N’Kosova
30 Tetor, 2026
Humbja e Arlindës dhe mënyra si e kemi humbur atë, është ndër fatkeqësitë më të mëdha që kemi përjetuar bashkë me vrasjen e të gjitha grave tjera në vendin tonë.
Me rastin e shumë audio-incizimeve të publikuara më 28 dhe 29 tetor 2026, ku po kemi rastin të dëgjojmë zërin e Arlindës, po e shohim që falë saj, falë zgjuarësisë së saj, kulturës së saj, falë dashurisë së saj ndaj të birit, falë përkushtimit të saj na e ka dokumentuar një sistem përmes një rasti, një sistem përmes të cilit kush raporton dhunën në familje ndër të tjera po u pritka me fjalët “na ke lodhë’”. Je lodhë? Kush je ti që je lodhë? Ti je polici i vendit tem, je polici që supozohet ta garantoj sigurinë time. Andaj kushdo që ka dështuar në funksionimin e mekanizmave të këtij sistemi çka do të duhej të bënte…
Pak më herët ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e minstrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, folën në konferencën për media për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe për shkeljet e bëra pothuajse në të gjith zingjirin ku Arlinda kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje.
Kaq… na e shpjeguan dështimin në mbrojtjen e të së ndjerës dhe na treguan se si dorëheqja e tyre nuk do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Kështu tha Sveçla, ndërsa ministrja Gërvalla tha se po ta konsideronte që dorëheqja do të ishte mekanizimi që do të kontribuonte për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, do të kishte dhënë dorëheqje, por në këtë rast është e kundërta.
Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar të enjten lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Zekajt.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i pezulloi nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokuroren e rastit të Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferi.
KPK-ja tha në një njoftim për media se ka themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit të Zekajt.
Si ndaj Vuçetajt, ashtu edhe ndaj Nallbani Gacaferit, KPK vendosi që të iniciohen procedura disiplinore dhe për këtë u themelua panel hetimor, thuhet në njoftim.
Më vjen mirë që në mesin e të shumtëve që injoruan zërin e Arlindës, dikush tentoi që ta shpëtonte atë nga rreziku që ia mori jetën, e nga rreziku që e bënte të rrinte brenda katër mureve bashkë.
Qendrim Sheremeti, hetues policor, shkroi një e-mail për komandën e Policisë në Pejë dhe kërkoi që Arlinda Zekaj, viktimë e dhunës në familje, të vizitohej çdo ditë nga një patrullë policore. Një ditë më vonë, 49-vjeçarja u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë.
Ky email u dërgua të premten, më 23 tetor, në orën 19:53. Iu drejtua shefit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, Faruk Muqolli, dhe pesë zyrtarëve të tjerë policorë.
Sipas tij, një natë më parë në shtëpi kishte pasur “rrethana dhe situatë acaruese” mes Arlindës, ish-bashkëshortit të saj dhe familjarëve të tij. Prandaj, ai propozoi monitorimin e vazhdueshëm të viktimës, duke kërkuar që ajo të vizitohej çdo ditë.
A mund të parandalohej vrasja e Arlinda Zekajt? Po, kështu thanë dy ministrat, e mes tjerash u tha që raste aktive me rrezik të lartë në Kosovë janë 155.
Çfarë po ndodhë me kërkesat e tyre për mbrojtje pra ose çka do të ndodhë?
Sepse drejtësia për Arlindën nuk lidhet vetëm me ndëshkimin e personit që shpallet fajtor për vrasjen e saj por edhe me të drejtën e publikut për të ditur nëse mekanizmat e mbrojtjes funksionuan dhe çfarë duhet të ndryshojë që raste të tilla të mos përsëriten.
