Për më shumë se dy mijë vjet, zgjedhjet kanë ndryshuar formë, por jo qëllimin: të përcaktojnë se kush flet në emër të njerëzve. Nga kuvendet e lashta të Athinës e Romës, deri te parlamentet moderne dhe vota universale, historia e zgjedhjeve është në thelb historia e zgjerimit të së drejtës për t’u dëgjuar.
Ajo ka kaluar përmes revolucioneve, luftërave, përjashtimeve dhe betejave për barazi, duke u shndërruar nga privilegj i aristokratëve në një të drejtë themelore qytetare.
Megjithatë, rruga drejt demokracisë nuk ka qenë as e drejtë e as e njëjtë për të gjithë. Ndërsa disa vende i përdorën zgjedhjet për të garantuar lirinë e zgjedhjes, të tjera i shfrytëzuan ato si mjet legjitimimi për regjime autoritare. Kjo e bën historinë e zgjedhjeve jo vetëm një histori të votës, por edhe një histori të vazhdueshme të luftës për përfaqësim, pushtet dhe liri.
Dje në Kosovë, u shënuan zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të tretat që nga fillimi i 2025-ës e deri më sot.
Nga rreth 1.95 milion qytetarë me të drejtë vote, në zgjedhje morën pjesë vetëm 36.38 për qind e tyre, ose afërsisht 710 mijë votues. Kjo është një rënie e madhe krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur pjesëmarrja ishte 44.99 për qind. Praktikisht, rreth 200 mijë qytetarë më pak dolën në votime.
Në momentin e publikimit të rezultateve preliminare ishin numëruar mbi 99 për qind e vendvotimeve në Kosovë, ndërsa votat e diasporës dhe votat me kusht ende nuk ishin përfshirë në rezultat.
Rezultati i zgjedhjeve
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 42.92%
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 21.06%
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 17.61%
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 7.18%
Partia Socialdemokrate (PSD) – 0.27% (rreth 1,900 vota)
Vetëvendosje mbeti forca më e madhe politike në vend, por humbi rreth 8 pikë përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur kishte fituar mbi 51 për qind të votave.
PDK ruajti pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje dhe mbeti partia e dytë.
Fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte LDK-ja, e cila u rrit me rreth katër pikë përqindjeje, pasi në listën e saj u rikthye edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani.
AAK gjithashtu shënoi rritje dhe kaloi pragun zgjedhor me më shumë siguri se në zgjedhjet e kaluara, e sidomos në një kohë kur kryetari i tyre legjendar Ramush Haradinaj, i’a lëshoi vendin Ardian Gjinajt, duke e lënë atë si kandidat për kryeministër nga radhët e AAK-ë
Çfarë do të ndodhë tani?
Pavarësisht fitores, Vetëvendosje nuk siguron e vetme shumicën e nevojshme për kontroll të plotë politik. Për këtë arsye, tema kryesore e javëve në vijim pritet të jenë negociatat ndërmjet partive për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me partitë e tjera për zgjidhjen e krizës institucionale që e çoi vendin në zgjedhje.
Nga ana tjetër, LDK-ja ka vendosur një kusht të qartë për çdo bisedim politik: mbështetjen e Vjosa Osmanit për një mandat të ri si presidente.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se emri i Osmanit do të jetë pikënisja e çdo negociate.
Pse ky rezultat është i rëndësishëm?
Vetëvendosje mbetet partia më e fortë në Kosovë, por me mbështetje dukshëm më të ulët se gjashtë muaj më parë.
LDK-ja po rikuperon terren politik, duke shënuar rritjen më të madhe ndër partitë kryesore.
Pjesëmarrja shumë e ulët në votime tregon një nivel të lartë apatie ose pakënaqësie politike, pasi rreth 200 mijë qytetarë që kishin votuar në zgjedhjet e kaluara këtë herë nuk dolën fare në zgjedhje.
Rezultati përfundimtar do të bëhet më i qartë pasi të numërohen edhe votat e diasporës, ku janë regjistruar rreth 130 mijë votues.
I dashur lexues, rezultati cilido qoftë ai trajtohet ndryshe kur e di që ke bërë më të mirën nga vetja.