Live Stories from Prishtina

LIVE

17 Prill, 2026

Përshëndetje, dashuria ime,

Një nga pjesët më të pakëndshme të jetës është të kuptosh se, pavarësisht sa me kujdes flet, sa të mira i ke qëllimet apo sa shumë e shpjegon veten, disa njerëz prapë do të largohen me versionin e gabuar tëndin.

Dhe dhemb edhe më shumë kur keqkuptohesh nga dikush që duhej të të njihte më mirë një mik, familjar, dikush prej të cilëve ti shpreson në ta, se ka qenë me ty nëpër shumë situata.

Është thellësisht zhgënjyese të “reduktohesh”. Të ndjesh që një jetë e tërë mendimesh, emocionesh, rrethanash dhe kompleksiteti sheshohet në përfundimin dembel të dikujt tjetër.

Shumë prej nesh reagojnë duke e shpjeguar veten pa fund, duke rikthyer bisedat në mendje dhe pyetur veten ku gabuam, duke rishkruar mesazhet para se t’i dërgojmë, mundohemi të bëhemi më të qartë, më të lehtë për t’u kuptuar, më të përshtatshëm, i vendosim fusnota personalitetit tonë, punojmë fort që askush të mos na keqkuptojë.

Por kjo është një mënyrë rraskapitëse për të jetuar.

Fillon të kesh nevojë që secili të arrijë te interpretimi “i saktë” për ty, që ti të ndihesh mirë me veten.

Por jo të gjithë do të të kuptojnë drejt, jo të gjithë do të duan, jo të gjithë kanë pjekurinë emocionale, vëmendjen, bujarinë apo thellësinë për t’i parë njerëzit siç janë dhe jo siç i imagjinojnë.

Nëse paqja jote varet nga mënyra si të interpreton çdo person që takon, paqja jote gjithmonë do të jetë e paqëndrueshme.

Duhet të mësosh të jesh mirë edhe kur keqkuptohesh.

Mëso të mos shembesh sa herë që dikush të sheh gabim.

Ndërto një vetvete mjaftueshëm të fortë që i mbijeton keqinterpretimit.

Gjëja e parë që duhet kuptuar është kjo, të keqkuptohesh nuk do të thotë gjithmonë që ke dështuar ta shprehësh veten. Ndonjëherë thjeshtë ke hasur në kufijtë e dikujt tjetër.

Kjo ka rëndësi, sepse shpesh fajësojmë veten për çdo lexim të gabuar të karakterit tonë. Mendojmë se po të ishim shpjeguar më mirë, po të ishim më të butë, po të zgjedhnim një ton tjetër, me mesazh më të gjatë, në kohë më të mirë… atëherë me siguri do të na kishin kuptuar.

Ndonjëherë është e vërtetë, keq komunikimi ndodh, flasim shpejt, harrojmë gjëra të rëndësishme, supozojmë se të tjerët e dinë çfarë nënkuptojmë, kur nuk e dinë dhe pastaj ka raste kur komunikimi më i qartë e zgjidh problemin.

Por ka edhe raste kur problemi nuk është shprehja është interpretimi.

Disa njerëz dëgjojnë me dyshim që në fillim, disa të tjerë janë të lidhur pas një versioni tëndin që justifikon mënyrën si të trajtojnë, disa nuk duan të të kuptojnë; duan të futesh në rolin që ta kanë caktuar.

Egoisti, i vështiri, dramatiku, ai miku rezervë (vetëm kur se kanë askënd tjetër), vajza e mirë, punonjësi që pajtohet gjithmonë, ai që nuk ndryshon kurrë, ai që nuk largohet kurrë.

Dhe kur del jashtë atij roli, ata e quajnë tradhti.

Kur shpesh, në të vërtetë, është thjesht akti yt i parë i ndershëm pas shumë kohe me vetën.

