Arkiva / E.Rr
27 Korrik, 2026
No hard feelings
Një nga temat më të vjetra…
Unë do të preferoja të më donin, sesa të doja unë. (këtë mendoj edhe pse e di që realiteti im është ndryshe)
Pse? Sepse të duash dikë pa ta kthyer ai/ajo dashurinë është një nga ndjenjat më të vështira që mund të përjetosh.
Në fillim, mund të mos duket edhe aq problem nëse partneri nuk të do, madje mund të thuash: “nuk ka rëndësi nëse ti nuk më do aq sa të dua unë, unë të dua gjithsesi.”
Por me kalimin e kohës, të paktën për mua, kjo situatë do të sjell shumë ndjenja negative, si dhimbje, zemërim dhe mllef.
Kur i jep dikujt gjithçka nga vetja dhe në këmbim merr vetëm mirësi dhe përkujdesje, është e vështirë të mos lëndohesh. Mirësinë mund ta marrësh edhe nga miqtë e mirë, por nga partneri pret diçka më shumë dashurinë.
Zemërimi vjen natyrshëm, fillon të pyesësh veten: “Pse nuk më do? Çfarë tjetër mund të bëj? Nuk kam më çfarë të jap.”
Pastaj lindin edhe dyshimet: “Mos vallë nuk jam mjaftueshëm për ty?”
Më pas vjen mllefi: “Nëse nuk më do, pse nuk largohesh? Gjej dikë që mund ta duash. Më lër të lirë. Edhe unë do të gjej dikë që dëshiron vërtet të jetë me mua.”
Të duash pa u dashur nuk është aspak e lehtë, është një gjendje e dhimbshme.
Ndonjëherë përpiqem të imagjinoj situatën se si do të ishte sikur të mos kisha njohur kurrë dashurinë. Nëse miqtë dhe familjarët e mi janë në marrëdhënie të lumtura, martohen dhe ndërtojnë jetën e tyre, ndërsa unë të mos e dija kurrë se çfarë do të thotë të jesh vërtet i dashuruar.
Pra mund të kem pasur lidhje dhe shumë kujdes në lidhje me partnerin, por jo të jem dashuruar me të, ndoshta edhe nga jashtë të përceptohesha nga të gjithë si e dashuruar, por thellë brenda vetes ta dija që nuk është ashtu, si do të ndihesh?
A do të ndihesha sikur më mungonte diçka? A do të ndihesha bosh sepse nuk kam gjetur askënd për ta dashur? Apo sepse nuk ndihem e aftë të dua? A do të ndihesha ziliqar kur shihja çifte që dukeshin të lumtura?
Ndoshta do të pyesja edhe:
“A nuk është dashuri ajo që ndiej? Cili është ndryshimi?”
Përgjigjja ime është “jo”, nuk është e njëjta gjë. Thellë brenda vetes do ta dija se diçka mungon, një pjesë e imja nuk do të ishte e pranishme në atë marrëdhënie.
Nuk i di përgjigjet e sakta të këtyre pyetjeve, sepse unë kam dashuruar, thjesht po përpiqem ta imagjinoj këtë situatë.
Megjithatë, besoj se do të preferoja të jetoja me ndjenjën se më mungon diçka ose se nuk jam i mjaftueshëm, sesa të përjetoja dhimbje, zemërim dhe mllef.
Ndjenja se nuk je i mjaftueshëm është një betejë me veten, ndërsa zemërimi dhe mllefi drejtohen ndaj personit që do dhe besoj se këto ndjenja negative do të më merrnin shumë energji dhe do të ndikonin keq në mirëqenien time, kjo do të më bënte edhe më të zemëruar.
Sa gjatë mund ta duash një njeri ndaj të cilit ndien mllef?
Prandaj, mendoj se do të preferoja më shumë të më donin, sesa të doja unë.
Po ju, çfarë do të zgjidhnit?
“Të duash dhe të të duan është si të ndjesh ngrohtësinë e diellit nga të dyja anët.” David Viscott

