N’Kosovë
3 Qershor, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues a e ke menduar ndonjëherë se pse u bëhet presion për të qenë “më i/e madh/e se situata” apo në anglisht (nëse ka më shumë kuptim për ty) “to be the bigger person” gjithmonë personit të cilit i është bërë e padrejta?
Çka po ndodhë në Kosovë?
Kosova po afrohet një hap më pranë heqjes së roamingut me Bashkimin Evropian.
BE-ja ka miratuar nisjen e negociatave me Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me synimin që qytetarët të mos paguajnë më tarifa shtesë kur përdorin telefonin në vendet e BE-së.
Nëse marrëveshja finalizohet, një qytetar i Kosovës që udhëton në Gjermani, Itali apo Francë do të mund të telefonojë, dërgojë mesazhe dhe përdorë internetin me të njëjtin tarifim si në Kosovë. E njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët e BE-së që vizitojnë Kosovën.
Negociatat pritet të zhvillohen gjatë këtij viti dhe synimi është që sistemi “Roam Like at Home” të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm.
****
Ministria e Kulturës ka vendosur t’i japë RTK-së edhe 1.2 milion euro të tjera për tre vitet e ardhshme, pavarësisht se një pjesë e detyrimeve nga marrëveshja e mëparshme nuk janë përmbushur.
Nga viti 2023 deri më 2025, RTK-ja kishte marrë 750 mijë euro për të mbuluar ngjarje kulturore, për të krijuar një kanal të dedikuar për kulturën (RTK4) dhe për të zhvilluar një orkestër të vetën. Sipas raportimit, shumica e këtyre premtimeve nuk janë realizuar.
Megjithatë, Ministria dhe RTK-ja kanë nënshkruar një marrëveshje të re, sipas së cilës RTK-ja do të marrë 400 mijë euro në vit deri në vitin 2028, ndërsa do të ketë pothuajse të njëjtat obligime që kishte edhe më parë.
****
Po bëhet debat rreth Ligjit të ri për Shtetësinë, sepse ai u jep të drejtën të aplikojnë për shtetësi të Kosovës personave që kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998, si dhe fëmijëve të tyre.
Opozita po pretendon se kjo mund t’u hapë rrugë shumë serbëve që nuk jetojnë më në Kosovë të marrin shtetësinë kosovare.
Por ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se kjo nuk është një rregull i ri i krijuar nga qeveria aktuale. Sipas tij, kjo e drejtë ekziston që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe buron nga Pakoja e Ahtisaarit, ndërsa në vitin 2012 u bë pjesë e përhershme e Kushtetutës nga qeveritë e asaj kohe.
Ministria gjithashtu thekson se ligji nuk ua jep automatikisht shtetësinë aplikuesve. Ai vetëm u njeh të drejtën për të aplikuar, ndërsa secili rast duhet të kalojë procedurat dhe kriteret ligjore.
***

