Kojshitë
13 Korrik, 2026
Për dekada, Shqipëria njihej si vendi i popullsisë së re, sot po hyn tek kategoria e vendeve që po zbrazen më shpejt se sa që po plaken.
Sipas të dhënave nga Eurostat, vendi ka humbur afro një të katërtën e popullsisë që nga fillimi i viteve 2000, ritmi më i lartë i tkurrjes në Evropë.
Më 1 janar 2026 Shqipëria kishte rreth 2.34 milionë banorë, nga 3.06 milionë në fillim të viteve 2000. Në vetëm një çerek shekulli, vendit i janë pakësuar mbi 721 mijë banorë, ose 23.6% e popullsisë. Pra një në katër shqiptarë që jetonin në vend në prag të mijëvjeçarit nuk figuron më në statistikat e popullsisë rezidente. Kjo po cilësohet si ritmi më i shpejtë i tkurrjes së popullsisë në Evropë.
Bullgaria, e cila prej vitesh konsiderohet simbol i krizës demografike në kontinent, renditet e dyta me një rënie prej 21.6%, ndërsa Kosova vjen pas saj me 19.3%, sipas të dhënave të disponueshme që nga viti 2003. Pasojnë Lituania, Rumania, Kroacia, Serbia dhe Gjeorgjia, të gjitha me humbje të konsiderueshme të popullsisë, por asnjëra nuk arrin ritmin e Shqipërisë.
Në fakt, pothuajse i gjithë Ballkani Perëndimor po zvogëlohet. Serbia ka humbur rreth një të tetën e popullsisë së saj krahasuar me vitin 2000, Kroacia afro 14%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut rreth një të dhjetën. Përjashtim mbetet Mali i Zi, i cili ka regjistruar një rritje modeste prej 3.3%. Në një rajon ku emigrimi është bërë pjesë e realitetit ekonomik, Shqipëria mbetet rasti më ekstrem.
Satistikat po tregojnë një transformim të strukturës së popullësisë.
Shqipëria po përballet njëkohësisht me tri procese që ushqejnë njëri-tjetrin: emigrimin e vazhdueshëm, rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë. Së bashku krijojnë një cikël që bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u thyer.
Emigrimi mbetet forca dominuese, largimi i të rinjve nuk ul vetëm numrin e banorëve, por zvogëlon edhe grupin e njerëzve që krijojnë familje dhe sjellin brezat e ardhshëm. Pasojat shfaqen disa vite më vonë në maternitet, në shkolla dhe më pas, në tregun e punës.
Që nga fillimi i viteve të ’90-ta, Shqipëria ka kaluar disa valë emigrimi, ajo që bie në sy është se ato nuk janë ndalur as në periudha kur ekonomia është rritur dhe të ardhurat janë përmirësuar. Sipas INSTAT-it, vetëm në periudhën 2021–2026 migracioni neto rezulton negativ me mbi 166 mijë persona.
Mosha mediane ka arritur në 45 vjeç, nga 34.2 vjeç sa ishte në vitin 2014. Në vetëm 12 vjet, ky tregues është rritur 4.5 herë më shpejt sesa mesatarja e Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë se gjysma e shqiptarëve janë tashmë mbi moshën 45-vjeçare.
Shenjat janë të dukshme edhe te lindshmëria. Gjatë vitit 2025 u regjistruan vetëm 22.5 mijë lindje, niveli më i ulët i periudhës pas tranzicionit. Për krahasim, në vitin 1990 lindën rreth 82 mijë fëmijë. Shtesa natyrore po i afrohet zeros, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë zëvendësimin e brezave.
Një popullsi më e vogël konsumon më pak, krijon më pak kërkesë dhe prodhon një treg më të kufizuar. Në të njëjtën kohë, numri i kontribuuesve në skemat e pensioneve zvogëlohet, ndërsa ai i përfituesve rritet.
Prej disa vitesh bizneset raportojnë mungesë të punonjësve, veçanërisht në profesionet e kualifikuara. Për shumë kompani, zgjidhja nuk është më rritja e pagave, por kërkimi i punëtorëve jashtë vendit.
Ndërsa Shqipëria dhe pjesa më e madhe e Evropës Lindore vazhdojnë të humbin popullsi, Bashkimi Evropian po ndjek një trajektore tjetër.
Më 1 janar 2026, popullsia e BE-së arriti në 452 milionë banorë, rreth 706 mijë më shumë se një vit më parë. Ishte viti i pestë radhazi me rritje, pavarësisht faktit se kontinenti prej kohësh regjistron më shumë vdekje sesa lindje.
Rritja nuk vjen nga lindshmëria, por nga migracioni neto pozitiv.
Në vitin 2025, popullsia u rrit në 16 vende anëtare. Malta, Qipro dhe Luksemburgu regjistruan ritmet më të larta të shtimit, ndërsa Letonia, Estonia dhe Hungaria shënuan rëniet më të forta.
Malta e ka rritur popullsinë me mbi 51% që nga viti 2000, Irlanda me afro 46%, ndërsa Qipro dhe Islanda me mbi 40%. Edhe vende si Spanja, Suedia, Austria dhe Franca kanë arritur të zbusin efektet e plakjes duke tërhequr emigrantë.

