Dje n’Kosovë
1 Qershor, 2026
Asgjë nuk fillon pa një pyetje andaj ja ku e keni edhe ju një të tillë: A keni menduar ndonjëherë se si do të ishte bota pa algoritmet që nxisin konflikt?
Ja disa histori të spikatura nga kjo javë nga Kosova dhe Shqipëria, të përzgjedhura nga Paper dhe të personalizuara për ju.
Komuna e Prishtinës po propozon një rregull të ri që mund t’i detyrojë njerëzit nga qytetet e tjera të Kosovës të paguajnë 10 euro sa herë që hyjnë me veturë në qendrën e Prishtinës.
Përveç kësaj, kushdo që nuk është banor i Prishtinës dhe fle në hotel ose në një vend tjetër akomodimi në kryeqytet, mund të paguajë edhe 1 euro shtesë për çdo natë qëndrimi.
Politika është prezantuar në draftin që përmban ndryshimet në Rregulloren për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, dokument të cilin këtë javë Komuna e ka vënë në platformën për konsultime publike.
Ideja e Komunës është të zvogëlojë numrin e veturave në kryeqytet dhe të krijojë të hyra shtesë për qytetin.
Si do të aplikohet kjo tarif çdo ditë për ata që vinë çdo ditë për punë, shkollë ose shërbime tjera?
Nëse Prishtina merr edhe afro 20 milionë euro ne vit, në emër të të qenit kryeqytet, a nuk janë të mjaftueshme këto për një zgjedhje alternative për ta reduktuar numrin e hyrjeve shtesë?
***
Dy javë pasi ambientalistët denoncuan punimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, është zbuluar se punimet po kryhen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. (citizens.al)
Sipas Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kompania ka një leje për punime përgatitore, si rrethime dhe ndërtim rrugësh, por ende nuk ka marrë lejen përfundimtare të zhvillimit të projektit.
Shqetësimi kryesor i ambientalistëve është se publiku nuk ka informacion të plotë për projektin, ndërsa kompania që po e zhvillon ka një strukturë pronësie të ndërlikuar me pronarë të huaj. Ata frikësohen se ndërhyrjet mund të dëmtojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore në Shqipëri.
Ndërkohë, organizata ndërkombëtare si EuroNatur dhe BirdLife Europe kanë kërkuar ndalimin e punimeve dhe më shumë transparencë për projektin.
Ndërkohë gjatë protestës së të shtunës pati tensione dhe një protestues u lëndua duke u tërhequr zvarrë nga punonjësi i kompanisë private të sigurimit. (kompania e sigurimit ishte e kontraktuar nga kompania që ka përsipër projektin në këtë zonë).
Fillimisht, Policia e Vlorës tha se protestuesi ishte futur me forcë brenda kantierit të ndërtimit. Por më pas, Policia e Shtetit e përgënjeshtroi këtë version dhe pranoi se raportimi kishte qenë i gabuar.
Për shkak të këtij raportimi të pasaktë, drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, u pezullua nga detyra.
***
Zona Vjosë-Nartë në Shqipëri është një vendndalesë e rëndësishme për zogjtë shtegtarë midis Evropës dhe Afrikës dhe është një nga ligatinat më të rëndësishme në të gjithë rrugën e fluturimit mbi Adriatik.
Në të jetojnë mijëra flamingo, ndonjëherë mbi 5,000 njëkohësisht.
Në vitin 2025 kjo ligatinë, ka pritur koloninë e saj të parë të folezimit, me më shumë se 280 fole të zbuluara. Kjo e shndërron Nartën në një nga parajsat më magjike të flamingove në Evropë.
Zona e Nartës është shtëpia e mbi 70 specieve të rrezikuara, 200 specieve të zogjve dhe krijesave të jashtëzakonshme si breshka e ujit, foka murg dhe bretkosa e ujit.
Për rrezikun ambiental që mund t’i katandiset Nartës u fol edhe kur filloi ndërtimi i aeroporti të Vlorës.
Sipas një artikulli të shkurar nga Uran Haxha në Kosovo 2.0: Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, ka udhëhequr një fushatë të fortë kundër ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Sipas koordinatores së kësaj organizate, Sara Skrapalliu, në ditën e testimit të aeroportit, më 8 maj 2025, zogjtë u çakorduan duke fluturuar në drejtime të ndryshme si të përhumbur.
***
Plagët e eliminimit nga gara e playoff-it te Botërorit nga Turqia, janë ende të freskëta, por jeta dhe futbolli vazhdojnë. Kosova është rikthyer në fushë në Pragë, në një miqësore luksi ndaj Çekisë pjesëmarrëse në Botërorin 2026, ku “Dardanët” humbën 2 me 1 megjithatë ishte lojë e bukur për t’u parë.

