Bota
15 Nëntor, 2026
Për më shumë se dy mijë vjet, Kleopatra është përshkruar si një nga gratë më joshëse të historisë. Një mbretëreshë që magjepsi dy nga burrat më të fuqishëm të Romës dhe që, sipas rrëfimeve më të njohura, përdori bukurinë për të ruajtur pushtetin. Por sa dimë realisht për të? A ishte vërtet bukuria sekreti i ndikimit të saj, apo historia e saj është shumë më komplekse?
Kleopatra VII lindi në vitin 69 para erës sonë, në familjen mbretërore Ptolemeike, një dinasti me prejardhje maqedonase-greke që sundonte Egjiptin prej afro tre shekujsh. Babai i saj ishte Ptolemeu XII, ndërsa identiteti i nënës së saj nuk dihet me siguri.
Edhe pse sundonte Egjiptin, Kleopatra u rrit në Aleksandri, një qytet me kulturë kryesisht greke. Gjuha e saj e parë ishte greqishtja koine, por, ndryshe nga paraardhësit e saj, ajo mësoi edhe gjuhën egjiptiane. Burimet antike e përshkruajnë si një grua me njohuri të shumta dhe aftësi të veçanta komunikimi.

Kur babai i saj vdiq në vitin 51 para erës sonë, Kleopatra ishte vetëm 18 vjeçe dhe trashëgoi fronin së bashku me vëllain e saj më të vogël, Ptolemeun XIII, me të cilin, sipas traditës së dinastisë, u martua.
Por bashkëqeverisja nuk zgjati shumë, të dy palët nisën të luftonin për kontrollin e plotë të Egjiptit. Kleopatra u detyrua të largohej përkohësisht nga vendi dhe të kërkonte mbështetje në Siri, ndërsa vëllai i saj mbeti në pushtet në Aleksandri.
Në këtë periudhë, Roma po përjetonte një luftë të madhe politike mes Jul Çezarit dhe kundërshtarëve të tij. Kleopatra e kuptoi se fati i fronit të saj tashmë lidhej drejtpërdrejt me vendimet që merreshin në Romë.
Për të rimarrë pushtetin, Kleopatra iu drejtua Jul Çezarit, i cili në atë kohë ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të Romës. Takimi i tyre u shndërrua në një marrëdhënie personale dhe politike.
Çezari mbështeti Kleopatrën në konfliktin me vëllain e saj. Në vitin 47 para erës sonë, Ptolemeu XIII vdiq pasi u mbyt në lumin Nil gjatë përplasjes me forcat e Çezarit.
Kleopatra u rikthye në fron, këtë herë së bashku me vëllain tjetër, Ptolemeun XIV. Pak më vonë, ajo lindi një djalë, Ptolemeun XV, të njohur si Cezarion, të cilin bashkëkohësit e konsideronin djalin e Jul Çezarit.
Por kjo aleancë nuk zgjati përgjithmonë. Në vitin 44 para erës sonë, Çezari u vra nga një grup senatorësh romakë. Kleopatra, e cila në atë kohë ndodhej në Romë, u kthye në Egjipt. Pas kësaj, ajo vazhdoi të sundonte së bashku me djalin e saj.
Vdekja e Çezarit nuk e shkëputi Kleopatrën nga politika romake, përkundrazi, ajo duhej të krijonte një aleancë të re për të mbrojtur Egjiptin.
Në vitin 41 para erës sonë, gjenerali romak Mark Antoni e thirri në qytetin Tarsus, në Turqinë e sotme, për të diskutuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kleopatra vendosi ta kthente këtë takim në një shfaqje të vërtetë madhështie, sipas përshkrimeve të autorëve antikë, ajo mbërriti me një anije luksoze, me vela të purpurta, aromë temjani, muzikë dhe veshje mbretërore. Para Antonit nuk qëndronte thjesht një grua që kërkonte mbështetje, por një sundimtare që dinte ta përdorte imazhin dhe autoritetin e saj.
Takimi u pasua nga një lidhje romantike. Antoni u afrua gjithnjë e më shumë me Kleopatrën dhe për një periudhë jetoi në Aleksandri. Së bashku patën tre fëmijë: binjakët Aleksandër Helios dhe Kleopatra Selene, si dhe Ptolemeun Filadelf, sipas National Geographic.
Por kjo marrëdhënie kishte edhe pasoja politike, Antoni ishte një nga udhëheqësit e Romës dhe rivaliteti i tij me Oktavianin po bëhej gjithnjë e më i ashpër. Kur Antoni u nda nga Oktavia, motra e Oktavianit, konflikti mes tyre u thellua.
Oktaviani e përdori lidhjen e Antonit me mbretëreshën egjiptiane për të ndërtuar një fushatë kundër tij, duke e paraqitur si një romak që po i shërbente interesave të Egjiptit dhe jo të Romës. Kështu, Kleopatra u bë një nga figurat qendrore të luftës që do të vendoste të ardhmen e rajonit
Në vitin 31 para erës sonë, forcat e Antonit dhe Kleopatrës u përballën me ushtrinë e Oktavianit në betejën detare të Aktiumit, në brigjet e Greqisë së sotme.
Fitorja i takoi Oktavianit, Antoni dhe Kleopatra u tërhoqën drejt Egjiptit, por forcat kundërshtare vazhduan avancimin deri në Aleksandri.
Një vit më vonë, kur disfata ishte e pashmangshme, Antoni mori lajmin e gabuar se Kleopatra kishte vdekur. Në dëshpërim, ai plagosi veten me shpatë. Kur mësoi se ajo ishte ende gjallë, u dërgua pranë saj, ku edhe vdiq.
Kleopatra mbeti e vetme përballë Oktavianit. Ajo tentoi të negocionte me të, por kuptoi se ai synonte ta merrte në Romë si të burgosur dhe ta ekspozonte gjatë paradës së triumfit.
Në gusht të vitit 30 para erës sonë, Kleopatra vdiq në moshën 39-vjeçare. Sipas versionit më të njohur, ajo i dha fund jetës me helmin e një gjarpri, por kjo nuk është vërtetuar. Disa studiues mendojnë se mund të ketë përdorur një helm tjetër.
Me vdekjen e saj përfundoi dinastia Ptolemeike dhe Egjipti u shndërrua në një provincë të Perandorisë Romake. Djali i saj Cezarion u vra me urdhër të Oktavianit, ndërsa fëmijët e saj me Mark Antonin u dërguan në Romë
Varri i Kleopatrës është një nga misteret më të mëdha arkeologjike të historisë. Më shumë se 2 mijë vjet pas vdekjes së saj, ende nuk dihet me siguri se ku u varros mbretëresha e fundit e Egjiptit.
Arkeologia egjiptiane Kathleen Martínez ka kaluar rreth dy dekada duke kërkuar varrin në Taposiris Magna, një kompleks i lashtë tempujsh, rreth 50 kilometra në perëndim të Aleksandrisë. Gjatë gërmimeve janë zbuluar monedha me portretin e Kleopatrës, objekte të lashta, dhoma nëntokësore dhe një tunel rreth 1.3 kilometra i gjatë që shkon drejt detit.
