Live Stories from Prishtina

LIVE

15 Gusht, 2026

Gelato është një nga simbolet më të njohura të Italisë, por historia e përhapjes ka një kthesë të pazakontë. Pa teknologjinë amerikane të mbetur pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta gelato nuk do të ishte bërë kurrë fenomeni që njohim sot.

Çdo verë, dhjetëra miliona turistë udhëtojnë drejt Italisë dhe për shumë prej tyre një vizitë atje nuk është e plotë pa të paktën një gelato.

Por historia e kësaj ëmbëlsire, që sot duket aq italiane sa pizza apo pasta, ka një kapitull që pak njerëz e njohin.

Për të kuptuar se si gelato u kthye nga një ëmbëlsirë lokale në një produkt të njohur në të gjithë Italinë dhe më pas në botë, duhet të kthehemi në Toskanë, në vitet pas Luftës së Dytë Botërore dhe te dy frigoriferë ushtarakë amerikanë.

Që në kohën e Romës së lashtë, njerëzit përdornin borën e maleve për të ftohur verëra të ëmbëlsuara dhe shurupe frutash.

Në Siçili, gjatë shekullit IX, sundimtarët arabë përzienin borën e malit Etna me agrume, jasemin dhe ujë trëndafili, kjo traditë do të linte gjurmë dhe në atë që sot njihet si “granita siciliane”.

Më vonë, gjatë Rilindjes, kuzhinierët në veri të Italisë filluan të eksperimentonin me fruta të shtypura dhe kremra të ftohur me borë alpine.

Në Firence, arkitekti Bernardo Buontalenti zhvilloi në shekullin XVI një përzierje me vezë dhe qumësht, duke krijuar një bazë shumë më kremoze dhe të ngjashme me gelaton që njohim sot.

Por gelato ishte shumë e vështirë për t’u prodhuar në sasi të mëdha.

Ajo përgatitej në sasi të vogla, duke përdorur akull natyral, kripë dhe shumë punë manuale edhe pasi frigoriferët elektrikë u shfaqën në fund të viteve 1920, prodhimi mbeti i kufizuar për shkak të kostos.

Gelato duhej të prodhohej dhe të konsumohej afër vendit ku bëhej. Deri sa erdhi teknologjia amerikane.

Në vitin 1946, qyteti toskan Empoli ende po rimëkëmbej pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore.

Në një dyqan të vogël bulmeti në Via del Giglio, Renzo Bagnoli dhe vëllezërit e tij Sergio e Loriano nisën të eksperimentonin me gelato.

Dyqani, i marrë fillimisht nga babai i tyre Romeo Bagnoli, shërbente kafe, ëmbëlsira dhe, gjatë verës, sasi të vogla gelatoje.

Por familja Bagnoli kishte në dispozicion vetëm një frigorifer, i cili nuk ishte aspak i përshtatshëm për prodhim të vazhdueshëm.

Pas luftës, pajisje të shumta të ushtrisë aleate kishin mbetur në Itali dhe mund të bliheshin nga civilët.

Bagnolët arritën të siguronin dy frigoriferë industrialë amerikanë të përdorur nga ushtria.

Më vonë, ata gjetën edhe pajisje për prodhimin e akullores në një pikë skrapi dhe filluan t’i përshtatnin pjesët.

Gelato ka nevojë për një proces ngrirjeje të shpejtë dhe të qëndrueshëm për të ruajtur strukturën e saj të dendur dhe kremoze.

Me pajisjet e reja, familja Bagnoli mund të prodhonte sasi më të mëdha gelatoje, pa humbur cilësinë dhe teksturën.

Ata filluan të eksperimentonin me përbërjen e recetës, raportin e yndyrës dhe përbërës që ndihmonin në ruajtjen e strukturës së saj.

Por prodhimi ishte vetëm gjysma e problemit, “Gelato” duhej edhe të transportohej.

Në një kohë kur kamionët frigoriferikë nuk ishin të zakonshëm, familja ndërtoi një sistem të improvizuar transporti. Kontejnerët metalikë mbështilleshin me akull dhe kripë, ndërsa arkat prej druri izoloheshin me kashtë.

Në vitin 1948, gelato e tyre “Sammontana” shpërndahej me biçikleta në Empoli dhe me një kamion të vogël nëpër Toskanë.

Sipas historianit italian të ushqimit Luca Cesari, familja krijoi edhe një enë gjashtëlitërshe që mund të përdorej drejtpërdrejt nga baret dhe kafenetë.

Më vonë, ata filluan t’u jepnin pronarëve të bareve frigoriferë pa pagesë, duke krijuar kështu një rrjet të tërë pikash ku njerëzit mund të blinin gelaton e tyre.

Kjo ishte baza e modelit që do ta kthente gelaton nga një produkt lokal në një industri kombëtare.

Historia e Sammontana-s përkoi me një periudhë transformimi të madh në Itali.

Gjatë viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1960, ekonomia italiane po rritej me shpejtësi. Pagat u rritën, familjet u zhvendosën drejt qyteteve dhe njerëzit kishin më shumë të ardhura për të shpenzuar.

Në të njëjtën kohë, Italia po zbulonte kulturën moderne të pushimeve verore.

Plazhet u mbushën me turistë, ndërsa “passeggiata” (shëtitja e mbrëmjes pas darkës) u bë pjesë e jetës së përditshme.

Gelato ishte perfekte për këtë stil të ri të pushimeve, ishte e lirë, e lehtë për t’u marrë me vete dhe lidhej me kënaqësinë e verës.

Nga një biznes i vogël që shpërndante produktet me biçikletë, Sammontana u shndërrua në një rrjet kombëtar me kamionë frigoriferikë që shpërndanin gelato nga Sicilia deri në Alpe.

Me kalimin e viteve, modeli i ri i prodhimit dhe shpërndarjes u përhap edhe te kompani të tjera italiane.

Por zhvillimi industrial nuk e zhduku gelaton artizanale.

Përkundrazi, sipas Eduardo Zucchini nga “Gelato Museum Carpigiani” në Bolonjë, konkurrenca i shtyu gelateritë artizanale të përmirësonin higjienën, teknologjinë dhe organizimin profesional.

Kështu Italia përfundoi duke pasur dy botë paralele një industri të madhe të gelatos dhe mijëra gelateri artizanale.

Sot, Sammontana është kompania më e madhe italiane e gelatos dhe ëmbëlsirave të ngrira, ndërsa biznesi vazhdon të jetë në pronësi të familjes Bagnoli në Empoli.

Dhe historia e saj është një shembull i pazakontë se si një teknologji e ardhur nga jashtë mund të bëhet pjesë e një prej simboleve më të forta të identitetit italian.

Që nga viti 1957, Sammontana përdor sloganin “Gelati all’italiana” – “Gelato në mënyrën italiane”.

Një slogan që, siç shpjegon historiani Luca Cesari, e përcakton identitetin italian edhe përmes asaj që nuk është amerikane.

Kjo është ironia më e bukur e historisë së gelatos, një nga shijet më italiane në botë u bë e tillë edhe falë dy frigoriferëve amerikanë të mbetur pas luftës.

Burimi: BBC Travel