Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Korrik, 2026

Gazetat kanë qenë për shekuj me radhë një nga burimet më të rëndësishme të informacionit edhe pse sot lajmet lexohen kryesisht në internet, Kosova sot nuk ka gazeta ditore të shtypur dhe ato më shumë lexohen vetëm online.

Historia e gazetarisë është plot me kuriozitete që kanë ndryshuar mënyrën se si njerëzit informohen dhe këto janë disa prej tyre:

Gazeta e parë në botë daton që në Romën e Lashtë

Një nga pararendëset e gazetës moderne ishte Acta Diurna, e krijuar rreth vitit 59 para erës sonë në Romën e Lashtë.

Emri i saj përkthehet si “ngjarjet e ditës” ose “veprimet që ndodhën gjatë ditës”.

Ajo shkruhej me dorë dhe vendosej në vende publike, ku qytetarët mund të lexonin zhvillimet më të rëndësishme të ditës. Në të publikoheshin debatet e Senatit, lindjet, vdekjet, vendimet zyrtare, si edhe rezultatet e ndeshjeve të gladiatorëve.

Kjo konsiderohet si një nga format më të hershme të gazetës në historinë e njerëzimit.

 

“The Times” frymëzoi botën e gazetarisë

Gazeta britanike “The Times” nisi botimin më 1 janar 1785 me emrin The Daily Universal Register, ndërsa në vitin 1788 mori emrin me të cilin njihet edhe sot.

Ajo është gazeta kombëtare ditore më e vjetër që vazhdon të botohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe u bë model për shumë gazeta të tjera në mbarë botën.

Një fakt interesant është se fonti i njohur Times New Roman, i përdorur edhe sot në miliona dokumente, u krijua shumë më vonë, në vitin 1931, pikërisht me porosi të kësaj gazete.

Emri “Times” është bërë sinonim i gazetarisë cilësore dhe është përdorur nga disa prej gazetave më të njohura në botë, ndër to:

The Times (Mbretëria e Bashkuar), e themeluar në vitin 1785.
The New York Times (Shtetet e Bashkuara), e themeluar në vitin 1851 dhe një nga gazetat më prestigjioze në botë.
The Times of India, që nga viti 1838, një ndër gazetat në gjuhën angleze me tirazhin më të madh në botë.
Los Angeles Times, e themeluar në vitin 1881, gazeta më e madhe metropolitane në Shtetet e Bashkuara.

Çfarë është formati “Broadsheet”?

Broadsheet është formati tradicional i gazetave me faqe të mëdha vertikale, ai lidhet zakonisht me gazetarinë serioze dhe raportimin e thelluar mbi politikën, ekonominë, biznesin dhe çështjet ndërkombëtare.

Ky format u zhvillua gjatë shekujve XVII dhe XVIII, fillimisht për arsye teknike që lidheshin me shtypshkronjat e kohës.

Gazetat broadsheet karakterizohen nga:

artikuj më të gjatë dhe më analitikë; më shumë tekst dhe më pak fotografi; fokus te lajmet dhe analizat, jo te sensacioni; një audiencë që kërkon informacion të detajuar dhe të besueshëm.

Sot shumë gazeta kanë zvogëluar përmasat e tyre për të ulur kostot e shtypit, formati broadsheet mbetet simbol i gazetarisë tradicionale.

 

Gazeta që kushtonte vetëm një cent

Në vitin 1833, në New York, u themelua gazeta “The Sun”, e cila ndryshoi mënyrën se si funksiononte industria e medias.

E krijuar nga Benjamin Henry Day, ajo kushtonte vetëm një cent, duke u bërë gazeta e parë e suksesshme e njohur si “Penny Paper”.

Falë këtij çmimi të ulët, lajmet u bënë të arritshme edhe për shtresën punëtore dhe jo vetëm për të pasurit. Për herë të parë, financimi i gazetës mbështetej kryesisht te reklamat, një model biznesi që vazhdon të përdoret edhe sot.

Përveç kësaj, gazeta shpërndahej nga shitës ambulantë në rrugë, duke e bërë informacionin më të shpejtë dhe më të aksesueshëm për publikun.

 

Çfarë do të thotë “Op-Ed”?

Shumë njerëz mendojnë se termi Op-Ed do të thotë “Opinion Editorial”, por në fakt ai vjen nga shprehja angleze “Opposite the Editorial Page” pra, faqja përballë editorialit.

Tradicionalisht, në këtë faqe publikoheshin opinione të autorëve të jashtëm dhe jo artikujt informues të gazetës.

 

Gutenberg dhe revolucioni i shtypshkronjës

Rreth vitit 1440, Johannes Gutenberg zhvilloi shtypshkronjën me shkronja të lëvizshme, një nga shpikjet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit.

Teknologjia e tij bëri të mundur shtypjen masive të librave dhe gazetave, duke zëvendësuar kopjimin e ngadaltë me dorë.

Brenda vitit 1500, në Evropë qarkullonin rreth 20 milionë libra, një rritje e jashtëzakonshme për kohën.

Shpikja e Gutenbergut pati ndikim të madh në:

përhapjen e dijes dhe rritjen e shkrim-leximit; zhvillimin e Rilindjes Evropiane; reformacionin protestant; revolucionin shkencor;
zgjerimin e qendrave botuese në qytete si Venecia, Parisi dhe Londra.

Pa këtë shpikje, zhvillimi i gazetave dhe i medias moderne do të kishte qenë i paimagjinueshëm.