Për Titin
2 Maj, 2026
E shtunë,
Shkruar për t’gjithë ata që kanë humbur dikë♥️
A e di se ku mund të dëgjohen lutjet më të sinqerta? Më lë ta shpjegoj…
Të enjten, më 30 prill dhimbja më përshkoi shqisat, duke më shtrënguar diçka thellë në zemër. Por sado që përpiqesha ta largoja, në mendje më rikthehej vazhdimisht fytyra e zbehtë e Dorinit, (nipi, kolegu) të cilin e thirrën me urgjencë për të shkuar tek Titi.
Sepse në atë moment mes shtrëngimit të duarve të mija, të cilat vazhdimisht po djerësiteshin, në vete vetëm po thoja lutje.
Lutjet e sinqerta dëgjohen në koridore, në dhoma, në hapësira ku të dashurit tanë kanë lënë shenja mirësie, dashurie, e ti lutesh me të njëjtën shpresë që ata të t’kthehen në ato hapësira.
Në dhimbje, paramendoj që edhe tjerët po luteshin, e vet atë shpirtin e lodhur e paramendova duke ju dorëzuar dhimbjes tashmë disa mujore.
Por lutjet e mija e të më të dashurve si duket nuk arritën në qiell.
Nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend më parë, por ja ku është. Një goditje e fortë, më vjen nga zëri i nipit të tij, të cilin e telefonuam pasi meraku na kishte kapluar çdo qelizë. “Titi ka ndërru jetë”, tha.
Se kisha menduar kurrë se do ta dëgjoja këtë lajm kështu, në këtë moment, në këtë vend. Në vendin që ai fali aq shumë dashuri.
Ju tashmë e keni parë kudo kontributin e ndikimin e Titit. Çdo medium ka shkruar për të: drejtor i Paper Radios, themelues i 18 radiove; ka qenë pjesë e këtij sektori qysh prej fundit të viteve ’80-ta. Në vitin 1989 për herë të parë u lidh me radion ku kishte thënë: “Na ftuan si mysafir me një shok timin dhe aty pastaj nisëm një emision, top-listë”. Prej atëherë, radios nuk iu nda më kurrë duke themeluar edhe kanale unike si ai për muzikë klasike.
Ama Titi njësoj si i kuronte listat, i kuronte edhe marrëdhëniet e tij me njerëzit. Në Paper njëherë m’tha: “Ilirin si vëlla e shoh”, për Kujtën “m’vihet veç kur e di që Kujta është këtu”, për Fiten “krejt budall (si fjalë dashnie) është”.
Ka qenë sinonim i “zotnillëkut”, frizura e tij ka qenë unike dhe flokët gjithmonë i ka mbajtë të gjata, ngjyrën e zezë e ka pasë ligj, e jelekun mbi këmishë kod, që shpesh me sarkazëm i thoshte vetës “si kamarier i Grandit”, orën me qystek e ka pas specialitet, për me të tregu që sot e ka vendos në xhep, t’ka thanë “pyetëm sa është ora”, si njëfarë anglezi i vjetër.
Me espreso gjithqysh është dasht me pas diçka omel për me shoqëru, biskotat i ka pasë numër një në listë, krem bananet e “kraš-it” i ka pa si pjesë të dytë të menysë.
Cheesecake-un e ka përmend që e don edhe që e gatunë mirë, po nuk na ra hise me e provu. Për ditëlindje të Drinit na e premtoi, po gjendja e tij nuk ja mundësoi.
Me pak fjalë u “tranu” pas çokollatave. Rrëfimin e preferuar ka pasë njoftimin me Ellën, gruan e tij, edhe qysh e ka bo për veti me çokollatat e vogla, prap të Kraš-it.
Për radio, gjithmonë ka thanë “nëse najherë dalim me transmetim në Shqipni, atëherë e mbylli misionin tem me radio”.
Edhe qashtu ndodhi… sot listat e Titit dëgjohen deri në kufirin me Greqinë edhe do vazhdojnë të dëgjohen.
Paper Top 40, i ka 265 lista veç në Paper, shto këtu edhe qindra tjera që i ka realizu në Radio Kfor dhe Radio Prishtina që atëherë e kanë pasë emrin “Titi’s Top 40”. Paper Select, Paper Anthems, Darka, Paper Mediterranean (e cila transmetohej të shtuneve verës), të gjitha ishin dhe do jenë kryeveprat e Titit.
Titi njerëzit i ka pa si këngë e me këngë e la amanet edhe ta përcjellin deri tek dhoma e tij e fundit. “Power of love” do jetë kënga që merr tjetër kuptim në jetën time pas atij momenti.
Koha është hajduti më i madh. Nuk e di kurrë kur do të jetë hera e fundit që do të ndash momente me të dashurit e tu.
Gjithmonë mendojmë se do të ketë një “më vonë” apo një “nesër”.
Dhe nëse të qëndrosh pranë tyre është gjëja e fundit që mund të bësh, le të jetë përqafimi yt dhe “të dua” kujtimi i tyre i fundit.
Ndërsa jeta ka mënyrën e saj për t’i rregulluar gjërat duke i lënë disa të jetojnë, ata që i merr janë për të na mësuar dhimbjen dhe lëshimin e dashurisë për ta.
Të lësh dikë të shkojë, duke e ditur se nuk do të kthehet kurrë, është dhimbja më e madhe që ekziston.
Në vend që të shqetësohesh për momentin e fundit, mendo se çdo moment mund të jetë i fundit.
Ajo që ka vërtetë rëndësi është të jesh pranë tyre, t’u mbash duart, t’u japësh përqafimet më të forta dhe fjalët më të ëmbla para se të mbyllin sytë. Fakti që ata e dinë se je aty, mund të jetë pamja e fundit dhe më ngushëlluese për ta.
Tit, e kom ditë pak prej dashnisë që njerëzit në Paper e kanë pasë për ty, po dje (1 maj 2026) e pash çka ka nënkuptu Ella kur thojke “krejt njerëzit e dojnë Titin”. Sa njeri ka ardhë m’i thanë ”lamtumirë” madhështisë tane, që gjithmonë ka qenë e vërejtshme, por e lehtë.
Dashuria nuk është gjithmonë të shohësh dikë duke jetuar jetën në maksimum. Ndonjëherë, ajo do të thotë të përqafosh dhimbjen e lamtumirës.
Paper will always love you!

