Arkiva
15 Shtator, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Në rast se ke harruar: frika jote ndaj dështimit është duke të mbajtur mbrapa dhe s’po të lë të vazhdosh. Nuk ke nevojë të jesh i pëlqyeshëm nga të gjithë. Foli vetës tënde si dikujt që e do.
24 orët e fundit në Kosovë!
***
Ka kaluar plot një vit pa takim midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel. Derisa në Qeveri nuk treguan nëse ka plane për një takim të radhës, njohës të çështjeve politike vlerësuan se rrjedhat e kohëve të fundit po e çojnë dialogun drejt qorrsokakut. E një prej pengesave kryesore e numëruan sulmin terrorist në Banjskë. Sulmi në Banjskë tregon tendencën e serbëve për përvetësimin e veriut, sigurisht që Banjska hapi sytë e institucioneve tona për mosbesim! E tash shto edhe faktin që Serbia shërbimin ushtarak e paska kthyer të detyrushëm, sa e vulosin këta hapa pengesën për të vazhduar një dialog që as nuk e dijmë më kujt po i shërben?
***
Kryenegociatorët janë ftuar për takim trepalësh në Bruksel më datën 17 shtator, i cili me gjasë nuk do të ndodhë për shkak se, sipas Besnik Bislimit, Serbia e ka refuzuar takimin.
Por, nuk i dihet. Deri të martën e ardhshme me siguri do të lajmërohet Lajçaku, që do të na thotë se Serbia e ka tërhequr refuzimin për takim, kurse Kosova e ka refuzuar tërheqjen e refuzimit!?
***
Komuna e Prishtinës të shtunën njoftoi qytetarët se të hënën do të mund të udhëtojnë pa pagesë me autobusët e Trafikut Urban. Qytetarët mund të shfrytëzojnë edhe biçikletat publike pa pagesë, por pasi të regjistrohen në aplikacion, me vlerën prej 5 eurosh.
***
Lexues i dashur në këtë mëngjes a e dëshironi një rikujtim që edhe vetë e harroj që ekziston. Të gjitha qelizat në trupin tonë punojnë së bashku për të na mbajtur shëndetshëm dhe të lumtur. Vazhdo të jesh falënderues.