Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Shtator, 2026

Nga Ditari i Paper  | 2026

Ka diçka që nuk më lë t’i teri sytë sot, e thirra babin në telefon kah ora 11:55 edhe më tha “u goditëm!”, pas pak sekondave i dëgjojsha zërat “Ku je nis moj lulja me erë, në Prekaz tek Baca Adem”.

Diqysh vetë, kur po dëgjojë zanin e njerëze duke thanë vargje të kangëve që UÇK-ja i këndonte në marshimet e vet, fyti po më shtrengon e lot vetë po më rrjedhin, as nuk po du me ia spjegu askujt, pse e çka po ndodhë në sekondat që lotët po më pikojnë, në këtë ditë me diellë që po ma nxeh krytë e shpinën po jo shpirtin.

Po më vjen me shku e me bërtit “unë edhe vendi jem e dina çka është historia jonë!!!”

Një popull që për vite me radhë jetoi nën represion, që pa familjet e veta të përndiqeshin, shtëpitë të digjeshin dhe njerëzit të vriteshin e të dëboheshin, u ngrit për të kërkuar lirin që i ishte mohuar për dekada e kjo liri ishte bashkë me atë që emrin kishte UÇK.

Sot, pas gjithë atyre viteve, disa prej figurave kryesore të saj janë dënuar.

Vendimi dënues ndaj UÇK-së u mundua të “lahet” duke thënë që po flitet për përgjegjësi individuale ndërkohë potencohej e ripotencohej se krerët e UÇK-së e anëtarët e saj vepruan si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.

Hajt kallxom tani qysh mos ta ndjesh peshën e një vendimi kur në arsyetimet e tij përmendet edhe ideja se drejtuesit e UÇK-së vepruan si pjesë e një “Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale”?

Çfarë standardi drejtësie po përdorim kur flasim për përgjegjësinë e atyre që luftuan në Kosovë dhe si krahasohet ai me përgjegjësinë e atyre që drejtonin strukturat shtetërore serbe dhe jugosllave?

Ndërkohë, zyrtarë të lartë serbë të dënuar nga TPNJ-ja për krimet e kryera në Kosovë morën dënime që varionin nga 14 deri në 22 vjet.

Ndërsa, Milan Milutinović, President i Serbisë në periudhën 1997–2002, u gjykua dhe u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykata tha se nuk kishte prova të mjaftueshme që ai kishte kontroll real mbi forcat e Ushtrisë Jugosllave (VJ) dhe policisë serbe (MUP) që kryenin krimet në Kosovë.  

E Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi paskan pasë kontroll mbi shqiptarët që iu nënshtruan represionit serbë e u ngritën që të luftojnë për një jetë të lirë?? Qenkan ngritur për të luftuar për liri dhe mbi një strukturë guerile me kapacitete dhe organizim të kufizuar?!!

Po qysh ka thanë edhe Jakup Krasniqi në njërën prej deklarateve të tij në Gykatën Speciale, po e citoj: “Se populli ynë e ka një fjalë thotë ‘njeriu është më i fortë se guri dhe atë që se mban guri e mban njeriu’”.

Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Por vendimi i marrë, veç në emër të popullit të Kosovës nuk është. JOOOO, s’është!

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia, por se ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, që njëherë e mirë luftës tonë edhe një herë t’i shkruhet në ballë e vërteta e pastërt e saj.

(më poshtë, marruar nga Blendina Veliqi)

Nebojša Pavković – Komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë Jugosllave  i denuar me 22 vjet.

Sreten Lukić – Shef i Shtabit të MPB-së serbe për Kosovën i denuar me 20 vjet.

Nikola Šainović – Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë i denuar me 18 vjet.

Vlastimir Đorđević – Zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike i denuar 18 vjet pas Apelit.

Dragoljub Ojdanić – Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave i denuar me 15 vjet.

Vladimir Lazarević – Komandant i Korpusit të Prishtinës i denuar me 14 vjet pas Apelit.

Këta torturuan, ndaluan, vranë, masakruan, dhunuan e debuan shqiptarë të Kosovës. Kishte plan në letër për spastrim etnik, edhe u amnistuan.

Liria e Kosovës nuk filloi në një sallë gjyqi dhe nuk mbaron me një aktgjykim.

Ajo u pagua shumë më herët.

Dhe këtë histori, sado të rëndë ta bëjë koha, Kosova nuk duhet ta harrojë kurrë.