20 Gusht, 2026
Luke Holdsworth ka lindur i shurdhër. Sot, ai qëndron pranë skenës në koncertet e artistëve më të njohur dhe përmes gjuhës së shenjave ua përcjell personave të shurdhër jo vetëm tekstin e këngëve, por edhe ritmin, emocionin dhe energjinë e performancës.
Imagjinoni të jeni në një stadium me dhjetëra mijëra njerëz. Dritat ndizen, publiku brohoret, artisti del në skenë dhe muzika fillon. Të gjithë rreth jush këndojnë, kërcejnë dhe reagojnë ndaj çdo note.
Por si mund ta përjetojë një person i shurdhër gjithë këtë atmosferë?
Kjo është pikërisht ajo që Luke Holdsworth përpiqet t’u mundësojë fansave të shurdhër në koncertet live.
Holdsworth ka lindur me humbje të thellë të dëgjimit dhe është rritur nga prindër të shurdhër. Gjuha e tij e parë ishte gjuha angleze përmes shenjave (BSL). Sot, në moshën 36-vjeçare, ai është një nga interpretuesit më të njohur të BSL-së në koncertet dhe festivalet në Britani.
Puna e tij, megjithatë, nuk është thjesht përkthim.
Kur një artist këndon, Luke nuk përpiqet vetëm t’i përcjellë publikut të shurdhër fjalët e këngës. Ai përdor duart, trupin, mimikën dhe lëvizjet për të përcjellë ritmin, melodinë, emocionin dhe energjinë e artistit.
Në disa momente, ai mund të duket sikur po luan një kitarë imagjinare. Në të vërtetë, këto lëvizje janë pjesë e mënyrës së tij për ta bërë muzikën të “dukshme”.
Edhe pse muzika ishte gjithmonë pjesë e kulturës përreth tij, ai nuk e përjetoi një koncert live deri në mesin e të 20-ave. Koncerti i tij i parë ishte i One Direction, por nuk kishte interpretim në gjuhën e shenjave.
“Dhe nuk kishte interpretim, kështu që nuk kuptova asgjë”, tregon ai.
Pikërisht për këtë arsye, Luke e di se sa shumë mund të ndryshojë një koncert kur një person i shurdhër ka akses të plotë në të.
Një nga momentet që e frymëzoi më shumë ndodhi kur pa për herë të parë një interpretuese të gjuhës së shenjave duke performuar në një festival. Ishte Tracey Tyer, një prej emrave më të njohur në interpretimin artistik në Britani.
Teksa ajo përkthente performancën e grupit Underworld në festivalin Latitude, Luke kuptoi se gjuha e shenjave mund të bëhej pjesë e vetë spektaklit.
“E përjetonte muzikën që nga sekonda e parë. Unë dhe miqtë e mi mbetëm të mahnitur” kujton ai.
Më vonë, ai pa Madonna-n në O2 Arena të Londrës me interpretim të plotë në BSL. Për të, kjo ishte një përvojë krejt tjetër.
“U ndjeva sikur isha thjesht një djalë i ri që kishte shkuar të shihte Madonna-n. Kisha atë që kishin edhe miqtë e mi që dëgjojnë në një mbrëmje të zakonshme jashtë”, thotë ai, për “positive news”.
I frymëzuar nga këto përvoja, Holdsworth vendosi të trajnohej si interpretues.
Në vitin 2023, ai interpretoi në festimet e paradës Pride në Londër, në Trafalgar Square, ku punoi edhe me personin që e kishte frymëzuar vite më parë, Tracey Tyer.
Që atëherë, Luke ka interpretuar për artistë si Lewis Capaldi, Paloma Faith dhe Disclosure.
Në vitin 2024, erdhi një tjetër mundësi e madhe, ai u përzgjodh për të interpretuar në 14 data të turneut të rikthimit të Oasis.
Për një fans të muzikës, të jesh në një koncert të Oasis është një përvojë më vete. Për Luke, sfida ishte t’ua përcillte këtë përvojë edhe atyre që nuk mund ta dëgjonin muzikën.
Ai duhej të përcillte jo vetëm këngët, por edhe karakterin e grupit.
“Arritëm të sillnim qëndrimin e tyre, madje edhe atë vetëbesimin e tyre karakteristik ishte e domosdoshme!” thotë ai duke qeshur.
Për këtë arsye, interpretimi i tij përfshin shumë më tepër sesa lëvizjet tradicionale të duarve. Ai përdor gjithë trupin dhe shprehjet e fytyrës për të përcjellë atë që po ndodh në skenë.
Sot, kalendari i Luke është i mbushur me koncerte. Ai ka interpretuar në Wembley për Harry Styles, ndërsa ka pasur edhe performanca të tjera me Lewis Capaldin dhe në festivalin Latitude.
Por ai dëshiron që kjo të mos jetë diçka e veçantë që ofrohet vetëm në disa koncerte.
Sipas tij, personat e shurdhër nuk duhet të jenë ata që vazhdimisht kërkojnë leje, pyesin nëse do të ketë interpretues apo blejnë një biletë duke shpresuar se koncerti do të jetë i përshtatshëm për ta.
Nëse një event po promovohet për publikun, thotë ai, interpretimi në gjuhën e shenjave duhet të jetë pjesë e tij dhe kjo duhet të bëhet e ditur që në fillim.
Sepse për Luke, kjo nuk ka të bëjë vetëm me mundësinë për të kuptuar tekstin e një kënge por të jesh në frymën e atij komunitetit që gjendet aty.
Për të dalë me miqtë, për të kërcyer, për të qeshur, për të ndarë emocionin me mijëra njerëz të tjerë.
Muzika nuk duhet të jetë një përvojë e rezervuar vetëm për ata që mund ta dëgjojnë, por një emocion që mund të përjetohet nga të gjithë.