E vërteta është se askush nuk mund të të japë atë që vetë nuk e ka. Një njeri që nuk e sheh veten me mirësi, vështirë se mund të të shohë ty me mirësi.

Njerëzit nuk na shohin në formë të pastër, na shohin përmes plagëve, dëshirave, paragjykimeve, pasigurive, historive personale, projeksioneve dhe pritshmërive të tyre.

Versioni yt që jeton në mendjen e dikujt tjetër është pjesërisht prej teje dhe pjesërisht prej tyre.

Dhe kjo na tregon se “perceptimi i tyre nuk do të jetë kurrë plotësisht nën kontrollin tënd”.

Kjo është e vështirë për t’u pranuar, sepse kontrolli të jep rehati. Nëse çdo keqkuptim do të ishte faji yt, të paktën mund ta rregulloje. Por kur disa keqkuptime janë të pashmangshme, duhet të mësosh diçka më të vështirë se prezantimi i vetes.

Duhet të mësosh përmbajtjen.

Duhet të dish kur ke shpjeguar mjaftueshëm.

Disa sqarime janë të nevojshme, disa biseda kanë rëndësi, disa marrëdhënie e meritojnë përpjekjen për t’u sqaruar.

Por ndonjëherë, pasi ke folur qartë dhe sinqerisht, gjëja më dinjitoze që mund të bësh është të ndalosh.

Ndal së dhëni hyrje në botën tënde të brendshme me shpresën se transparenca do të sjellë mirëkuptim, sepse shpesh nuk e sjell.

Është poshtëruese të përpiqesh të kuptohesh nga dikush që është i vendosur të të keqkuptojë.

Vazhdon të japësh e të japësh, duke shpresuar se edhe një fjali tjetër do të të shpëtojë nga mendimi i tyre.

Por në atë pikë nuk po flet më për të qenë i sinqertë po flet që të të falin.

Nëse nuk e njeh veten, çdo opinion mund të të tronditë, çdo thashethem mund të të lëkundë dhe çdo ndryshim toni mund të të fusë në panik.

Shpesh ka tri anë të një historie: ana jote, ana ime dhe e vërteta. Asgjë nuk është bardh e zi, megjithatë njerëzit shpesh nxitojnë të besojnë se ai që flet i pari, ai që qan më shumë apo tingëllon më i sigurt, duhet të ketë të drejtë.

Do të ketë momente në jetë kur nuk do ta korrigjosh dot plotësisht historinë. Një miqësi mund të mbarojë para se të shpjegohesh. Një familjar mund të mbahet pas një versioni të vjetër tëndin. Mund të flitet për ty në dhoma ku emri yt është prezent, por konteksti yt jo.

Dhemb por ndodh.

Një mënyrë për ta përballuar është të pranosh se “që të të njohin thellë është gjë e rrallë”.

Shumica e njerëzve do të njohin vetëm një fragment tëndin.

Versionin tënd në punë, versionin nga shkolla, versionin gjatë një periudhe të vështirë, versionin para se të ndryshoje, versionin që atyre u nevojitej.

Shumë pak njerëz do ta njohin të gjithë arkitekturën.

Disa njerëz takojnë vetëm korridorin tonë dhe e ngatërrojnë me gjithë shtëpinë. Është për të ardhur keq, por nuk është gjithmonë detyra jote t’i shëtisësh në çdo dhomë.

Ke të drejtë të ruash pjesë të vetes, ke të drejtë të lejosh disa keqkuptime të kalojnë pa e kthyer jetën tënde në mision për t’i zgjidhur.

Në fund, jemi njerëz. Sigurisht që dhemb të keqkuptohesh. Jemi qenie shoqërore, duam lidhje dhe duam të na shohin saktë ata që duam. Nuk ka asnjë çmim për të pretenduar të kundërtën.

Por duhet ta mbash mend edhe këtë është më e lehtë për dikë të të keqkuptojë sesa të të kuptojë.

Me gjithë dashurinë time.

E.RR