkon përditshmëria/muaji dhe disa të tjera plus sa për të shijuar jetën 3/4 herë familjarisht brenda muajit.
Është vonë të nisemi për Shqipëri, por mund të shkojmë diku që na bashkon qebapi, taratori, bakllavaja, çaji rus dhe kafeja turke, nisemi për Prizren.
Pamja është 10/10, pranvera sa ka filluar dhe gjith hapësirat me livadhe kanë kohë deri në qershor të dukën kaq gjelbër. Sharri, lart është i mbuluar me borë, ndërsa Lumbardhi, rroket gurëve teksa ka sasi të mjaftueshme në të, nga gjith shiu që ka rënë që nga fillimi i vitit.
Njerëz ka si kurrë më parë dhe të gjith i janë mësyer të njëjtave gjëra që përmenda unë.
Në një stop tek urat e njëpasnjëshme mbi Lumbardh, mund ta vësh re që njerëzit po interesohen në gështenja të pjekura rrugës, akullore të mbushura në dorë dhe blerjen e tullumbaceve për të fëmijët e tyre.
Dikur rreth orës 16:20, në xhamitë e afërta, këndohej ikindia, vakti i faljes për besimtarët mysliman.
Në një lokal, mu në brendësi të xhamisë të qendrës së Prizrenit, njerëzit po shijonin rrezet e diellit duke dëgjuar muzikë vetëm me melodi orientale.
Në tavolinën përballë, ku edhe unë po qëndroja ulur, kisha një çift të moshuar, që po ndanin një çaj, pa folur shumë.
Diku afër, një grup të rinjsh qeshnin me zë të lartë, duke e mbushur ajrin me energji.
Një fëmijë po mbante një tullumbace më të madhe se vetja, mundohej ta mbante drejt.
Në mes të gjith kësaj, e kuptova që udhëtimi nuk është gjithmonë largim. Ndonjëherë është kthim tek vetja, tek njerëzit e tu, tek një version më i thjeshtë i jetës që e ke harruar.
Asnjë “moment filmik”, asnjë aventurë që do ta tregoja me superlativa.
Ndoshta kjo është forma më e sinqertë e udhëtimit, jo ajo që të çon larg, por ajo që të afron më shumë me atë që je ti.
Se gjithçka po qëndrojka tek “si” e jetojmë atë rrugë, qoftë edhe për disa orë në një qytet që e kemi parë dhjetëra herë.
Vetëm të menduarit për një përvojë të këndshme është në vetvete e këndshme.
