Dje n’Kosovë
23 Nëntor, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Po, mirësia edhe keqpërdoret por kjo nuk do të thotë se nuk ka vende tjera, njerëz tjerë, momente tjera ku mund ta shfaqësh shpirtin tënd të bukur dhe të ia vlej që e ka shfaqur.
Në emër të sëmundjes E.A. është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin për veprën penale të mashtrimit, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar historinë e sëmundjes për të përfituar financiarisht, duke hapur edhe një llogari në platformën “GoFundMe” dhe duke kërkuar ndihmë nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë.
Përmes këtij aktiviteti, dyshohet se kishte grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent. I njëjti ka grumbulluar duke keqshfytëzuar edhe hapësirat mediale me historinë e sajuar.
Po, ti që e ndihmove e le keq vetën, familjen tënde apo ndonjë person tjetër të ngusht, vetëm që ky i ri të “shërohej”, por të lutem mos harro që veprimet e tua flasin vetëm për ty ndërsa shëmtia e veprimeve të tjetrit flet vetëm për tjetrin.
Sepse nuk u luajt vetëm me ndjenjat e atyre që ndihmuan por edhe me ata që çdo ditë e kanë sfidë vetë jetën. Përveç sëmundjes së tyre e cila sjell dhimbje, demoralizim dhe gjendje të rënduar psikologjike shumica prej tyre duhet të mendojnë edhe si të sigurojnë parat jo vetëm për shërim por edhe për aktivitetet tjera të domosdoshme që të vazhdojmë jetën. Andaj mos qofsh i provuar dhe gëzoju shëndetit të plotë që gëzon.
E sa jemi të shëndeti… për arsye të forta humanitare Jakup Krasniqi erdhi në një vizit katër ditore në shtëpinë e tij ku iu lejua të takonte vetëm fëmijët, nipërit e mbesat.
Për këto katër ditë Jakup Krasniqi nën përcjellje, në terr e linte shtëpin për të bërë gjumin për në zyrat e EULEX-it. E, të shtunën, me eskortë është përcjellë deri në aeroport, para se të fluturonte për në Hagë.
Të gjithë i kanë parë përpëlitjet e vëllaut të Krasniqit për ta takuar Jakupin dhe nuk besoj të ketë njerëz që nuk e vënë dorën në zemër e të mos e kuptojnë mallin që njeriu ndjen për dikë që e ka të gjakut, e aq më pak për arsyen pse Krasniqi është i burgusur për më shumë se gjashtë vite në Hagë.
Duke u marrë parasysh arsyeja e vizitës dhe mosha e Krasniqit, masat e mëdha të sigurisë që u panë gjatë vizitës së tij, lirisht mund të them se përbëjnë demonstrim të panevojshëm force.
***
Sa për t’i përmbyllur këto reflektime le ta mbyllim me faktin që dje ishte Dita e Alfabetit, e cila është ndër provat e shumta se sa shumë shqiptarët dhanë dhe po vazhdojnë të japin për të vetëm gjë “të merremi vesh shqip”.
Kërkesa për alfabet filloi kështu, ishin tri alfabete që konkurronin. Alfabeti i Stambollit i vitit 1879 kishte parimin një tingull një shkronjë, por për tingujt që nuk përputheshin me ata të latinishtes ofronte shkronja greke ose të shpikura. Ishte alfabet prestigji, i trashëgimisë së frashërllinjve dhe i shkrimeve shqipe të Rilindjes Kombëtare. Alfabeti i dytë ishte i shoqërisë Agimi, kryesuar nga Ndre Mjeda që synonte që këta tinguj t’i shënonte me shenja diakritike, sipas modelit kroat. Në këtë model ç-ja do të shënohej me haçek – č. I treti ishte alfabeti i shoqërisë Bashkimi të abatit të Oroshit, Preng Doçi që propozonte dyshkronjësha për disa tinguj dhe që ishte më praktik për shtypshkronjat e kohës.
Kongresi me kryetar Mithat Frashërin caktoi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga Gjergj Fishta. Atë Fishta kishte thënë se askush nuk duhet të mbronte alfabetin e shoqatës së tij, por atë të kombit. Një hoxhë ishte mahnitur dhe ishte ngritur këmbë për ta përqafuar. Një hoxhë e një frat po përqafoheshin në kongresin që kishte bërë bashkë tri fetë. Sekretare e Kongresit ishte një grua, mësuesja Parashqevi Qiriazi.
Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, duke bërë disa ndryshime për të reflektuar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një akt thelbësor për të përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdoreshin më parë në zona të ndryshme.
Alfabeti i njësuar luajti një rol kyç në përhapjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e literaturës kombëtare, duke ndihmuar në krijimin e një platforme për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim shërbeu si bazë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare atë vit. Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.
