Bota
14 Korrik, 2026
Artistët krijuan pigmentet e para rreth 40 mijë vjet më parë, duke përzier dheun, yndyrën e kafshëve, qymyrin e djegur dhe shkumësin. Duke krijuar pseë ngjyrat bazë: të kuqen, të verdhën, të kaftën, të zezën dhe të bardhën.
Që nga ajo kohë, historia e ngjyrave ka qenë një histori zbulimesh të vazhdueshme, qoftë përmes eksplorimeve, qoftë falë përparimeve shkencore. Zbulimi i pigmenteve të reja shoqëroi zhvillimin e lëvizjeve më të rëndësishme artistike, nga Rilindja deri te Impresionizmi, duke u dhënë artistëve mundësinë të eksperimentonin me ngjyra që nuk ishin përdorur më parë në historinë e pikturës.

Tassili-n-Ajjer, Nigeria
Section of rock-wall painting, ca. 5000-2000 B.C.

FOTO: Raphael,
The Cardinal, 1510
E kuqja
Okra e kuqe është një nga pigmentet më të vjetra që vazhdon të përdoret edhe sot. Ajo gjendet në tokat e pasura me hekur dhe sipas dëshmive arkeologjike, është përdorur fillimisht në pikturat parahistorike të shpellave.
Në shekujt XVI dhe XVII, pigmenti më i kërkuar i kuq përftohej nga insekti koçinil (Cochineal), i cili jetonte vetëm në kaktuset me gjemba në Meksikë. Ky insekt prodhonte një ngjyrë të kuqe shumë intensive, aq të çmuar sa u bë eksporti i tretë më i rëndësishëm i “Botës së Re”, pas arit dhe argjendit.
Artistë të njohur si Raphael, Rembrandt dhe Rubens e përdornin këtë pigment si shtresë mbi nuanca të tjera të së kuqes për t’u dhënë pikturave më shumë thellësi dhe shkëlqim. Sot, koçinili përdoret si ngjyrues natyral në disa produkte kozmetike, si buzëkuqi dhe skuqësi i faqeve.

Sassoferrato,
The Virgin in Prayer, 1640-1650
E kaltra
Për qindra vjet, pigmenti blu ultramarin kishte një vlerë pothuajse të barabartë me arin. Ai përftohej nga guri gjysmë i çmuar “lapis lazuli”, i cili nxirrej vetëm në një vargmal të Afganistanit.
Që nga Mesjeta, piktorët e paraqisnin Virgjëreshën Mari me mantel blu, jo vetëm për simbolikën fetare, por edhe sepse kjo ngjyrë ishte tepër e kushtueshme.
“Lapis lazuli” u përdor në shumë kultura, nga portretet funerare egjiptiane te dorëshkrimet persiane të Kuranit dhe më vonë në pikturat e Johannes Vermeer.
Në vitet 1950, artisti francez Yves Klein bashkëpunoi me një prodhues bojrash në Paris për të krijuar një version sintetik të ultramarinit, i cili u bë ngjyra karakteristike e veprave të tij.
Sipas Klein: “Bluja nuk ka përmasa, ajo shkon përtej tyre.”

Vincent van Gogh,
Sunflowers, 1889
E verdha
Pak artistë njihen për përdorimin e së verdhës aq sa J. M. W. Turner dhe Vincent van Gogh.
Turner përdorte një pigment eksperimental të quajtur Indian Yellow, i cili prodhohej nga urina e lopëve të ushqyera me mango. Kjo praktikë u ndalua më vonë për shkak të keqtrajtimit të kafshëve.
Ai përdorte gjithashtu “chrome yellow”, një pigment sintetik me bazë plumbi, i cili ishte toksik dhe mund të shkaktonte probleme serioze shëndetësore.
Edhe Van Gogh krijoi veprat e tij më të njohura, “starry nights” dhe “sunflowers” duke përdorur nuanca të forta të së verdhës. Miku i tij, Paul Gauguin, shkroi se Van Gogh e adhuronte të verdhën sepse ajo i sillte dritë dhe ngrohtësi shpirtit të tij.

