Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Maj, 2026

Romakët e lashtë njihen si mjeshtër të ndërtimit dhe inxhinierisë, të cilën edhe kanë lënë pas vepra mbresëlënëse që vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot. Një nga shembujt më të famshëm është Panteoni në Romë një strukturë gati 2 mijë vjeçare që mban ende rekordin për kupolën më të madhe në botë të ndërtuar me beton që nuk ka brenda hekur (armaturë) apo ndonjë material tjetër përforcues.

Sekreti i qëndrueshmërisë së këtyre strukturave qëndron tek materiali i ndërtimit – betoni pozolanik.

Për të ardhur tek ky materiali përzihen materialet si hiri vullkanik i njohur si “pozzolana”, i emërtuar sipas qytetit italian Pozzuoli, gëlqerja dhe uji.

Për shumë kohë, shkencëtarët besonin se betoni i fortë dhe i qëndrueshëm i romakëve vinte vetëm nga përbërësit e tij por studimet e fundit kanë treguar se kjo nuk është e gjithë historia.

Në vitin 2023, një ekip ndërkombëtar studiuesish, i udhëhequr nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT), zbuluan se misteri nuk qëndronte tek materialet por tek mënyra e përzierjes së tyre.

Një nga zbulimet më interesante ishte prania e copëzave të vogla të bardha të gëlqeres. Më parë, mbetja e copëzave të gëlqerës në beton konsiderohej si rezultat i përzierjes së dobët por për shkencëtarin e materialeve Admir Masic të MIT-it, kjo nuk kishte kuptim. Ai mendoi se “nëse i kanë lënë kështu, duhet të ketë diçka të rëndësishme në këtë muhabet”.

Masic dhe ekipi, i udhëhequr nga inxhinierja civile e MIT-it, Linda Seymour, studiuan me kujdes mostra 2,000-vjeçare të betonit romak nga vendi arkeologjik i Privernumit në Itali.

Analizat treguan se romakët nuk përdornin vetëm gëlqeren e përpunuar me ujë (hidroksid kalciumi), në vend të saj, ata përzienin drejtpërdrejt gëlqeren e pashuar pra formën fillestare të gëlqeres (oksid kalciumi) me hirin vullkanik dhe me ujë në temperatura shumë të larta, ky proces u quajt “përzierje e nxehtë”.

Kjo teknikë kishte disa avantazhe të rëndësishme:

Lejonte reaksione kimike që nuk ndodhin në temperatura më të ulëta

Përshpejtonte procesin e ngurtësimit të betonit

Rriste qëndrueshmërinë dhe fortësinë e materialit

dhe sekretin e vërtetë, kishe aftësi të “riparimit”

Një nga zbulimet më të jashtëzakonshme është aftësia e betonit romak për t’u vetë-riparuar. Kur krijohen çarje, ato shpesh kalojnë nëpër copëzat e gëlqeres, nëse në këto çarje hyn ujë, ai reagon me gëlqeren dhe formon një solucion të pasur me kalcium, i cili më pas ngurtësohet si karbonat kalciumi.

Ky proces “ngjit” çarjen dhe ndalon përhapjen e saj, duke e bërë betonin shumë më rezistent ndaj dëmtimeve me kalimin e kohës.

Ky fenomen është vërejtur edhe në struktura të tjera romake, si në varrin e Caecilia Metella-s, ku çarjet janë mbushur natyrshëm me kalcit. Madje edhe muret bregdetare romake kanë mbijetuar për mijëra vite pavarësisht goditjeve të vazhdueshme të valëve të detit.

Studiuesit kryen eksperimente duke krahasuar betonin me gëlqere të pashuar me betonin modern pa këtë përbërës. Rezultatet treguan që betoni romak u vetë-riparua brenda dy javësh, ndërsa betoni i zakonshëm mbeti i çarë.

Studimet e mëvonshme, përfshirë një analizë në vitin 2025, tregojnë se megjithëse betoni romak kërkon më shumë energji dhe ujë në fillim, jetëgjatësia e tij shumë më e madhe mund ta bëjë atë më të qëndrueshëm krahasuar me çimenton moderne “Portland”.

Shkencëtarët po punojnë tani për ta komercializuar këtë teknologji, duke synuar krijimin e një betoni që nuk ndikon në dëmtimin e mjedisit dhe më të qëndrueshëm për ndërtimet moderne.

https://www.sciencealert.com/