N’Kosova
26 Tetor, 2026
I gjithë teksti që do ta lexoni më poshtë, flet për përpjekjen e Arlindës për të mbetur gjallë dhe lutjen e saj të pa ndalur ndaj shtetit që t’i ndihmoj të mbetet gjallë.
Arlinda, është një emër që përcjell idenë e një personi të çmuar, që sjell dritë e gëzim në jetën e të tjerëve por dritën e një Arlinde e shuan mbrëmë.
Një Arlinde, që po lutej për ndihmë, po qante që dikush ta shite atë dhe atë që ajo po hiqte.
Shteti e dinte se Arlinda Zekaj nuk ishte e sigurt në shtëpin e saj, e dinte se ishte e rrahur, e dinte se ishte dëbuar nga shtëpia, e dinte se nuk po mund ta shihte djalin e saj, e dinte se po jetonte në një prone të përbashkët nën frikë e kërcënim.
Dhe ajo që Arlinda ua tha në letër, ajo ndodhi, Arlinda nuk jeton më dhe vrasësi zgjodhi sopatën që t’ia merrte jetën.
Sipas gazetës Sinjali, Arlinda kishte kërkuar disa herë ndihmë nga institucionet, sepse kishte raportuar dhunë në familje dhe kishte probleme me bashkëshortin për kujdesin ndaj djalit.
Ajo kishte arritur të merrte një urdhër mbrojtës të pjesshëm, gjykata i kishte ofruar një formë mbrojtjeje, por jo domosdoshmërisht të gjithë mbrojtjen që ajo kishte kërkuar.
Për ta siguruar këtë urdhër, asaj i ishte dashur të priste dhe të kërkonte vazhdimisht që institucionet të vepronin. Edhe avokatja e saj kishte ndërhyrë disa herë për të kërkuar që çështja të trajtohej më shpejt.
Arlinda dhe avokatja e saj kishin kontaktuar disa herë Kryeprokuroren në Pejë Lumturije Vuçetaj, e cila është e vetmja kryeprokurore grua në vend dhe i kishin shkruar gjykatës.
Në letrën drejtuar asaj ajo kishte thënë: “Tash po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan, e jo burri! E dhimbshme deri në asht!”
Qëllimi i tyre ishte që institucionet të mos e vononin më tej vendimin për mbrojtjen e Arlindës.
Arlinda po luftonte për ta pasur djalin pranë vetes
Problemi nuk ishte vetëm mbrojtja e saj personale, ajo po përpiqej edhe ta merrte djalin e saj që të jetonte me të.
Sipas raportimit të Sinjalit, bashkëshorti i saj ishte larguar për në Amerikë dhe fëmijën e kishte lënë nën kujdesin e personave të tjerë.
Arlinda kishte kërkuar që djali të qëndronte me të, por procesi po shoqërohej me pengesa dhe vonesa.
Arlinda kishte kërkuar nga Qendra për Punë Sociale që të përgatiste një raport për situatën e fëmijës, por sipas ankesave të ngritura, ky raport po vonohej.
Për këtë arsye, ishte kërkuar ndërhyrje edhe nga kryetari i komunës, përmes një letre ku shprehej shqetësimi për mënyrën se si po trajtohej çështja e djalit.
Sipas informacioneve të raportuara nga Sinjali, kur bashkëshorti ndodhej në Amerikë, familjarët e tij jetonin në Deçan.
Por, pas nxjerrjes së urdhrit mbrojtës për Arlindën, dyshohet se ata ishin kthyer në shtëpinë në Vitomiricë, ku jetonte Arlinda me djalin e saj.
Pse u kthyen ata në atë shtëpi? A ishte ky veprim në përputhje me kushtet e urdhrit mbrojtës?
Më 22 tetor 2026, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda i kishte dërguar një letër urgjente Kryeprokurores në Pejë. Ajo kërkonte që të merreshin masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin kryer detyrat, që të zbatohej menjëherë urdhri i gjykatës dhe të hetohej puna e institucioneve.
Në letër, ajo kishte paralajmëruar se institucionet mund të kërkonin llogari vetëm pasi asaj t’i merrej jeta. Tri ditë më vonë, Arlinda u gjet e vrarë në shtëpinë e saj.
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, ndërsa bashkëshorti, Jeton Sylaj, sipas Sinjalit, është ndaluar për 48 orë pas intervistimit.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka kërkuar raport për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt dhe ka autorizuar analizimin e veprimeve institucionale lidhur me këtë rast.
Çfarë analize zotri kryeprokuror, përfundimi është që Arlinda nuk jeton… ne duam hapa konkret…
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Arbërie Nagavci ka thënë se sot në orën 16:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ndërsa Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë kombëtare për të mërkurën, në orën 16:00, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Pas protestës ju lutem që kujtimin për Arlinden, të mos e mbaj vetëm famija e saj por të gjithë ne… të flitet për të çdo ditë dhe rasti i saj të tregohet gjithmonë, e mos të harrojmë që kur e tregojmë rastin e saj të tegojmë edhe për ata që nuk vepruan kur Arlinda qante për ndihmë.