Paul Cézanne,
Mont Sainte-Victoire, ca. 1885-87
E gjelbra
Edhe pse e gjelbra lidhet me natyrën dhe rigjallërimin, pigmentet e saj kanë qenë ndër më helmuesit në histori.
Në vitin 1775, kimisti suedez Carl Wilhelm Scheele krijoi pigmentin “scheele’s green”, një jeshile e ndezur që përmbante arsenik. Për shkak të kostos së ulët dhe ngjyrës tërheqëse, ai u bë shumë popullor gjatë epokës viktoriane.
Madje edhe letër-muri në dhomën e gjumit të Napoleon Bonapartit ishte lyer me këtë pigment dhe disa historianë besojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj arsenikut mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij.
Më vonë, “Scheele’s Green” u zëvendësua nga “Paris Green”, një pigment më i qëndrueshëm, por po aq helmues. Artistë si Claude Monet, Paul Cézanne dhe Pierre-Auguste Renoir e përdorën për peizazhet e tyre.
Për shkak të toksicitetit të lartë, edhe ky pigment u ndalua në vitet 1960.

Claude Monet,
Waterloo Bridge, Blurred sun, 1903
Vjollca
Claude Monet thoshte: “Më në fund kam zbuluar ngjyrën e vërtetë të atmosferës. Ajo është vjollcë.”
Përhapja e kësaj ngjyre lidhet me shpikjen e një tubi metalik për bojërat në vitin 1841 nga piktori amerikan John Goffe Rand. Deri atëherë, bojërat ruheshin në fshikëza derri, gjë që e bënte të vështirë transportimin e tyre.
Falë tubave metalikë, artistët mund të pikturonin në natyrë (plein air) dhe u krijuan nuanca të reja të gatshme, si Manganese Violet, e cila ishte ngjyra e parë vjollcë me çmim të përballueshëm.
Impresionistët, sidomos Monet, e përdorën aq shumë këtë ngjyrë sa kritikët i akuzuan se vuanin nga “violettomania”, ose mania për ngjyrën vjollcë.

Cheever, 2009
“Black Sun” at Fondation Beyeler, Riehen
E zeza
Pigmenti më i errët që përdornin mjeshtrit e vjetër quhej Bone Black (“e zeza e kockës”). Ai prodhohej duke djegur kockat e kafshëve në ambiente pa oksigjen.
Impresionistët zakonisht shmangnin përdorimin e së zezës, duke preferuar të krijonin hijet me kombinime ngjyrash. Megjithatë, në vitet 1950 dhe 1960, artistë amerikanë si Frank Stella, Richard Serra dhe Ad Reinhardt rikthyen të zezën në qendër të vëmendjes.
Ata realizuan piktura tërësisht të zeza për të treguar se edhe kjo ngjyrë ka shumë nuanca, tekstura dhe thellësi. Reinhardt citonte artistin japonez Katsushika Hokusai, i cili thoshte: “Ekziston një e zezë e vjetër dhe një e zezë e re; një e zezë me shkëlqim dhe një e zezë mat; një e zezë në dritën e diellit dhe një tjetër në hije.”

Dan Flavin,
“monument” for V. Tatlin, 1969
E bardha
Ndër të gjitha pigmentet që janë ndaluar me kalimin e kohës, ai që artistëve u mungon më shumë është “lead white” (pigmenti i bardhë i plumbit)
Kjo ngjyrë kishte aftësinë të pasqyronte dritën në një mënyrë që pigmentet moderne ende e kanë të vështirë ta arrijnë. Në shekullin XVII, ajo prodhohej duke vendosur plumb, uthull dhe pleh kafshësh në ambiente të mbyllura për disa muaj, derisa formoheshin kristalet e bardha të pigmentit.
Në fund të shekullit XIX u vërtetua se plumbi ishte shumë helmues, ndërsa në vitin 1978 Shtetet e Bashkuara ndaluan prodhimin e bojës me bazë plumbi.
Pas kësaj, artistët filluan të përdornin pigmente më të sigurta, si e bardha e titanit dhe e bardha e zinkut, ndërsa disa, si Dan Flavin, e zëvendësuan bojën me skulptura që krijonin dritë të bardhë përmes ndriçimit fluorescent.

