N’Kosovë e n’Shqipëri
28 Nëntor, 2026
28 Nëntor 2026
28 Nëntori ka qenë dhe do jetë gjithmonë pikë referimi për të gjithë brezat. Në këtë datë ndërthuren ngjarje që ndajnë shekuj mes tyre, por që lidhen nga e njëjta përpjekje, ruajtja e identitetit, organizimi politik dhe lufta për liri. Dhe datat që do t’i ndajmë tani nuk nuk është asnjëherë boll për t’i kujtuar.
Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e qytetit. Kjo ngjarje, 469 vjet më vonë, do të merrte një domethënie tjetër historike, kur më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Rruga drejt asaj dite kishte nisur më herët. Ismail Qemali u nis më 19 nëntor 1912 nga Triestja drejt brigjeve shqiptare. Më 21 nëntor zbarkoi në Durrës, me vaporin austriak të Llojdit, “Baron Bruck”, dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të bëhej zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së sapoformuar. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, fillimisht ishte menduar që flamuri të ngrihej më 22 nëntor në Durrës, për të penguar përparimin e mëtejshëm të ushtrive pushtuese. Por, për shkak të gjendjes së rënduar në qytet, Ismail Qemali u dërgoi telegram delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare, duke i ftuar të drejtoheshin për në Vlorë.
Ndërkohë, ndërsa ushtritë serbe përparonin drejt Shqipërisë së Mesme, patriotët shqiptarë nuk pritën mbledhjen e Kuvendit. Në Elbasan, më 25 nëntor, në Tiranë e Durrës, më 26 nëntor, si dhe në Kavajë, Peqin e Lushnjë, më 27 nëntor, u ngrit flamuri kombëtar. Një ditë më pas, në Kuvendin e Vlorës, 83 delegatë nga trevat shqiptare morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë, ndërsa 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Ismail Qemali shpalli Shqipërinë shtet sovran e të pavarur, duke artikuluar vendimin historik: “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Kjo ditë, e njohur edhe si Nëntori i Dytë, shënoi përfundimin e një procesi të gjatë kombëtar dhe fillimin e shtetësisë shqiptare.
Por 28 Nëntori nuk mbeti vetëm në historinë e Shqipërisë. Në Kosovë, kjo datë lidhet me lindjen e një figure që do të bëhej pjesë e historisë së luftës për çlirim: Adem Jashari, i lindur më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, si djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Pas përfundimit të shkollës së mesme teknike në Skenderaj, rrugëtimi i tij do të lidhej me organizimin e rezistencës së armatosur ndaj pushtetit serb.
Pas shuarjes së institucioneve të Kosovës më 1990, Lëvizja Popullore e Kosovës nisi të merrte një rol të rëndësishëm në organizimin e rezistencës edhe në aspektin ushtarak. Më 3 nëntor 1991, një grup veprimtarësh udhëtuan drejt Shqipërisë për t’u përgatitur ushtarakisht. Shërbimet sekrete serbe arritën të identifikonin formacionin, ndërsa më 30 dhjetor 1991, policia dhe ushtria serbe ndërmorën një aksion për kapjen e tij. Pas përleshjes me forcat serbe, grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet, ku qëndroi deri në fillimet e luftës çlirimtare.
Me kalimin e viteve, rezistenca mori formë të organizuar. Në shtator të vitit 1997 u intensifikuan aksionet e armatosura të UÇK-së, ndërsa në fund të nëntorit, në Rezallë të Re, u zhvillua një përballje me forcat e shumta policore serbe. Aty iu ndërpre rruga një kolone të armatosur rëndë, e cila po përgatitej të sulmonte fshatin Vojnik. Një ditë më parë, patrullat e maskuara serbe ishin qëlluar nga Abedin Rexha – Sandokani. Në krye të luftëtarëve gjatë kësaj beteje ishin Adem Jashari, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra dhe Ilaz Dërguti. Kjo përballje konsiderohet si beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së, me jehonë të madhe në opinionin publik.
Vetëm pak ditë më vonë, më 28 nëntor 1997, UÇK-ja do të dilte për herë të parë publikisht. Dy ditë më parë, forcat serbe kishin vrarë mësuesin e shkollës së Llaushës, Halit Geci. Në ceremoninë e varrimit të tij, në Llaushë të Skenderajt, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi u paraqitën para qytetarëve si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata për këtë paraqitje ishte përgatitur nga vetë ushtarët e UÇK-së. Kështu, 28 Nëntori i vitit 1997 u bë pjesë e historisë së Kosovës edhe përmes daljes publike të forcës që do të udhëhiqte luftën çlirimtare.
Ndërkohë, familja Jashari ishte prej kohësh në shënjestër të policisë serbe. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, forca të mëdha serbe sulmuan Prekazin. Sulmi nisi rreth orës 06:00, me mjete të rënda artilerike dhe përforcime që kishin ardhur nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Përballja zgjati tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars, dhe përfundoi me vrasjen e Adem Jasharit dhe shumicës së anëtarëve të familjes së tij. Kjo ngjarje njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sakrifica e familjes Jashari mori jehonë edhe në arenën ndërkombëtare. Bernard Kouchner, administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, kishte deklaruar se, po të ekzistonte një Çmim Nobel për sakrificën për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ndërsa ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e nderoi Adem Jasharin me titullin Hero i Kosovës.
Sot, 28 Nëntori shënohet si festë kombëtare në Shqipëri dhe festë zyrtare në Republikën e Kosovës. Por kjo datë nuk mund të kuptohet vetëm përmes një ngjarjeje apo një figure të vetme. Ajo nis me flamurin e Skënderbeut në Krujë, vazhdon me aktin e pavarësisë së Ismail Qemalit në Vlorë dhe merr një dimension tjetër në historinë e Kosovës përmes lindjes së Adem Jasharit dhe daljes publike të UÇK-së në Llaushë.
Tri data historike të ndara nga shekuj e vite, por të lidhura në të njëjtën ditë. “Zoti deshti që të shënojë në të njëjtën datë ngjarje që ndryshuan rrjedhën e historisë së shqiptarëve”
