Live Stories from Prishtina

LIVE

18 Maj, 2026

Të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njëherë në jetë dikë që e përshkruan mirë këtë thënjën “mend donte, mend s’kishte, mend shiste”.

Pra po flasim për dikë që nuk pranon kritika por tenton t’i këshilloj të gjithë, dikë që flet me bindje për gjërat që nuk i di, dikë që s’ka shumë për të treguar por i’a mbanë vetës lartë.

Tipi i njeriut që ta shpjegon jetën si profesor, ndërkohë që ende nuk di të dallojë arrogancën nga vetëbesimi.

Ata që të jepin leksione për suksesin, por borxhin e ka “veç edhe dy ditë ta kthej”.

Ata që s’ka lexuar dy faqe rresht, por debaton sikur sapo ka dalë nga ndonjë panel ekspertësh në televizion.

Ka edhe prej atyre që hyjnë në një dhomë dhe menjëherë krijojnë atmosferën sikur kanë ardhur për të shpëtuar njerëzimin.

Flasin për gjithçka për politikë, ekonomi, marrëdhënie, shëndet, futboll, astrologji, madje ndonjëherë të japin edhe këshilla konsistencë e konsistenca e tyre e vetme është “llafi i tillë”.

E çudia më e madhe është bindja që kanë.

Një rast klasik është ai personi që të ndërpret sa herë flet, vetëm për të thënë saktësisht të njëjtën gjë që e the ti por me më shumë zë ose ai që nuk ka mbajtur një punë stabile asnjëherë, por të shpjegon si “duhet menaxhu biznesi”.

Apo si ekspert pas dy videove në TikTok që mendon se e ka zbuluar sekretin e universit dhe tani ndjen obligim moral të ndriçojë edhe të tjerët.

Saktë për situatat ku tipat e tillë të lënë pa tekst gjuha shqipe ka disa shprehje frazologjike:

“Dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë!”

“Edhe qeros edh fodull!”

“Breshri e rreh e hunda me majë!”

“S’e lë hunda të kullotë!”

“Si gjeli majë plehut!”

Madje këto shprehje nuk janë thënë kot. Shqiptari në vend që të mbajë ligjërata motivuese treorëshe, i ka mbyllur krejt me një fjali.

Shkurt, saktë dhe me thumb aty ku duhet.

Nuk e di a të ka ndodhur edhe ty të ndeshesh me njerëz të tillë që t’ua thuash këto shprehje kur komunikon me ta, por mbajeni si “vathë në vesh” sepse zakonisht njerëzit më të mençur janë ata që e dinë kur duhet të heshtin.

Ndërsa këta të tjerët… mezi presin të flasin, edhe kur nuk kanë çka të thonë. Sidomos ata që ecin me atë qëndrimin “e di krejt dynjanë”, ndërkohë që krejt informacionin e kanë nga komentet e Facebook-ut dhe një kushëri që “punon jashtë”.

Frazologjia shqiptare është aq e pasur sa mund të gjesh shprehje për gjithçka që do të shprehesh: ironi, mosbesim, fat të mirë, naivitet, hipokrizi.

E njëjta vlenë edhe me idenë sa fruti përdoret në frazologji për të shprehur një emocion.

Pëshembull për të nënkuptuar që “nuk ma hedhë” themi “nuk i ha ato kumbulla”.

Apo edhe “nuk i ha unë ato fore”.

Edhe kjo është art në vete, me ta dhuru hapësirën me kuptu atë që e ka lënë të nënkuptohet.