Paper Radio

Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Tetor, 2026

Një ish që të shkruan fshehurazi, një flirt që nuk shuhet kurrë, kjo jo domosdoshmërisht tradhti fizike, por jo edhe vërtet besnikëri… po kur e mban një raport me dikë tjetër anash për çdo rast?

E njeh atë personin që është në një lidhje, por prapë gjen kohë t’i përgjigjet ish-it, t’ia bëjë like story-t dikujt që i pëlqen ose të mbajë një flirt të vogël gjallë? E kjo nuk është thjesht miqësor/e, këtë në ditët e sotme “moderne” e quajn “cushioning”.

Termi përshkruan një sjellje të dikujt që edhe pse është në një lidhje ekskluzive, mban njerëz të tjerë afër si alternativa rezervë. Jo domosdoshmërisht sepse dëshiron ta përfundojë lidhjen aktuale, por sepse do të sigurohet që, nëse gjërat shkojnë keq, të mos mbetet vetëm.

Me pak fjalë e ka/k një partner, por nuk dëshiron ta mbyllë derën për të tjerët.

Një plan B

“Cushioning” mund të duket krejt i pafajshëm në fillim, një mesazh këtu, një kompliment atje, një “çka po bën?” dërguar në orët e vona, ndoshta një ish që nuk është larguar kurrë plotësisht nga jeta jote ose një person me të cilin ankohesh për problemet e lidhjes, ndërkohë që bisedat po bëhen gjithnjë e më intime.

Dallimi qëndron te qëllimi, (dhe nuk po i arsyeton askush) këta persona që bëjnë “cushioning” nuk janë domosdoshmërisht duke kërkuar një lidhje të re tani, ata thjesht duan t’i mbajnë opsionet hapur, për çdo rast.

Sipas Amy Chan, trajnere e marrëdhënieve dhe autore e librit UNSINGLE: How to Date Smarter and Create Love That Lasts, kjo sjellje mund të lidhet me frikën nga vetmia dhe refuzimi. Të kesh dikë në pritje mund ta bëjë idenë e një ndarjeje më pak të frikshme, sepse gjithmonë ekziston një vend ku mund të mbështetesh.

Më shumë po tingëllon si diçka praktike për egon?

A është kjo tradhti apo thjesht flirt i pafajshëm?

Jo çdo bisedë me një person tjetër është tradhti, as çdo like në Instagram është shenjë e një lidhjeje të dyfishtë, por kur komplimentet thuhen vetëm kur ti mendon se askush nuk po të sheh dhe dëgjon apo kur mesazhet fshihen dhe kur dikush tjetër shndërrohet në burimin tënd të vëmendjes romantike, kufijtë fillojnë të mjegullohen.

“Cushioning” mund të konsiderohet një formë e asaj që quhet “microcheating” veprime që mund të mos përbëjnë tradhti të hapur, por mund ta cenojnë besimin brenda një lidhjeje.

Sipas Chan, rëndësi ka edhe ajo që qëndron pas veprimit, nëse je në një lidhje ekskluzive, por vazhdon t’i mbash të hapura kanalet e flirtit me të tjerët, mund të jesh duke e shkelur frymën e marrëveshjes suaj, edhe nëse nuk e ke kaluar një kufi që e keni përcaktuar shprehimisht.

Si mund ta kuptosh që je duke bërë cashioning?

Imagjinoje partnerin duke i lexuar të gjitha mesazhet që ke dërguar, do të ndiheshe rehat? Apo do të filloje menjëherë me: “Nuk është ashtu siç duket!”?

Nëse përgjigjja është kjo e fundit, ndoshta ia vlen të mendosh dy herë.

Pse e bëjmë këtë? Frika nga vetmia apo nevoja për vëmendje?

Ndonjëherë, “cushioning” nuk ka të bëjë aq shumë me personin që mbahet në rezervë, sa me nevojën për t’u ndier i/e dëshiruar.

Chan sugjeron se kjo sjellje mund të lidhet me pasigurinë personale dhe nevojën për vërtetim nga të tjerët. Kur dikush nuk ndihet mjaftueshëm i sigurt në vete ose në lidhjen e tij, vëmendja e një personi të tretë mund t’i japë një ndjenjë të përkohshme sigurie.

Një tjetër arsye mund të jetë shmangia e bisedave të vështira, në vend që të përballet me problemet e lidhjes, të shprehë dyshimet ose të flasë hapur për atë që nuk funksionon, personi fillon të ndërtojë një dalje të fshehtë.

Dhe kur takimet online e bëjnë kaq të lehtë njohjen me njerëz të rinj, tundimi për t’i mbajtur opsionet hapur bëhet edhe më i madh.

Në këtë rast në vend që të zgjidhen problemet e një lidhjeje, krijohet një tjetër problem, ai i mungesës së sinqeritetit.

Gjuha e takimeve moderne është mbushur me emërtime për sjellje që dikur mund të përshkruheshin thjesht si lojëra emocionale.

Breadcrumbing: i jep dikujt aq vëmendje sa të mos humbasë interesin, por kurrë aq sa të krijosh diçka serioze.

Benching: e mban dikë në stol si alternativë, pa e zgjedhur plotësisht.

Cushioning: je në një lidhje, por mban alternativa romantike në gatishmëri, në rast se lidhja dështon.

Monkey-barring: kalon drejt një lidhjeje të re pa e lëshuar plotësisht të vjetrën.

Në thelb, të gjitha këto sjellje mund të tregojnë se sa e vështirë është bërë për disa njerëz të përballen drejtpërdrejt me pasigurinë, refuzimin dhe konfliktin.

Po nëse je ti personi që mbahet në rezervë?

Nëse zbulon se partneri yt po bën “cushioning”, është normale të ndihesh i/e tradhtuar, të dyshosh në veten tënde ose të pyesësh veten nëse gjithçka që keni pasur ka qenë e vërtetë.

Mund të fillosh t’i rikthehesh çdo mesazhi, çdo ndryshimi në sjellje dhe çdo momenti kur diçka nuk të është dukur në rregull. Por përpjekja për të rindërtuar çdo detaj të së kaluarës mund të të lodhë më shumë sesa të të ndihmojë.

Chan sugjeron që, pas përpunimit të emocioneve, të reflektosh edhe mbi atë që mund të mësosh nga përvoja.

A kishte probleme që nuk u diskutuan kurrë? A ndiheshe i/e lirë t’i shprehje shqetësimet e tua? A ishin kufijtë e lidhjes të qartë për të dy?

Këto pyetje nuk e bëjnë sjelljen e tjetrit përgjegjësinë tënde, vendimi i dikujt për të mbajtur alternativa fshehurazi është zgjedhje e tij, jo dëshmi se ti nuk ke qenë mjaftueshëm.

Nëse vendosni të vazhdoni lidhjen, është e rëndësishme të flisni hapur për atë që konsideroni tradhti, çfarë do të thotë për ju përkushtimi dhe cilët janë kufijtë që të dy duhet t’i respektoni.

Të kesh frikë nga një ndarje është njerëzore, të kesh dyshime për një lidhje është gjithashtu normale por të mbash dikë tjetër në pritje, pa e ditur partneri yt, nuk është e njëjta gjë si të përballesh me këto ndjenja.