Live Stories from Prishtina

LIVE

6 Maj, 2026

Rreth kësaj teme lexova sot në artikullin e kulturës në koha.


Në lexim të parë është “Çajtore” me një ndërhyrje të vogël e shndërron në “Gaytore”. Brenda saj ndërtohet një Kosovë në miniaturë ku brenda saj bashkëjetojnë përjetimet kolektive.

Titulli i ekspozitës është po aq kompleks sa edhe përmbajtja e saj “Kujt i përket toka derisa pikturohet era?” po njëjtë është edhe historia e zanafillës është e shtresëzuar.

Gjithçka lidhet me një ngjarje të ndodhur në Drenicë, ku Petriti po kryente përgatitjet për operën “Syrigana”.

Opera “Syrigana”, një rrëfim dashurie ku Adami dhe Eva bazuar në besëtytnitë lokale, para mijëra vjetëve kishin zgjedhur që pikërisht në ato kodrina të kurorëzonin dashurinë e tyre. E në një mëngjes pak ditë para premierës, kontejnerët ku gjendeshin krejt rekuizitat për “Kopshtin e Edenit” u gjetën të djegur dhe mbi të u lanë shenja të nacionalizmit serb.

Në Berlin, ku jeton dhe vepron, ai ka krijuar “Çajtoren” një hapësirë që me një zhvendosje të vogël kuptimore bëhet edhe “Gaytore”. Brenda saj vendoset ekspozita “Who does the earth belong to while painting the wind?!”, një rrëfim që nuk kufizohet vetëm te një ngjarje, por hap pyetje më të thella mbi tokën, kujtesën dhe përkatësinë.

Një nga elementet qendrore të ekspozitës është vetë kontejneri i djegur. I shndërruar në vepër arti, ai ruan gjurmët e dhunës dhe të vandalizmit, por njëkohësisht fiton një kuptim të ri. Nuk është më vetëm dëshmi e një sulmi, por një trup i transformuar, i hapur, i copëzuar dhe i rikthyer në jetë përmes artit. Brenda tij vendosen elemente simbolike si dardha dhe zogjtë e zinj, që lidhen me kujtesën, tokën dhe idenë e lirisë.

Ekspozita nuk ndalet vetëm te kjo ngjarje. Ajo shtrihet edhe në të kaluarën personale të artistit. Në hapësirë përfshihen edhe vizatime të tij të fëmijërisë, të cilat gjatë luftës u groposën nga nëna e tij për t’u shpëtuar.

Megjithatë, zemra e gjithë kësaj përvoje mbetet “Çajtorja”. Ajo është ndërtuar si një ambient mikpritës, me qilima tradicionalë, libra dhe defe, duke rikrijuar atmosferën e odës kosovare. Nuk është thjesht një element skenografik, por një hapësirë funksionale ku vizitorët mund të ndalen, të ulen, të bisedojnë dhe të përjetojnë ekspozitën në mënyrë më intime.

Transformimi i saj në “Gaytore” e zgjeron këtë ide edhe më tej. Hapësira bëhet simbol i përfshirjes dhe i pranimit, ku tradita nuk përjashton, por bashkëjeton me identitete dhe përvoja të ndryshme. Është një vend ku këngët, bisedat, kujtesa dhe trupat e ndryshëm gjejnë vend pa pasur nevojë të ndryshojnë për t’u pranuar.

Brenda kësaj hapësire vendosen edhe materiale dhe dokumente historike që dëshmojnë narrativat e vjetra të dhunës dhe përjashtimit. Por përballë tyre qëndrojnë elemente të tjera libra për zogj, këngë dhe forma të jetës së përditshme që e zbusin dhe e sfidojnë atë rëndesë. Kjo krijon një kontrast të vazhdueshëm mes së kaluarës së dhimbshme dhe mundësisë për një realitet më të hapur.

Ekspozita lidhet drejtpërdrejt me operën “Syrigana”, por nuk mbetet vetëm vazhdim i saj. Ajo është një horizont i ri rrëfimi, ku ngjarjet reale transformohen në pyetje dhe reflektime më të gjera. Në vend që të japë përgjigje të drejtpërdrejta, Halilaj zgjedh të shtrojë pyetje: çfarë mendësie mund të djegë një “parajsë”? Dhe çfarë mbetet pas saj?

Pikërisht përmes “Çajtores”, kjo përvojë bëhet e prekshme.